Kontrolli i Lartë i Shtetit  ka kallëzuar në prokurori 12 punonjës të Hipotekës në Fier pasi akuzohen për disa shkelje gjatë detyrës së tyre.  Bëhet fjalë për  tre  ish regjistrues, tre përgjegjës sektori dhe specialistë të zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Këta persona nga auditimi i kryer prej këtij institucioni rezultojnë të kenë kryer regjistrime të pasurive pa dokumentacionin e duhur ligjor, me dokumente të parregullta për sipërfaqen prej 580392 m2, ndryshime zëri kadastral nga pus nafte, zallishte, rrugë, përrenj në truall për sipërfaqe 28360 m2, regjistrim pasuri shtetërore (të privatizuar) pa arkëtuar qira trualli me dëm ekonomik në vlerën 1,900 mijë lekë, pa dokumentacionin ligjor, mos kufizime prona të paligjshme me vendim gjykate për sipërfaqe 108569 m2, si dhe kanë shmangur procedurat ligjore duke regjistruar legalizime mbi prona shtetërore (ndërtesa) për arkëtimin e  vlerës 120 milionë lekë, si dhe vlerën 11,5 milionë lekë të ardhura të munguara për buxhetin nga mos pagesa e taksës së regjistrimit për ambientet e përbashkëta.

KLSH i ka kërkuar Krye-regjistruesit në Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të vlerësojë shkallën e përgjegjësisë dhe marrjen e masave disiplinore për 12 punonjës të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.  KLSH përmes njoftimit për media bën  me dije se i ka përcjellë me shkresë indicie për kallëzim penal Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here