Nga Aleko Dhima

-Me rastin e 60 vjetorit të ndarjes së tij nga jeta-

Aleko Dhima-Boston

Në historinë e re të kishës shqiptare, një vend të rëndësishëm ze edhe figura e klerikut patriot, Kristofor Kissi. Ky bir i Beratit të lashtë, u ndodh në krye të kishës në çastin kulmor të autoqefalisë. Me përpjekjet e tij dhe klerikëve të tjerë patriotë, bëri që të arrihet marveshja me Patriakanën Ekuimenike për sanksionimin e autoqefalisë më 12 prill të vitit 1937. I edukuar nga një familje e thjeshtë besimtare, u përkushtua qysh i ri ndaj kishës orthodokse . Ai kreu shkollën Teologjike të Halkit në vitin 1908. Kjo kishë ndodhet edhe sot por e mbyllur, në një ishull të vogël afër Kostandinopojës. Pas mbarimit të saj me rezultate të shkëlqyera, u emërua peshkop në një dioqezë të Kostandinopojës ku shërbeu për shtatë vjet. Këtë detyrë e la për të shërbyer në atdhe , në fillim si peshkop i Beratit dhe pastaj në vitin 1936 u emërua si kryepeshkop i Kishës Orthodokse Shqiptare. Me hipjen e tij në këtë fron, iu kushtua zgjidhjes së problemeve të lidhura me organizimin e hiearkisë së kishave orthodokse , duke hapur një periudhë konsolidimi dhe zhvillimi të vlerave të orthodoksisë.

Klerikut patriot, Kristofor Kissi.

Harmonizimi i kërkesave shpirtërore kristiane me ato kombëtare, ka qënë një kujdes i veçantë i këtij jerarku dhe intelektuali të shquar. Riorganizimi i seminarit ekzistues, shtimi i botimeve dhe nxjerrja e një organi mujor me nivel, qenë reflektimet dhe udhëzimet e tij të para. Por, vitet e drejtimit të tij, kanë koinciduar me një periudhë të vështirë të vendit. Pushtimet e huaja, luftrat dhe më në fund regjimi komunist, kërkonin një zemër të fortë për t’i përballuar. Kissi u tha “jo” planeve antikanonike të regjimit dhe provë për këtë është mënjanimi brutal që i bënë në vitin 1948.
Siç dihet, më 30 korrik të vitit 1919, Fan Noli shpalli autoqefalinë e Kishës Orthodokse Shqiptare të Amerikës, por nuk ishte shpallur kjo në Shqipëri. Përpjekjet për autoqefalinë e Kishës Orthodokse të Shqipërisë, zunë fill zyrtarisht në vitin 1922 , në Kongresin Panorthodoks të Beratit, ku u shpall në mënyrë të njëanëshme mëvetësia e saj. Njohja do të vinte pas 15 vjetësh, në vitin 1937, pas negociatash komplekse që përfshinë edhe politikanët më të lartë të shtetit shqiptar, siç ishte edhe Ahmet Zogu. Për këtë kryepeshkop Kissi shkoi vetë në Stamboll dhe nënëshkroi marveshjen me Patriakanën Ekuimenike. Nga kjo kohë, kishës iu njoh e drejta për të vetëadministruar çështjet e organizimit të brëndëshëm, të liturgjisë në shqip dhe veprimtaritë e tjera fetare. Pas kësaj njohjeje, kisha orothodokse shqiptare u njoh edhe nga patriakanat dhe kishat e tjera orthodokse autoqefale të botës. Atëherë kryepeshkopi Kristofor Kissi shkroi:” Kisha jonë orhodokse duhet të bëhet faktor i zhvillimit të vendit, predikonjëse e patriotizmit dhe e moralit, gjë të cilën feja orthodokse e ka ndër parimet e saj themelore”.
Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, kisha orthodokse ndodhej në shumë vështirësi. Krahas të tjerave edhe brenda vetë kishës, kishte konflikte midis hierarkisë së lartë dhe klerit. Në këtë kuadër kishte simpati por edhe antipati e armiqësi kundër Kristoforit. Gjatë viteve të luftës edhe britanikët e përshkruanin si njeri të drojtur, egoist dhe të shitur te komunistët. Para luftës, u kthyen në Shqipëri dhe iu bashkëngjitën kishës orthodokse disa teologë të rinj të cilët në vitin 1945, krijuan “Lidhjen e Teologëve dhe Seminaristëve”. Këta ishin arsimuar në Rumani, Greqi e Jugosllavi. Kjo ishte sfida më e madhe që i erdhi nga brenda kishës edhe kryepeshkopit. Grupin e kryesonte Theofan Popa. Aty bënin pjesë Irene Banushi, Dhimitër Beduli, Vlash Semini, etj. Ky grup i shpalli një luftë të hapur kryepshkopit. Ata u frymëzuan nga lëvizjet fetare brenda orthodoksisë ballkanike. Me urtësinë e tij dhe me besimin tek Zoti, Kristofor Kissi, ariti t’i sheshojë mosmarëveshjet e të afrojë teologët e rinj. Gjithashtu ai arriti të bindë Sinodhin për të njohur Lidhjen e Teologëve të Rinj, me kusht që ata të respektonin kryesinë e kishës. Teologët iu përgjigjën pozitivisht dhe plotësuan kushtet e Sinodhit. I pari që u bashkua me kryepeshkopin, ishte episkop Irineu, i cili për veprimet e tij në mbrojtje të kishës, u burgos dhe më pas u internua në manastirin e Ardenicës. Pas eiskop Irineut, u bashkuan me Kristoforin edhe teologë të tjerë të rinj si Dhimitër Beduli, Theofan Popa, etj. Për të mbrojtur kishën, Kristofor Kissit iu desh të gjente gjuhën edhe me Zogun e autoritetet pushtuese italiane e gjermane. Ai nuk u bë vegël e autoriteteve poitike dhe qëndroi larg marveshjeve që mund të dëmtonin Kishën Orthodokse Autoqefale Shqiptare. Gjithashtu nuk pranoi kërkesën e autoriteteve gjermane për të dënuar Luftën Nacionalçlirimtare. Për këtë u arrestua dhe u mbajt në burg për pak kohë nga trupat gjermane në Tiranë. Duhet theksuar se Kristofor Kissi, nuk ishte vetëm një teolog i zoti, por edhe një kimist i shquar. Ai kishte ngritur një laborator kimie të kompletuar, nga më të mirët e kohës. Laboratori u shkatërua gjatë luftës kur u dogj edhe mitropolia. Megjithë kontributin e tij të madh, regjimi komunist nuk e vlerësoi, përkundrazi, e denigroi. Në vitin 1948 e spostojnë jo vetëm si kryepeshkop por edhe nga çdo funksion tjetër i thjeshtë kleriku. E internojnë në fillim në manastirin e Nartës, më pas në atë të Ardenicës dhe së fundi në një dhomë të izoluar në bodrum, tek aneksi i kishës së Shën Prokopit në Tiranë. Në vend të Kristofor Kissit, qeveria solli Pais Vodicën, një prift nga Kolonja e që kishte qenë partisan.
Kryepeshkop Kristoforin e kam njohur nga afër qysh nga viti 1944, kur ndihmoja si altarboi në ajodhimë, në kishën e Vangjelizmoit në qendër të Tiranës. Kam qënë afër tij deri më 16 qershor të vitit 1958, kur ai ndrroi jetë. Gjatë gjithë kësaj kohe, kam vënë re tek ai thjeshtësinë, urtësinë, komunikimin me të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, dashurinë , respektin dhe durimin, cilësi këto që e dallonin nga klerikë të tjerë. Në ceremoninë e varrimit të tij, morën pjesë shumë besimtarë orthodoksë. Mes tyre kishte edhe myslimanë. Ceremonia e varrimit u kryesua nga vetë kryetari i kishës, Pais Vodica, i ndihmuar edhe nga episkop Sofroni si dhe famulltarë të Tiranës. Fjalën e rastit e mbajti sekretari i Sinodhit të Shënjtë, Niko Cane, i cili vuri në dukje virtutet e larta të të ndjerit si urtësinë, ndershmërinë, kulturën e gjerë dhe patriotizmin e tij.
Në vitet e demokracisë një rruge në Tiranë, në zonëne Yzberishit, iu vu emri I tij. Le të jenë këto rradhë një homazh për kryepeshkopin e Shqipërisë, Kristofor Kissi, në 60 vjetorin e ndarjes nga jeta.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here