17 C
Tirana, AL
Tuesday, September 26, 2017
Ballina Blog

Sekuestrohet pasuria e biznesmenit të pijeve në Shkodër

0

Policia e Shkodrës ka sekuestruar 2300 m2 pasuri të paluajtshme dhe 4 automjete. Në kuadër të Plan-Operacionit “Vjeshtë 2017” është sekuestruar i gjithë aktiviteti tregtar i subjektit “Briland” shpk me administrator Xhavit Kasemi, i cili merret me prodhimin e pijeve. Pak ditë më parë kjo firmë u denoncua se prodhonte pije të ndryshme të falsifikuara.

Policia gjithashtu ka sekuestruar:

-Pasurinë e paluajtshme 2 godina nga 1000 m2, në lagjen “Ajasëm”, Shkodër

-Për pasuri të luajtshme, produkte të prodhimit nga “Briland”shpk, që ndodhen brenda godinave së lartpërmendura

-Për pasuri të paluajtshme, magazinë, në përdorim të subjektit Briland”shpk 300 m2, në lagjen “Liria”, Shkodër

– 4 automjete në përdorim të subjektit Briland”shpk si më poshtë:

Automjeti tip Mercedes Benz me targë AA237OL,

Automjeti tip Wolksvagen me targë SH6014E,

Automjeti tip Ford me targë SH1642E,

Automjeti tip Mercedes Benz me targë AA482AN.

Tjetër operacion në Durrës, zbulohen armë, tritol dhe kanabis

0

Specialistët e Seksionit për Narkotikët finalizojnë operacion të dytë brenda pak orësh të koduar “Shkëmbi i Kuq”. Në këtë aksion është sekuestruar  68.3 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, 408 gr fara kanabis sativa dhe municione luftarake.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur “Guri i Kuq” , në pyllin e fshatit Barkanesh, Krujë janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale: 3 fuçi plastike brenda të cilave  janë gjetur 15 thasë plasmasi me peshë rreth 68.3 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa; një kavanoz qelqi, i gjetur brenda një thesi,  i mbushur me farëra të dyshuara të llojit kanabis sativa, me peshë rreth  408 gr; 2 kallëpe tritoli me peshë 100 gr secili; 1 granatë ofensive; 1 ndezës unifikues granate; 1  armë gjysmë automatike model 56; 283 copë fishekë mod 63 dhe  fishekë luftarakë të kalibrit 7.62 mm dhe 1 krehër për armë automatike, model 7.62 mm.

Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Tjetërsimi i pronës, sekuestrohet 285 mijë m2 tek “Rana e Hedhun”

0

Prokuroria e Lezhës ka sekuestruar një sipërfaqe totale prej 285 mijë metra katrorë tokë në zonën bregdetare Rana e Hedhun, në Shëngjin, e dyshuar se është përfituar në bazë të dokumenteve të falsifikuar.

Sipas Prokurorisë “sipërfaqja e sekuestruar është e ndarë në 5 parcela dhe aktualisht gjendet në pronësi të disa persona të ndryshëm”

Prokuroria e Lezhës nisi hetimin, në bazë të kallëzimit të një shtetasi, i cili posedon dokumente zyrtarë për pronësinë mbi këtë tokë, por që në fakt rezulton se është regjistruar në emër të personave të tjerë.

Sqarimi i Prokurorisë

Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria e Lezhës ka krijuar dyshimet e arsyeshme se 5 parcelave iu është ndryshuar në mënyrë të kundërligjshme zëri kadastral nga zonë pyjore, në zonë në pemtore e tokë arë. Dhe, më pas, këto prona janë tjetërsuar në bazë të dokumentave të fallsifikuar.

Konkretisht, shtetasi Gj.C. është njohur si trashëgimtar i një sipërfaqeje në zonën e Ranës së Hedhun, me vendim gjykate të vitit 2006.

Në Shtator të vitit 2017, kallëzuesi konstaton se toka, për të cilën ai është njohur si trashëgimtar i ligjshëm, është regjistruar në emër të personave të tjerë dhe për këtë arsye i drejtohet Prokurorisë së Lezhës me kallëzim penal.

Në bazë të akteve proceduriale të deritanishme, Prokuroria ka konstatuar problematika të theksuara në mënyrën e regjistrimit të këtyre pronave në emër të shtetasve të ndryshëm.

Personat, në emër të të cilëve është regjistruar prona, nuk janë banorë të zonës së Mali të Rencit (Rana e Hedhun), por janë banorë të një njësie tjetër të qarkut Lezhë. E, megjithatë, ata kanë regjistruar këto prona me vërtetime të aktit të marrjes së tokës në pronësi, në bazë të ligjit nr.7501/1991 “Për Tokën”.

Në bazë të ligjit nr. 7501, përfitonin tokë vetëm banorët e zonave ku gjendeshin tokat dhe zërat kadastralë pyje dhe ranore ishin të përjashtuar nga procesi i ndarjes së tokave. Pra, Prokuroria e Lezhës konstatoi fillimisht se parcelat janë regjistruar në emër të personave që nuk kishin të drejtë të përfitonin tokë në atë zonë, si edhe, për më tepër, sipërfaqja e ndarë në bazë të ligjit “Për

Tokën”, ka qenë e përjashtuar nga ky proces (pasi ishte zonë pyjore dhe ranore).

Në vijim, Prokuroria e Lezhës konstatoi se të gjitha këto prona janë regjistruar në ZVRPP Lezhë në periudhën Gusht-Shtator 2017. Hipoteka i ka regjistruar këto prona, pas rikonfirmimit të zërit kadastral nga ana e Bashkisë së Lezhës dhe Qarkut Lezhë.

Në praktikat e regjistrimit, rezulton se parcelat janë të deklaruara si të përfituara nga familjet e Frrok Frrokut, Vasil e Pjetër Gjoni dhe Nikoll Tinaj, në bazë të ligjit nr. 7501/1991. Por, siç rezultoi nga dokumentacioni i administruar në kuadër të procedimit penal, këto parcela ishin të përjashtuara nga ndarja e tokës sipas ligjit të vitit 1991, pasi ato janë zona pyjore dhe ranore.

Prokuroria e Lezhës ka pyetur edhe personat që kanë nënshkruar aktet e ndarjes së tokës në emër të familjeve Frroku, Gjoni e Tinaj dhe rezulton që asnjë prej tyre nuk ka firmosur dokumentacionin, i cili më pas ka shërbyer për regjistrimin e parcelave në ZVRPP-Lezhë.

Ndërkohë, rezulton se një pjesë e parcelave të dyshuara si të përfituara në mënyrë të paligjshme janë tjetërsuar, duke ua shitur personave të tretë.

Në këto kushte, Prokuroria e Lezhës ka krijuar dyshimet e arsyeshme se parcelat, sipërfaqja totale e të cilave është rreth 285 mijë metra katrorë, është përfituar dhe regjistruar në bazë të dokumentave të fallsifikuar. Për këtë arsye, Prokuroria kërkoi nga Gjykata e Lezhës vendosjen e sekuestros, e cila u pranua për parcelat, si më poshtë:

– Pasuria me nr. 938/4, me siperfaqe totale 210 306 m 2 si dhe transaksionet qe jane bere me pas mbi kete pasuri.

– Pasuria me nr. 959/1, me siperfaqe 7382 m 2. si dhe transaksionet qe jane bere me pas mbi kete pasuri.

– Pasuria me nr. 552/2, me siperfaqe 16 107 m 2, si dhe transaksionet qe jane bere me pas mbi kete pasuri.

– Pasuria me nr. 821/19 , me siperfaqe 25296 m 2, si dhe transaksionet qe jane bere me pas mbi kete pasuri.

– Pasuria me nr. 921/18 , me siperfaqe 25146 m 2, si dhe transaksionet qe jane bere me pas mbi kete pasuri.

Prokuroria e Lezhës po vijon hetimet për personat e përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme, në kuadër të procedimit të regjistruar për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Vasili: Kryeministri i paditur do të bllokojë Vettingun

0

Kreu u Grupit Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Rama në lidhej me procesin e Vettingut.

Përmes një statusi në Facebook, Vasili shprehet se shefi i qeverisë do të bllokojë Vettingun.

“Kryeministri i paditur, që do të bllokojë vetingun. Kryeministri tha sot: -‘Vetingu nuk është çështje numrash, por strukturimi’.

E para: Ky kryeministër duhet sqaruar, që megjithëse ai e do për vete, vetingu është i pavarur dhe jo pronë e tij.

Së dyti: Ky kryeministër ka një ushtri parazitësh rreth vetes me 650 vetë, atëherë pse e pengon vetingun të përmbushë kërkesat më minimale dhe i shkurton 70 vetë? Është i paditur dhe e urren vetingun, ndaj e pengon të funksionojë.

Së treti: Shqiptarët nuk presin drejtësinë dhe vetingun nga kryeministri, që mbushi me drogë Shqipërinë, por presin drejtësinë që SHBA dhe BE kërkojnë.

 

Së katërti: Vetingun nuk e vendos dot as muhabeti bajat dhe as marrëveshjet gajasëse që bën qeveria me qeverinë, alias grupin parlamentar të Partisë Socialiste, por Kushtetuta dhe ligji”, shkruan Vasili.

Meta, vizitë në Gjermani me ftesë të Steinmeier

0

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka nisur këtë të martë një vizitë zyrtare në Gjermani. Burime nga Presidenca bëjnë me dije se për këtë vizitë Meta është ftuar nga homologu gjerman Frank Walter Steinmeier.

Kjo është vizita e dytë e kreut të shtetit që nga marrja e detyrës në korrik, pas asaj në Itali ku u takua me homologun Mattarella.

Sekuestrohet në Durrës kokainë me vlerë 50 mijë euro; 3 në pranga

0

Finalizohet  në Durrës  operacioni i koduar ”Segmenti”, ku u sekuestrua 0.5 kg  kokainë dhe arrestuan në flagrancë tre shtetas të cilët janë; Laurian Malko 32   vjeç, banues në Durrës; Elmaz Gjepali 29 vjeç, banues në Gjepalaj, Shijak dhe Mirvete Tupi 47 vjeçe, banuese në Durrës.

Arrestimi i tyre u bë pasi me  datë 25 shtator 2017, në lagjen Nr.14, Shkozet gjatë kontrollit të ushtruar shtetasve të mësipërm iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale  rreth 0.5 kg  lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë; një pistoletë tip Ekol Special (zhurmuese)dhe një krehër; vlera monetare në lekë dhe Euro dhe 4 aparate telefoni celularë.

Roli i shtetasve të arrestuar

Shtetasi Elmaz Gjepali siguronte lëndën narkotike të llojit kokainë.

Mirvete Tupi lëndën narkotike të siguruar nga shtetasi Elmaz Gjepali  ia jepte shtetasit Laurian Malko dhe ky i fundit e shiste. Nëse lënda narkotike do të shitej vlera e saj në treg do të shkonte rreth 50 000 €.

Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale: “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”në bashkëpunim dhe”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” në ngarkim të shtetasit Laurian Malko;  “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”në Ngarkim të shtetasve Elmaz Gjepali dhe Mirvete Tupi.

Marrëveshja e bashkëpunimit, Rama: Prioritet, implementimi me qytetarët

0

Menjëherë pas kthimit nga SHBA, kryeministri Edi Rama ka mbledhur mëngjesin e kësaj të marte grupin e tij parlamentar. Mbledhja është zhvilluar në kryesinë e Kuvendit ku në fokus është firmosja e marrëveshjes së bashkëpunimit mes deputetëve dhe ministrave.

Gjithashtu në mbledhje do të diskutohet edhe dekreti i ish-Presidentit Nishani për importin e mbetjeve. Ky dekret do të shqyrtohet sot në mesditë në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese.

Ka qenë shefi i qeverisë ai që ka hapur fjalën e takimit, i cili tha se kjo marrëveshje që pritet të firmoset sot synon që të çojë në një nivel të ri bashkëpunimi mes këtyre palëve,  që në fakt janë pjesë e të njëjtës skuadër për të rritur cilësinë e punës së përbashkët dhe përgjegjshmërinë individuale dhe kolektive të këtyre pjesë të skuadrës që burojnë nga kontrata e PS me popullin shqiptar.

“E nisim punën me një marrëveshje mes kryetarit të grupit parlamentar, sekretarit të përgjithshëm të PS dhe ministrave të qeverisë sonë.

Kjo marrëveshje synon që të çojë në një nivel të ri bashkëpunimi mes këtyre palëve që në fakt janë pjesë e të njëjtës skuadër për të rritur cilësinë e punës së përbashkët dhe përgjegjshmërinë individuale dhe kolektive të këtyre pjesë të skuadrës që burojnë nga kontrata e PS me popullin shqiptar.

Kjo është një marrëveshje që dakordëson fushat mes qeverisë, grupit dhe partisë në funksion të një komunikimi të brendshëm dhe me publikun.

Kjo marrëveshje përbën një pikë të palëvizshme referimi për deputetet, të gjitha nivelet drejtuese në funksion të jetësimit të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm.

Për elementet e marrëveshjes do ta detajojë kryetari i grupit, së bashku me sekretarin e përgjithshëm për një punë cilësore të bërë në bashkëpunim me ekspertë për ta hartuar këtë dokument

Ne të vazhdojmë ti mbetemi besnik asaj që besoj që të gjithë së bashku mësuam nga leximi i zgjedhjeve të 25 qershorit. nevojës për tu bërë më të mirë dhe për të qeverisur shumë më mirë, nisur nga fakti se shqiptarët na votuan për atë që ne mund të bëjmë dhe jo për çka bëmë në 4 vitet e para. Është një pikënisje që do të jetë pikënisja e çdo ditë, duke bërë më shumë”, tha Rama.

Basha: Rama po saboton Vettingun, ky është akt djallëzor

0

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka hedhur akuza mbi kryeministrin Rama se po saboton procesin e Vettingut. Gjithashtu shefi i opozitës tha se të enjten Partia Demokratike do të propozojë amendamentet  që kanë të bëjnë me organet e pavarura të Vettingut, që të kenë mbështetjen e plotë financiare.

“Rama po saboton që në hapin e parë Vettingutn. Ai duhet të ndajë mendjen, ose me bandat o se me drejtësinë.  Organet e Vettingut kanë bërë një kërkesë për tu mbështetur sipas ligjit me personelin që do t’i ndihmojë me procesin e shqyrtimit të integritetit, profesionalizmit dhe ndershmërisë së gjyqtarëve me qëllim që procesi i Vettingut të procedojë pa vonesë.

Edi Rama ka vendosur ta sabotojë që në hapin e parë procesin e Vettingut. Me urdhër të Edi Ramës mazhoranca ka shkurtuar me 40% kërkesat e komisioneve të Vettingut. Edhe sot e dëgjuam Ramën të justifikonte këtë si një akt gjoja për të mbrojtur paranë e taksapaguesit.

Në fakt është i njëjti Edi Ramë që ka zgjidhur thesin dhe paguan më shumë personel në kryeministri sesa paguan Trump në Shtëpinë e Bardhë. Gjysmën e ka sharës me pagesë të kundërshtarëve politike. Para për sharës me pagesë ka plot. Ndërsa për procesin e Vettingut nuk gjenden para për këshilltarët e organeve të Vettingut. Ky është një akt djallëzor i sabotimit të reformës në drejtësi.

Të enjten do të propozojmë amendamentet atë që kanë kërkuar organet e pavarura të Vettingut, që të kenë mbështetjen e plotë financiare”, tha Rama gjatë një deklarate për mediat.

Vizita e Trump-it në Serbi, si shansi i tretë për Kosovën Nga Azem Parllaku

0

 

Nga Azem Parllaku

Këto ditë ishin mediat serbe, ato që artikuluan rreth vizitës, që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, mund të kryejë në Beograd vitin e ardhshëm. “Kur e ftova, i kam treguar se pse është kaq e rëndësishme që ai të vijë në Serbi. Kam folur për qëndrimin që kanë qytetarët e Serbisë ndaj tij dhe ndaj politikës amerikane, se si e shohin atë njerëzit në Serbi dhe pse është e rëndësishme vizita e tij”, tha Vuçiq për gazetarët në Nju Jork. Nëse Trump do të shkelë në Beograd, atëherë shënohet vizita e parë e një presidenti amerikan në Serbi, që nga viti 1980, koha kur Jimi Carter vizitoi Jugosllavinë e atëherëshme.
Pas vizitave të presidentit të Rusisë dhe atij të Kinës, turi i Trump-it vitin e arsdhshëm, shënohet si një vlerësim i fuqisë që ka Serbia në rajon, por edhe si një sinjal për Beogradin, i cili duhet të vendosë se ku do të shkojë në të ardhmen. Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është e mundur të arrihet asnjë zgjidhje e problemeve në rajon. Në qoftë se dikush mendon ndryshe, kjo nuk është reale dhe nuk ka lidhje me realitetin”. Ky koment i tij, pas takimit me zëvendësen e parë të ndihmës sekretarit amerikan të shtetit për çështje të Europës dhe Euro-Azisë, Elizabeth Millard, nuk është mirëpritur nga një pjesë e bashkëkombasëve të tij.
Kritikët e presidentit Vuçiq, vizitën e presidentit Trump në Serbi, e konsiderojnë si, largimin përfundimtar të Beogradit nga Moska, njëherësh dhe si ndryshim të preambulës së Kushtetutës së Serbisë, në të cilën theksohet se Kosova është pjesë e Serbisë. Ish ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiq, i cili ka qenë kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, ka supozuar se delegacioni i Kosovës i pranishëm në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që zhvilloi punimet gjatë këtyre ditëve, ka lobuar fuqishëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për pranimin e Kosovës në UNESCO. Përtej këtyre deklaratave, e sigurtë është se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ruajnë influencën e tyre në Ballkan, dhe se, vizita e presidentit, Donald Trump, në Serbi duhet konsideruar si një sinjal i fortë. Kjo vizitë shënon edhe shansin e tretë shqiptarët e Kosovës.
Herën e parë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vepruan me vendosmëri të madhe kur, politika serbe e spastrimit etnik kundër shumicës shqiptare në Kosovë, me qëllim konsolidimin e një Serbie kompakte nga pikëpamja kombëtare, provokoi vrasje masive të civilëve dhe dëbime brutale, përgjatë viteve 1998-1999. Këtë herë Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, mori komandën për llogari të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Albright, përfitoi nga impulsi politik i ofruar nga zgjerimi i NATO-s, për të modeluar koalicionin që, e vuri Serbinë përballë ultimatumit: të linte Kosovën, ose të dëbohej me forcë. Me Amerikën dhe Europën të lidhura fort, fushata e bombardimeve i shkaktoi dëme të rënda instalimeve dhe infrastrukturës ushtarake serbe, teksa trupat e NATO-s, po grumbulloheshin në Maqedoni, Greqi, dhe në Shqipëri, për të organizuar një fushatë vendimtare nga toka.
Rusia nga ana e saj, kreu një tentativë ekstreme që të futej në konflikt, duke rreshtuar një repart të vogël në aeroportin e Prishtinës. Ky veprim i Rusisë, ose ishte një përpjekje për të shpëtuar një pjesë të Kosovës për Serbinë, ose për të përfituar një zonë të pushtimit rus. Por me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vendosura politikisht dhe ushtarakisht në favor të Kosovës, tentativa ruse nuk nxori gjë në dritë. Faza përfundimtare e zgjidhjes së krizës jugosllave në mesin e vitit 1999, u zgjidh sipas termave perëndimore dhe nën lidershipin amerikan. Serbia ishte e detyruar t’a linte Kosovën.
Herën e dytë: Ishte presidenti, George Ë. Bush, si presidenti i parë në detyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili me 10 qershor 2007 vizitoi Shqipërinë. Presidenti Bush nga Tirana komentoi, se besonte se plani i të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari, për pavarësi të mbikqyrur, është zgjidhja e duhur për Kosovën. Lidhur me këtë çeshtje presidenti Bush lëshoi një mesazh të fortë kur tha: “Ajo që mund të bëjmë ne është që të lejojmë diplomatët tanë që së bashku me koleget rusë dhe të Bashkimit Europian, të kërkojmë një kompromis, një bazë të përbashkët, të cilën t’a mbështesin të gjithë.
Por në qoftë se, ata nuk do t’ia dalin mbanë atëherë, do të vijë dita, më mire më herët se sa vonë që, ata do të thonë. Mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur”. Kështu Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008, dhe nga marsi i vitit 2011, Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet në Bruksel për një seri çështjesh teknike. Përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur më 10 shtator 2012, tashmë vlerësohet si një mundësi për shtyrjen më tej të hapave për integrimin e Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Europian. “Pavarësi është qëllimi. Kjo është ajo ç’ka populli i Kosovës duhet t’a dijë”, kjo ishte porosia e, George Ë. Bush, në qershor të vitit 2007.
Hera e tretë: Si shansi i fundit për Kosovën, përkon me vizitën e përfolur të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në Beograd. Me siguri që, Presidenti Trump, do të kërcënojë suksesin e diplomacisë së pambuktë Europiane, e cila luan arbitrin në dialogun e Serbisë me Kosovën.
Nëse me, Elizabeth Millard, zëvendësen e parë të ndihmës sekretarit amerikan të shtetit për çështje të Europës dhe Euro-Azisë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, foli për tema në të cilat insistojnë amerikanët, siç është rasti i vëllezërve Bytyqi dhe rasti i djegies së ambasadës amerikane në Beograd, temat që mund të shtrohen në tryezën e takimit, Trump-Vuçiq, nuk do të jenë edhe aq të këndshme. Shtetet e Bashkuara dhe NATO, në njëfarë mënyre konsiderohen si kryexhandarët e Ballkanit. Në një nivel preokupimi në rritje për të drejtat e popujve, Uashingtoni zyrtar kurrësesi nuk do t’a braktisë kauzën tradicionale të politikës së jashtme. Ekziston një ironi e fortë në të gjithë këtë situatë, kur paramendohet mesazhi i lëshuar i presidentit Trump në Beograd. Deri atëherë, mund të jetë lëkundur suksesi i diplomacisë ndërkombëtare mbasi, Irani dhe Koreja e Veriut, mund të jenë kthyer në drejtim të Kinës dhe Rusisë, që do të thotë forcim i ekzagjeruar i frontit antiperëndimor.
Deri atëherë mund të jenë harruar në sirtar të gjitha përpjekjet me bekimin e Europës për t’i integruar në një treg të përbashkët vendet e Ballkanit Perëndimor. Dominimi amerikan në Ballkan, dhe në favor të shqiptarëve, do të vijojë të demonstrojë fuqinë dominuese në një botë me disa qendra dominuese. Dhe në këtë botë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë dëshmuar se, Kosova është një prej partnerëve, jo vetëm për të ndarë barrën psikologjike të udhëheqjes, por edhe për të formuar një rend botëror të qëndrueshëm me liri dhe demokraci

Buxheti faktik 2016: U mblodhën 22 mln euro më pak se plani

0

Në vitin 2016, të ardhurat tatimore dhe jotatimore të Bashkisë së Tiranës arritën në 7.6 miliardë lekë, apo rreth 55 milionë euro, sipas relacionit “Për miratimin e treguesve të realizimit të buxhetit të bashkisë Tiranë, për vitin 2016”, që do të diskutohet të enjten në mbledhjen e radhës së këshillit Bashkiak.
Nga shuma totale, 4.5 miliardë lekë, ose 60% janë të ardhura tatimore dhe pjesa tjetër jo tatimore.
Bashkia duket se ka qenë tepër optimiste me planifikimin e të ardhurave në fillim të vitit 2016, teksa parashikonte të mblidhte 10.6 miliardë lekë, apo rreth 78 milionë euro. Pavarësisht se të ardhurat rezultojnë të jenë rritur ndjeshëm në pothuajse të gjitha zërat, në fund të vitit ka rezultuar se plani është arritur të realizohej me 71%, apo 22 milionë euro më pak sesa u parashikua në fillim të vitit.

Mosrealizimin më të lartë, në krahasim me planin e fillim vitit e ka taksa e ndikimit në infrastrukturë, ku bashkia ka arritur të mbledhë vetëm rreth gjysmën e të ardhurave të pritshme (1.2 miliardë lekë, nga 2.2 miliardë që priste). Situata ka ndryshuar në tre muajt e parë të këtij viti, ku të ardhurat nga kjo taksë përbënin gati gjysmën e totalit, sipas të dhënave që u publikuan më herët nga portali financatvendore.al. Megjithatë, bashkia thekson në relacion, se viti 2016 rezulton si viti me i suksesshëm për arkëtimin e taksës se ndikimit ne infrastrukture nga ndërtimet e reja, duke arritur vlerën më të lartë të arkëtuar ne 15 vitet e fundit, megjithëse realizimi i saj është kushtëzuar nga miratimi i planit rregullues gjate 2016. Realizimi i te ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja është mbi 4 here më shumë se viti 2012, rreth 87% me shumë se viti 2013 dhe 17% më shumë se viti 2014.
Zëri që ka sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e bashkisë Tiranë është ai i taksës mbi ndërtesat nga subjektet e biznesit, që ka sjellë rreth 1.4 miliardë lekë , ose 88 e planit.
Sipas relacionit të Bashkisë, taksa mbi truallin, ka te beje me truallin e përdorur per banese dhe për biznes. Te ardhurat nga kjo takse për vitin 2016, janë realizuar ne shumen 36,828,390 leke, kundrejt planit 20,000,000 leke, pra kemi një realizim prej 184%. Problemi kryesor qe lidhet me te ardhurat nga kjo takse, ka te beje me mungesën e informacionit ne lidhje me pronësinë e truallit, ndaj del e nevojshme qe te krijohet një regjistër elektronik, me të dhëna nga ZVRPP Tirane, duke vlerësuar dosjet ekzistuese dhe verifikimin e tyre ne terren.
Të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore janë realizuar vetëm 20%. Sipas relacionit, nder problemet kryesore te hasura gjate këtij viti ne lidhje mete ardhurat nga kjo takse, është mungesa e bazës se te dhënave për regjistrat e tokës bujqësore nga Njësitë Administrative, veçanërisht ish-Komunat.
Përqindje të lartë mosrealizimi kanë të ardhurat e parashikuara nga tarifa e zënies së hapësirave publike, me vetëm 40-50%, teksa bashkia i uli këto taksa pas protestave të bizneseve në shkurt të vitit të kaluar. Megjithatë, bashkia thekson se arkëtimet nga tarifa e zënies se hapësirës publike janë 3 here mete larta se arkëtimet e vitit 2015 dhe thuajse 4 here mete larta se ato te vitit 2014.
Taksa e fjetjes u realizua 45%. Relacioni thekson se problemi kryesor i hasur gjatë këtii viti në lidhje me këtë është mungesa e kategorizimit sipas e sistemit te yjeve, e cila solli paqartësi në mbledhjen e taksës se fjetjes ne hotel si dhe fakti se sistemi deri me sot bazohet ne vetëdeklarime. Me hyrjen e sistemit te ri te digjitalizuar për deklarimet dhe monitorimin e hoteleve, i cili përfundon në vitin 2017, pritet një ndryshim i ndjeshëm në të ardhurat nga taksa e hotelit.
Taksat e tabelave identifikuese dhe reklamuese u volën përkatësisht 20% dhe 62% të planit. Problemet kryesore te hasura në arkëtimin e te ardhurave nga kjo takse, thekson Bashkia, lidhen me ndryshimin territorial te Tiranes, ku nje pjese e mire e bizneseve te komunave Kashar, Farke përdornin tabela reklamuese me sipërfaqe të madhe dhe me rritjen e nivelit të taksës, heqjen e kufirit maksimal {18 meter katrore si dhe ndryshimit të shpërndarjes territoriale te saj, nuk i kane përdorur më, duke shkaktuar mungesën e të ardhurave te planifikuara. Serish, Bashkia thekson se viti 2016 shënon nivelin me te larte të arkëtimeve nga kjo taksë për 15 vitet e fundit me një performance rreth 40% me të lartë krahasimisht me vitet 2014 dhe 2015.
Ecuria e arkëtimit të tarifës së pastrimit për te dyja kategoritë si Biznese dhe Famlljare rezulton me nje rritje te dukshme ne vitin 2016, për gati dy here me shume se arkëtimet e periudhës 2012-2015 dhe disa here me shume se ne vitet 2006 -2011, si rezultat i riorganizimit te mënyrës së mbledhjes së taksës e forcimit të strukturave menaxhuese.
Nga taksa e arsimit, e cila u vendos për herë të parë në 2016-n, bashkia ka arritur të mbledhë 3.6 milionë euro, ose rreth 57% të asaj që planifikonte, ku mosrealizimi më i madh është nga familjarët (44%).
Të gjithë ata që kanë makina, kanë paguar në 2016-n rreth 1.3 milionë euro, apo sa 60% e asaj që parashikonte Bashkia në fillim të vitit.