Klinika e specializuar për sëmundjet e mushkërive e qytetit të Tiranës po rindërtohet për t’u kthyer në një qendër model jo vetëm në infrastrukturë por edhe në pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi fillimin e punimeve tek Dispanceria, ku theksoi rëndësinë e investimeve në shërbimin Parësor.

“Kemi hapur investime madhore në shëndetësi dhe padyshim programi kombëtar për rindërtimin e 80 qendrave shëndetësore është ndër më të rëndësishmit që ka nisur e zbatohet këtë vit. Pjesë e këtij programi është investimi tek Dispanceria, e cila do të rindërtohet dhe do të pajiset me aparatura moderne për t’ju shërbyer rreth 40 mijë pacientëve që marrin shërbim të specializuar në këtë qendër”, tha Manastirliu.

Ministrja theksoi se ky nuk është i vetmi kantier i hapur në Tiranë.

“Jemi të fokusuar te rindërtimi i qendrave të kujdesit parësor, si porta e parë hyrëse në shërbimin shëndetësor për qytetarët, ndaj kemi hapur kantierin e shëndetësisë edhe në qendrën shëndetësore nr. 4, qendrën nr. 10, në Kashar, Ndroq, Pezë, Bathore, janë 14 qendra shëndetësore në qarkun e Tiranës që po rikonstruktohen me buxhetin e shtetit vetëm gjatë këtij viti”, tha Manastirliu.

Duke theksuar rëndësinë e shërbimeve të integruara, Manastirliu theksoi se Tirana është padyshim kantieri më i madh sa i takon investimeve këtë vit, pasi përvec shërbimit Parësor, kanë nisur investime të rëndësishme sa i takon infrastrukturës spitalore.

“Tre projekte madhore nisin këtë vit në QSUT. Ndërtimi i spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme që do të zëvendësojë 6-katëshin ekzistues; ndërtimi dhe pajisja e dy kateve të kirurgjisë së përgjithshme dhe pediatria e re moderne”, tha Manastirliu.

Vetëm për vitin 2018 po investohen 14 milion euro në shërbimin shëndetësor.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here