Nga Jorgo Mandili

E pohoi znj. Nikolla, para disa ditësh, në emisionin “Kjo Javë.  Se, gjatë punës së saj në këto pesë vite ka patur edhe momente ku ka dështuar si ministre, duke renditur përgatitjen e mësuesve, cilësinë e mësimdhënies dhe aftësitë e arsimtarëve për të merituar postin e drejtorit Nuk mund të themi : “Po”, ky është drejtori që do të sjellë një frymë të re për shkollën”. Të deklarosh se ke dështuar në përgatitjen e mësuesve, në mësimdhënie dhe në drejtimin e shkollës, këto nuk janë “momente”, por kapitullim në arsimin parauniversitar. Se, çfarë elementësh të tjerë ka një shkolle kur nuk ka mësues për të qenë, mësimdhënie cilësore dhe menaxhim me një “frymë të re”? Rojet, pastruesit dhe laborantët?Është një deklaratë ndoshta pa dashje, por realiste dhe e “sinqertë” Prandaj edhe ne duam t’i bëjmë zonjës ministre një pyetje të sinqertë :mirë drejtorët dhe mësuesit nuk po sjellin frymë të re në shkollë, por a jeni ju ajo ministre, që do të sillnit ” frymën e re “, nëpërmjet rilindjes?. Përgjigjen për fat të mirë apo të keq,e jepni vetë :” Jo! Nuk jam unë ajo ministre sepse unë kam dështuar!

Është e vërtetë, siç pohoni ju se keni dështuar në sistemin parauniversitar. Dhe kjo është gjysma e së keqes. Por ju keni dështuar edhe në sistemin universitar. Sepse keni dështuar me ligjin e arsimit të lartë, shumë i debatueshëm dhe ende i pa implementueshëm, që i ka lënë universitetet rrugëve. Ju dështuat në përzgjedhjen e lidershipit akademik dhe shkencor nëpërmjet një ligji “putinist”, ku rektorëve iu dha mundësia të bëheshin dekanë dhe anasjelltas. Ju keni dështuar në pranimet universitare duke i detyruar maturantët të vazhdojnë studimet universitare pavarësisht se janë të interesuar apo të motivuar për to. I rropatët të gjorët me raundet dhe fazat për t’u regjistruar në universitet? Ju keni dështuar në reformimin e universiteteve duke mos pasur asnjë strategji për reformimin e tyre bazë kritereve demografike dhe standarteve akademiko shkencore euroatlantike. Mbyllët në mënyrë selektive disa universitete private dhe latë të lirë disa të tjerë, kur dihej prej të gjithëve se të gjitha universitetet private ishin dhe mbeten rrjepore të familjeve shqiptare, pavarësisht letrave se kush i ka më të “puthitura” Për të mbuluar këtë dështim përdorët një agjenci akreditimi si “gjethe fiku” për të larë duart si Ponc Pilati, e cila dha konkluzione absurde, duke akredituar universitetet private që ende janë në “fazën foshnjore” të arsimit të lartë.

Pra në tërësinë e drejtimit tuaj 5 vjeçar ju keni dështuar jo vetëm në sistemin parauniversitar që nuk keni mësues e drejtorë e mësimdhënie cilësore që të sjellin frymën e re,, por edhe në sistemin universitar.Në se unë gabohem në këtë përfundim, atëherë unë ju pyes :Mirë drejtorë nuk keni që të sjellë frymën e re në shkollë, por a keni ndonjë rektor që ju mund të thoni :Po! Ky rektor është ai që po fut “frymën e re” në Universitetin e tij! Na thoni cili është ai Universitet i tillë, që të dërgojmë nipërit dhe mbesat tona, sepse jemi në hall te madh. Nuk kemi para si ju dhe të ngjashmit tuaj t’i dërgojmë jashtë vendit për studime. Na mbytën reklamat me universitete “ekselentë”, “lider në arsimin e lartë”, “stafe të kualifikuar të njohur ndërkombëtarisht” etj etj të këtij lloji sikur nuk jetojmë në Shqipëri dhe nuk e dimë se çfarë bëhet me universitete privatë dhe publikë. E keni detyrim publik dhe moral për taksapaguesit shqiptarë që t’u tregoni të vërtetën për “xhunglën” e universiteteve dhe shkollave private. Korrupsioni, nepotizmi, abuzivizmi po u merr frymën universiteteve dhe shkollave duke i kthyer ato në “vrima të zeza” të dijes dhe qytetarisë . Kjo është Rilindja e Arsimit?

Jo zonja ministre kjo nuk është rilindje, filozofi dhe alternativë.!Ju po të ishit një politikane e përgjegjshme dhe e përkushtuar dhe forca politike që përfaqësoni, duhej të hidhnit themelet e një Arsimi të Ri, të Lirë dhe Demokratik duke e menaxhuar të ardhmen e gjeneratës së re me politika vizionare, strategji të qarta dhe platforma konkrete jo vetëm për arsimin, por edhe për kërkimin.Mbi të gjitha, në dallim nga paraardhësit, si përfaqësuese e rilindjes duhej të kuptoje se sistemi i vjetër arsimor duhej shëmbur nga themelet në filozofi, metodologji dhe në praktikë dhe në vend të tij duhej të ngrihej një sistem i ri me filozofi dhe frymë të re, me institucione të reja, me shkollë të re dhe universitet të ri, në organizim dhe përmbajtje që të merrte parasysh interesat, ekuilibrat dhe perspektivën e shoqërisë së re demokratike. Çdo të thotë kjo? Do të thotë t’a shkatërrosh atë edukim, që bazohet ende tek autoritarizmi fiktiv, frika, dhuna, nënshtrimi,si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit e drejtorët. Kjo” njollë murtaje e qytetërimit” ishte “emergjencë kombëtare” dhe duhej hequr me shpejtësinë më të madhe. Produkti më i keq i tij janë shtetas të nënshtruar, sharlatanë me diplomë, servilë të regjimit, individë pa identitet individual dhe mendor.Ky ishte mëkati më i madh i shkollës sonë, që lanë paraardhësit tuaj. . E dhimbshme por e vërtetë për gjithë sistemin tonë arsimor! Kjo” frymë e vjetër “duhej shëmbur dhe në vend të saj duhej instaluar “fryma e re”, e cila e koncepton edukimin,së pari, si instrument për të përshtatur gjeneratat e reja me ndryshimet e shpejta të shoqërisë globale si edhe për integrimin e tyre me logjikën e sistemit shoqëror përkatës duke sjellë një konformitet me të;së dyti, edhe si një praktikë të lirisë, ku individi të veprojë në mënyrë kritike me realitetin dhe të zbulojë rrugë si të marrë pjesë aktive në transformimin e botës. Është ky konceptualizim i lidhur me thelbin apo modelin e arsimit të ri që çon në kontekstualizimin e tij lidhur me mjeshtërinë e dizajnimit të reformave arsimore,që nëpërmjet një menaxhimi të lidhur me besimin, përkushtimshmërinë dhe përgjegjshmërinë publike realizon në praktikë synimin strategjik të reformës arsimore demokratike : Arsim i lirë për individ të lirë, çlirimi energjive të të cilëve do të krijojë sinergjinë për ndërtimin e një shoqërie të re demokratike. Pikërisht në këtë qasje, ju keni dështuar. Ndoshta ju nuk e kuptoni se çfarë drame i keni krijuar brezit të ri që ende vazhdon të studiojë në një shkollë që nuk edukon qytetarë të lirë dhe të pavarur, por servilë të regjimit dhe individë potencialisht të predispozuar për t’u turmëzuar dhe për t’u sakrifikuar për prijsin e radhës. Dramë njëkohësisht edhe fatkeqësi për gjeneratën e re. Ky është dështimi më i madh dhe i vërtetë i juaji dhe i forcës politike që ju përfaqësoni. Neqoftese duhen qytetarë të formuar me normat dhe standartet e demokracisë e të së drejtës të cilët e konsiderojnë shërbimin e tyre për shoqërinë si problemin më madhor të jetës së tyre, atëherë duhet një edukim i bazuar në lirinë e veprimeve dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj vetvetes. Ky edukim është më i përsosuri dhe ka përparësi absolute ndaj edukimit të bazuar në  nënshtrimin , autoritetin fiktiv apo egoizmin.Nëqoftëse klasa politike dhe qeveritë tona nuk do t’a trajtojnë me këtë vizion intelektual, me përgjegjshmëri patriotike dhe me vullnet politik ne do të mbetemi, siç dhe jemi, si një shekull më parë.Jepuni liri mësuesve, por kërkojuni dhe llogari dhe i vini përpara përgjegjësisë personale për punën e kryer! Si mund të arrihet kjo? Vetëm në një shkollë liberale, ku mësuesit t’i jepet liri për zgjedhjen e materialit mësimor dhe metodave mësimor. Prandaj ” decentralizimi i sistemit arsimor dhe liria e gjerë e ofruar nga pedagogët në përzgjedhjen e materialit mësimor dhe tek metodat mësimore, mund t’a bëjnë punën e tyre dhe të nxënësve, të vetëdijshme dhe të gëzueshme….. Me asnjë lloj rregulloreje nuk mund të arrihet kjo, sepse njeriu nuk është makinë. Kur nuk lihet i lirë të mendojë dhe punojë,ai vdes.(Ajnshtajn) Pra liria në përzgjedhjen e materialit mësimor dhe metodës mësimore nxit etjen për dije, pa të cilën ajo do të shuhet në mënyrë të pashmangshme. Jo vetëm liri, por edhe monitorimi periodik dhe i vazhdueshëm për të evidentuar përgjegjësitë e secilit në realizimin e detyrave të lëna është e vetmja rrugë për një shkollë demokratike. Ja pra krijimi i një shkolle të tillë demokratike është një nga sfidat reale të reformës arsimore dhe sëbashku me këtë edhe përgatitja e mësuesit në një shkollë të tillë. Është mëkat dhe humbje kohe të merresh me provime e rankime mësuesish, me portale, rregullore, formularë e udhëzimesh burokratike që u marrin kohën dhe frymën mësuesve. Mësuesit janë asete kombëtare dhe si të tillë ata nuk mund të trajtohen si subjekte biznesi dhe elektorati. Vetëm në një shkollë demokratike me një program të integruar (si shumë vende në Europë dhe veçanërisht në Amerikë) dhe jo si deri tani që përgatiten pjesë – pjesë (bachelor, master profesional, kualifikim, provim, stazh etj pa përmbajtje dhe kohezion midis tyre) mund të edukohen mësues me perfomancë të lartë profesionale dhe morale, që të garantojnë edukimin e qytetarëve të lirë dhe të dobishëm për shoqërinë demokratike. Kjo është qasja e arsimit sot në botën akademike të vendeve të zhvilluara dhe shumë të zhvilluara të Evropës, që ka mbi 50 vjet që promovon një filozofi të re edukimi, orientimi strategjik i së cilës është jo arsimi si riprodhim i një brezi sharlatanësh me diplomë e servilë të regjimit, jo arsimi si riprodhim i një shoqërie të korruptuar e konfliktuale. Por, arsimi si institucioni që gjeneron inteligjencë dhe qytetari. Arsimi, si institucioni në funksion të zhvillimit, i aftë të kapë ligjet që drejtojnë zhvillimin e shoqërisë në përputhje me ndryshimet e shpejta të saj dhe të parashikojë skemat e përballimit me sukses të sfidave që i dalin para . Në këtë kontekst, arsimi nuk është një grumbull mbeturinash projektesh e reformash që kanë arritur pikën e vdekjes , por një projekt inteligjent për integrimin e individëve në realitetin shoqëror – historik , duke pasur parasysh interesat, ekuilibrat dhe perspektivën e shoqërisë. Këto qasje nuk janë dëshira subjektive të ndonjë formacioni politik, as të formuluara nga ndonjë komision “ad hock”,por domosdoshmëri objektive e pasqyrimit në arsim të ndryshimeve të shpejta që po ndodhin në shoqëri shkencë,teknologji, ekonomi e kulturë. Në përfundim mund të themi se çelësi i suksesit të një projekti për një gjeneratë të re është Vizioni , Kuptimi, Kontekstualizimi dhe mbi të gjitha Menaxhimi për domosdoshmërinë e një arsimi të ri, misioni i të cilit është sigurimi i lirisë dhe pavarësisë së individit për zhvillimin e vetvetes, përshtatja e tij me kohën në të cilën ai jeton.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here