Kompensimi

Përfituesit e pensioneve të caktuara pas datës 1.7.2018, por me datë të fillimit të pensionit deri më 31.12.2014, përfshirë edhe këtë datë, përveç pensionit, do të përfitojnë edhe kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”; “Për rritjen e pensioneve”; “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”, me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimin e të ardhurave, pas indeksimit të pensioneve, të këtij vendimi, të jetë:

  1. a) deri në 15 028 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë;
  2. b) deri në 14 528 lekë në muaj, për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare;
  3. c) deri në 9 851 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare në fshat.

Kompensimet për të ardhura mujore minimale do t’i marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione të parakohshme me datë fillimi nga 1.7.2018 e në vazhdim, me kusht që shuma e pensionit mujor të parakohshëm plus kompensimin e të ardhurave të jetë deri në 15 028 lekë në muaj.

Përfituesit e pensioneve do të marrin edhe kompensimet e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse, bukës, gazit. Pas datës 1.7.2018, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të qytetit me datë fillimi deri në 31.12.2014, shtuar me kompensimet nuk mund te jenë me të vogla se 15 528 lekë në muaj, të ardhurat maksimale arrijnë 27 257 lekë në muaj, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të fshatit nuk mund të jenë me të vogla se 10 051 lekë në muaj ndërsa të ardhurat minimale nga pensionet e parakohshme, shtuar me kompensimet, nuk mund të jenë më të vogla se 15 528 lekë në muaj.

Pensione maksimale dhe minimale

Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në mbështetje të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të këtij ligji, si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, të caktuara me ligjin nr.150/2014, që kanë datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës 1.7.2018 nuk do të jenë më pak se 13 378 lekë në muaj dhe më shumë se 26 757 lekë në muaj. Këto prekin pensionet e qytetit.

Ndërsa pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës 1.7.2018 nuk do të jenë më pak se 9 161 lekë në muaj, por jo më shumë se 13 378 lekë në muaj. Keto prekin pensionet e fshatit.

Pensioni i parakohshëm

Pensionet e parakohshme, të caktuara sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, me datë fillimi nga 1.7.2018 e në vazhdim, nuk do të jenë më pak se 13 378 lekë në muaj.

Pensioni bazë

Shuma bazë e pensionit duke filluar nga data 1.7.2018 e në vazhdim të jetë 7 262 lekë.

Minimumi dhe Maksimumi i pensioneve, pëfshirë kompensimet:

Pas datës 1.7.2018, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të qytetit me datë fillimi deri në 31.12.2014, shtuar me kompensimet nuk mund të jenë më të vogla se 15 528 lekë në muaj.

Të ardhurat maksimale arrijnë 27 257 lekë në muaj.

Të ardhurat minimale nga pensionet e plota të fshatit nuk mund të jenë me të vogla se 10 051 lekë në muaj.

Të ardhurat minimale nga pensionet e parakohshme, shtuar me kompensimet, nuk mund të jenë më të vogla se 15 528 lekë në muaj.

Kategoritë e pensioneve që përfitojnë rritjen 2.8%

Pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë

Pensionet sociale.

Shtesat mujore, të përfituara si trajtim i invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar.

Pensionet për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut

Shtesat mbi pension

Pensionet e caktuara dhe të rillogaritura me ligjin nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara me nenin 21, të këtij ligji

Trajtimet e veçanta financiare të familjeve të pilotëve fluturues që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit.

Trajtimet e veçanta financiare të pilotëve fluturues në pension.

Trajtimet e veçanta financiare të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe palombarëve të forcave detare në pension.

Trajtimet e veçanta financiare të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë

Pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë.

Trajtimet e veçanta financiare të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake.

Pensionet suplementare shtetërore të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë.

Pensionet suplementare shtetërore të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit.

Shpërblimet e caktuara për statusin e veteranit të luftës kundër pushtuesve nazifashiste të popullit shqiptar.

Pensionet shtetërore të posaçme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here