Nga: Petrit KUÇANA

Duket si plotpërmbushëse në tollovinë e gjithçkathënies,  një foto e shkrepur në “pragun e derës së mëmëdheut”. Një avion i ndalur dhe (bashkë) atdhetarët që zbresin nën shiun e rrëmbyer të Tiranës në sfilitje drejt autobusit që të çon në aeroport.

Në Rinas nuk ka një mbulesë për shkallën zbritëse?

Mbetet më shumë se një mallkim Rinasi, i gjithëpranuar tashmë për çmimet që ofron e duket se lajmet për Rinasin kësaj here nuk kaluan aq tangent, por diçka u shpupuris, megjithëse edhe dritëza më e vogël e shpresës zë e përthyhet në mekanizmin e çeliktë të koncesioneve.

Duket se i vetmi “unur” që mund të ndezë eshkën e shpresën, mbetet cenimi që Rinasi u ka bërë atyre që duan të kalojnë pushimet jashtë, pasi emigrantët, (lexo parelinjtë) mbetkan të padurueshëm me ankesat e tyre.  Fjala e tyre, kërkesa  kaq normale pas pasjen e një aeroporti si çdo vend i rajonit, përhumbet në shurdh-memecë-rinë e organeve ligj-zbatuese.

Vazhdojnë ndërkohë “ardhjet me makina” nga qindra kilometra larg, duke kapluar male e fusha, me ditë e me netë, vajtje-ardhje, ashtu sikundër shumë mërgimtarë i ikin mallkimit të Rinasit nëpër aeroportet fqinjë.

Turizmi?

Shkrepësi i fotografisë është Skender Përpepaj, një sipërmarrës i suksesshëm shqiptar në Britani, që nuk ka mundur ta shijoje biletën “businessclass”, ashtu siç u ndie i pambrojtur nga “rrebeshi i motit të pamëshirshëm”, kur vendosi të investojë në Shqipëri, për t’iu përkushtuar investimeve në vende të tjera, pasi mëmëdheu nuk ishte i gatshëm për të, ashtu si për shumë e shumë investitorë të tjerë shqiptarë…

Shpërfillje?

Statistikat flasin për të paktën 40% të shqiptarëve të republikës që jetojnë  jashtë, e krejt shpërfillshëm ata vazhdojnë të mbeten jetimët e mëdhenj.

A është Rinasi një element që vërteton “jetimshmërinë” e emigrantëve?

Kush mund të mbrojë interesat e së paku 40% të shqiptarëve të Republikës? A mund të thuhet se shkohet deri në fajësim?

Mbetet terminologji e rrafshët, krejt e paskajuar, përciptësisht e pakapërdishme raportimet se emigrantët po e rëndojnë trafikun,  po i ngrenë çmimet, ata po e bëjnë të pamundur “bregdetin” për t’u frekuentuar… e lista vazhdon deri në shpërfillje totale.

Keni dëgjuar për ditët e diasporës që mbahen në Kosovë?

Në Shqipëri shpërfillshëm as që i vete kujt në mendje të organizojë qoftë edhe ndonjë gjë për jetimët  (40%), qoftë për të dalë në media se Diaspora është nën vëmendjen e vazhdueshme të qeverisë…

E shumëkush mund të kujtojë Samitin e Diasporës, një ide që rezultoi e ligësht.

Prej dy vitesh u bjerr e madje edhe një (grup) gjurmë në rrjetet sociale u venit deri në harresë.

Kaq shpërfillshëm shihen këto punët e diasporës, saqë mungon thuajse totalisht në fjalorin e përditshëm të politikës halleshumë të Tiranës.

Duhet theksuar se nga Ministri i Shtetit për diasporën çoç del nga një njoftim, nga ata zyrtarët që perceptohen shkresurina që stërpërsëriten e ku rrallë mund të gjendet ndonjë lajm që vërtet do të bëhet diçka, që të ketë një përqasje ndryshe.

Nuk është thjesht i paçmueshëm lajmi se do të jenë nja 15 të komanduar, pra që do të zgjidhen nga qeveria,  (nuk mund të gjendet asnjë hapësirë logjike për t’u quajtur përfaqësues) që në zhargonin e vjetër u bie të jenë komisarë që do u dalin për zot punëve të diasporës.

Thjesht nuk ngjet, pasi çdo e ashtuquajtur strategji për diasporën,  shpërlahet nën shiun e Rinasit, ashtu si ëndrrat e emigrantëve se aeroporti i vetëm i tokës amë me çmimet më të shtrenjta në rajon dhe më gjerë po ofruakan shërbime të papara që po e justifikuakan çmimin.

E diaspora duket se nuk mund të bzajë, pasi nuk ka ku, nuk ka përfaqësues, nuk ka të drejtë vote, është skajshmërisht e shpërfillur.

Nëse vihet re çdo njoftim nga Ministri i Diasporës (one man shoë)  kujdesshëm shkruhet që mos të duket si veprim i kryer si vendim i prerë, por lakohet në trajektoret e pezmit “se do të shikohet mundësitë”.

A e dini se ka edhe “Agjenci kombëtare për diasporën”?

Po shkresurinat  kanë qarkulluar dhe qarkullojnë, por hapat konkretë kushedi sa kohë do të duhet të duken, aq më tepër kur duhet një koordinim mes shtatë a tetë ministrive dhe disa agjencive që as nuk u është dëgjuar nami a nishani. E ripërsëriten strategjitë për diasporën, ngritjen e qendrave të kulturës nëpër botë, (ka të paktën 20 vjet që dëgjohet dhe ashtu mbetet shkresurinë në sirtarët politikë dhe diplomatikë)

Por ka një pikëpyetje që shtrohet jo aq vrullshëm?

A ka vullnet për këtë qasje ndaj Diasporës?

Keni dëgjuar që Ministri i Shtetit për Diasporën (përveçse kur është pyetur) apo kushdo institucion shtetëror, agjenci apo qoftë dikaster i çfarëdolloj dore qoftë, që “të lërë një nishan” në Rinas,  t’i kërkojë dikujt llogari, qoftë edhe sa për sy e faqe.

E shpresohet që Aeroporti i Kukësit të jetë një “çadër” që mund të zbusë sadopak çmimet katastrofike që ofron i vetmi aeroport.

Ka një gjysmë lajm akoma të konfirmuar për të thënë aty këtu se në Nëntor po u organizuaka Samiti i Diasporës. Akoma nuk ka as datë as detaje, por nga shumë nga ish pjesëmarrësit perceptohet se “shpjerë përpara” e idesë së  gruas së kryeministrit.

Së paku shpresohet se nuk do të jetë fyerje tjetër  për mërgimtarët që kanë humbur çdo shpresë se “diçka” do të bëhet për ta, se do t’i jepet fund shpërfilljes e “mërgata e qyqeve” nuk do të përcaktohet si shifër remitancash, e aq më tepër si problematikë që “nxjerrin dëngla”, por dinjitetshëm do të mund të paktën të kenë të drejtën e votës, pasi shqiptarët e Shqipërisë janë të vetmit në rajon dhe më gjerë që janë leçuar nga kjo e drejtë.

E kushedi sa gjëra të mira do të bëhen për mërgimtarët nëse vërtet e kanë seriozisht…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here