Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) njoftoi se ka nisur procedimin administrativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Albtelecom sh.a dhe Vodafone Albania sh.a. Konflikti ka lindur pasi operatori i telefonisë fikse dhe celulare Albtelecom është ankuar për devijimin e trafikut përmes praktikave të simbox (simbox janë paisje që modifikojnë numrat nga vijnë thirrjet dhe i trasmetojnë drejt rrjeteve të tjera dhe trasferon një thirrje ndërkombëtare në një thirrje kombëtare duke modifikuar CLI-command line interface). Devijimi i trafikut nga ndërkombëtare në kombëtar sjell në këtë mënyrë humbje për kompanitë.

 

Ankesa e Albtelecom

AKEP thotë në relacion se Albtelecom ankohet se “Trafiku nga praktikat sim box vijon ende në volume të konisderueshme nga “Vodafone Albania sh.a.” edhe për muajt Maj dhe Qershor 2018.  Gjithashtu, Albtelecom shprehet se se skuadrat anti-fraud vazhdojnë të raportojnë  rregullisht tek “Vodafone Albania sh.a.” për CLI-të e zbuluara nga ana tyre, por nga “Vodafone Albania sh.a.” nuk shohin të jetë marrë asnjë veprim konkret për parandalimin dhe ndalimin e kësaj praktike, ndërkohë që dëmi financiar nga aktiviteti i sim box-ve  vijon të thellohet për sipërmarrësin “Albtelecom sh.a”.

Si rrjedhojë, Albtelecom i ka kërkuar AKEP fillimin e hetimit administrativ dhe marrjen e masave konkrete për ndalimin e menjëhershëm dhe bllokimin e këtij lloj trafiku dhe marrjen e masave për parandalimin e përsëritjes së rasteve të ngjashme në të ardhmen, si dhe kompensimin financiar të humbjeve. Gjithashtu Albtelecom ka kërkuar dhe kompensim të dëmit financiar të trafikut  për “praktika simbox-i” të identifikuara, për trafikun e realizuar nga këto CLI drejt rrjetit ALBtelecom, për periudhen të pakten nga Janari 2016 e në vijim, për të cilën do të faturohet sipas natyrës reale të këtij trafiku, – trafik ndërkombëtar.

 

Mbrojtja e Vodafone

Vodafone nga ana e tij shprehet se se aktiviteti i Sim-box-ve është një fenomen i njohur botërisht dhe që ndodh tek të tre operatorët në treg. Ndalimi i ri-rrugezimit të paligjshëm të trafikut është një sfidë e përbashkët dhe objektiv që e ndajnë të gjithë operatorët në treg padallim, ndaj kanë qënë përherë të gatshëm për të çuar dhe më tej nivelin e bashkëpunimit për adresimin dhe zgjidhjen korrekte të këtij fenomeni. Sipas Vodafone aktiviteti i SIM Boxeve, kryhet nëpërmjet një skeme të caktuar pa dyshim,  pa dijeninë e operatorëve.

Vodafone, thuhet në relacionin e AKEP, ka sjellë në vëmëndje masat konkrete të ndërmarra prej tij me qëllim minimizimin e këtij trafiku, si më poshtë:

Janë dyfishuar numri i  testeve nga kompanitë e kontraktuara nga “Vodafone Albania sh.a.” për detektimin dhe monitorimin e trafikut ri-rrugëzuar në mënyre abuzive;

Është vendosur të hiqet nga tregu paketa për lidhje me vlerë 200 Leke duke ofruar tashmë në treg si paketën më të lirë atë me 500 Lekë. Paketa ditore, e cila është paketa më e përdorur nga numrat që kryejne këtë ri-rrugezim trafiku (80%), është ndryshuar nga 70 lekë në 100 lekë.

Janë shtuar rregulla strikte dhe penalitete në lidhje me regjistrimet me gabime, ku në fakt ky lloj aktiviteti gjen maskim (si mjet identifikimi përdoret vetëm numri personal ID në përputhje dhe me kërkesat e portabilitetit). Është ndryshuar politika tregtare në raport me komisionet duke rritur dhe vështirësuar kriteret që kualifikojnë pikat e shitjeve për të përfituar komisione. Konkretisht, në mënyre që të kualifikohesh për të përfituar komision duhet të aktivizosh një paketë me vlerë minimale 800 lekë, pra praktikisht në mënyrë që të përfitojnë nga komisionet pikat e shitjeve duhet të aktivizojnë vetëm paketa standarte mujore. Siç është shprehur dhe më sipër, personat që ushtrojnë aktivitet Sim boxi nuk aktivizojnë paketa mujore, por ditore. Kjo masë dekurajon pikat e shitjeve që të “implikohen” në ndonjë formë me këtë aktivitet;

Eshte kufizuar numri i kartave që jepen në përdorim për pajtimtar nga 20 në 5. Janë forcuar gjithashtu rregullat e verifikimit (vetting), duke konstatuar parregullsitë në regjistrim dhe ndaluar aktivizlmin e numrave. Në këtë kuadër, për çdo regjistrim gabim do të ketë penalitete financiare për kosto shtesë në lidhje me verifikimin. Konkretisht, janë paralajmëruar dhe më pas janë mbyllur pika shitje që janë konstatuaraktivizimi i numrave që kanë kryer aktivitet sim box (mbi 20 pika);

“Vodafone Albania sh.a.” vijon duke thëne se duhet mbajtur në vëmëndje se çdo ndërhyrje duhet të jetë e bazuar në evidenca të pakundërshtueshme që garantojnë se shkelja është kryer dhe se (duke ju referuar pretendimeve të “Albtelecom sh.a.”) trafiku i ri-rrugëzuar është domosdoshmërisht trafik ndërkombëtar, gjë që “Vodafone Albania sh.a.” nuk mund ta konfirmojë plotësisht kur bëhet fjale për CLI të modifikuar nga të tretet.

Në shkresën e dërguar AKEP, Vodafone ngre pretendimin se, AKEP në përputhje me parashikimet e Rregullores nr.18, datë 11.06.2010, si dhe duke marre parasysh që aktiviteti i SIM-box-eve nuk kryhet nga vetë operatorët dhe nuk ka një parashikim rregullator për adresimin e tij, nuk duhet ta kishte pranuar këtë kërkesë për fillimin e procedimit administrativ.

Reagimi i AKEP

AKEP bën të ditur se ka ngritur Komisionin e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjes (KZM), i cili vlerëson se AKEP ka kompetencë për të gjykuar për kërkesën për “Marrjen e masave konkrete për ndalimin e menjëhershëm dhe bllokimin e këtij lloj trafiku dhe marrjen e masave për parandalimin e përsëritjes së rasteve të ngjashme në të ardhmen”, por jo për kompensimin financiar të dëmit të trafikut.

Pasi ka analizuar situatën, AKEP ka vendosur Përfundimin e procedimit administrativ të filluar me VKD Nr.44, datë 19.6.2018 për “Fillimin e procedimit administrativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Albtelecom sh.a dhe Vodafone Albania sh.a”;

AKEP ka pranuar pjesërisht kërkesën e “Albtelecom sh.a” “Për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Albtelecom sh.a dhe Vodafone Albania sh.a”.

Vendimi përcakton gjithashtu që  Vodafone të marrë masat për sa parashikohet në këtë Vendim si dhe për minimizimin e mëtejshëm të trafikut të gjeneruar nga CLI brënda një afati prej 2 muajsh nga data e marrjes së këtij Vendimi.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here