Prej vitesh, thuajse çdo ditë dhe në të njejtën orë të mëngjesit, ai zbriste shkallët e katit të pestë të pallatit parafabrikat, te “Parku”. Në të gjitha stinët, në kohë me shira apo të ftohtë, në ditë me qiej të pastër apo re, në ditë të nxehta, ai bënte të njejtën gjë apo ritual. Mbaj mend që dimrave vishte një pardesy, ndërsa në stinë të tjera xhaketë dhe rrallë këmishë.  E pandarë nga supi i tij ishte vetëm çanta dhe në kokë kasketa, që nuk e hiqte asnjëherë. Më kishte ndodhur shpesh herë, që kur kryqëzohesha me të, e përshëndetja në heshtje. Vetëm kaq. Dhe si gjithmonë ecte ngadalë në punë të tij, shoqëruar nga vetvetja në të shumtën e rasteve apo në ditë pushimet e shoqëruar nga Eftalia, gruaja e tij, që e njihja më mirë në ca rrethana të tjera. Nuk e dija se ç’punë kishte bërë para viteve ’90 dhe me se merrej në vitet pas pensionit, kur delte çdo mëngjes në të njëjtën orë e kthehej pasditeve… Vite më parë miku im i kahershëm Moikon Zeqo apo Marsela, punonjëse e “Bibliotekës Kombëtare”, më kishin folur për një lidhje që ata kishin me Hasim Isallarin , i cili që nga viti 1988, banonte me familjen e tij në të njejtin pallat parafabrikat me mua. Nga dritarja e dhomës time, duket shkalla e tretë dhe ballkoni i katit të pestë ku janë vendosur familja Isallari. Ky burrë i paqtë e i heshtur me emrin Hasim ,duhet të jetë nga Libohova, mendoja sa herë e përshëndetja në heshtje. Nga qyteti i Libohovës, që nuk e di ,sa herë udhëtoj për në Jug, kthej kokën andej ,ku ndodhet ai e më duket sikur shoh një dritë të veçantë , që vjen nga shkëlqimi i tij i dikurshëm apo më shfaqet portreti i Avni Rustemit, ketij libohoviti të rrallë dhe që babai im i ndjerë, e kishte idhullin e tij. Dhe ndoshta nuk kam gabuar, sepse kur lexova librin me poezi të Hasim Isallarit “ Testament i fshehtë”, disa poezi i kushtohen Libohovës, Nepravishtës, malit “Bureto” etj.

…Ka muaj që ai nuk i zbret më shkallët nga kati i pestë dhe nga 4 janari i këtij viti, nuk e kam parë më siluetën e tij, me ecjen e ngadaltë dhe vështrimin e butë, apo përshëndetjen e heshtur që i bënim njeri-tjetrit. Kur ditë më pas lexova shpalljen e vendosur për kalimin nga jeta të Hasimit, shtanga nga ikja e beftë dhe e papritur e njeriut të heshtur dhe fisnik. Vetëm kështu mund të shkonte ai, mendova. Pa zhurmë dhe bujë e në qetësinë e paqtë të ditëve të fillimjanarit. Drita në shtëpinë e tij nuk u shua për 40 ditë, siç e do zakoni dhe sa herë, në netët e ftohta të dimrit, hidhja vështrimin në katin e pestë, më dukej sikur në dritare shihja portretin e Hasimit, që në qetësinë e natës, u fliste yjeve, siç dinë t’u flasin vetëm poetët, që njohin gjuhën e hapësirave qiellore. Hasim Isallari ishte edhe poet, që e mësova pak ditë më parë, kur bashkëshortja e tij Eftalia dhe Bledari, djali më dhuruan librin me një titull kuptimplotë “ Testamenti i fshehtë”… Nuk e dija që Hasimi shkruante poezi, thotë ngadalë Eftalia. Kisha një jetë me të, shton ajo. Kur i gjetëm,,,Në portretin e saj, veçmas sytë që rrezatojnë mirësi, pashë dhimbje dhe mall për njeriun e saj të dashur që nuk ishte më. Nuk e dinim që babai shkruante poezi, thotë të njejtat fjalë edhe Bledari. Qoftë dritë shpirti i tij. Qoftë dritë, thashë unë një nga shprehjet më të bukura bektashiane.

E lexova menjëherë “Testamentin poetik” të Hasim Isallarit, redaktuar nga poeti dhe prozatori Demir Gjergji, e shoqëruar po prej tij me parathënien e shkurtër dhe shumë të ndjerë “ Fjalë të fshehura”. Gjithashtu mësova që nxitësi për botimin e librit është Bledar Koçi, autor i dy librave me poezi, bektashi në rrënjë, lindur dhe rritur në Prishtë të Skraparit, ku ndodhet një nga teqetë më me emër të Shqipërisë. Sinqeriteti i tij në këtë libër është prekës dhe gati-gati si prej adoleshenti dhe siç shkruan Demir Gjergji “ përlotemi me ndjenjat e pastra të një njeriu që e ka jetuar jetën edhe si poet” apo “ me ndonjë naivitet të mendimit e të nivelit artistik”.

Në këtë përmbledhje gjen vargje për Eftalinë, shoqen e jetës së tij, për djemtë, elegji për nënën, babain, letër për vëllain në fshat, për shokët universitarë, për gjethet dhe ëndrrat, jetën e thjeshtë që ka bërë, lumturinë, atdheun, dëshmorët dhe dritën e lapidarëve, Nepravishtën, Bureton, Libohovën dhe Avni Rustemin, që e “ vështron me dëshpërim nga piedestali “, për stinët e jetës e veçmas vjeshtën melankolike që “i ngjet shumë shpirtit tim”, gjeologët, punëtorët e ndërtimit, gjethet dhe ëndrrat, thinjat dhe rrudhat në ballin e tij… Gjen poezi për tranzicionin e çmendur e kaotik shqiptar dhe për këtë thërret në bisedë poetin e madh Dritëro Agollin ose “ Dritëro flokëbardhin”, siç shkruan Hasimi. Tronditet deri në ulërimë për ikjen e djalit nga vatani dhe “Lotët thajnë; Lëndinë më lëndinë”,por më shumë shtohet kjo ulërimë dhe helm kur mer vesh ndërrim emrin e Saimirit :

                                      O Saimir, se ç’më helmove,

                                      Mora vesh që emrin ndërrove,

                                      Emrin e bukur, Saimir,

                                      Ti e ndërrove me Vasil.

Ky është Hasim Isallari në librin e tij “ Testamenti i fshehtë”, i vërtetë më shumë se e vërteta dhe i thjeshtë më shumë se e thjeshta. Ai u la pasardhësve të tij një pasuri të madhe : jetën dhe djersën  e tij të ndershme

“ Derdhur anembanë ” dhe dritën e shpirtit të tij, që shfaqen në këto poezi dhe një nga testamentet më të bukura, që burojnë nga ky libër.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here