Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e hyrjes së katërt për në kryeqytet dhe bëhet fjalë konkretisht për segmentin rrugor nga mbikalimi i Shkollës Teknologjike deri në Kombinat. Kryebashkiaku, Erion Veliaj, inspektoi punimet që po kryen në këtë aks, ndërsa theksoi se Tirana do të ketë një tjetër hyrje dinjitoze, me standarde dhe korsi të dedikuara për biçikletat.

Jam jashtëzakonisht i kënaqur që teksa një pjesë e madhe e Tiranës ka nisur pushimet, vlon puna në ato zona ku, prej lehtësimit të trafikut, mund të punojmë më shpejt. Ka qenë një stinë shumë e vështirë për kryerjen e punëve publike në Tiranë për shkak të shirave. Nëse vjet kishim thatësirë të gjatë, këtë vit kemi pasur mot jashtëzakonisht të vështirë. Megjithatë, po maksimizojmë ditët pa shi dhe faktin që njerëzit janë me pushime, që t’i japim Tiranës një hyrje të re moderne”, tha Veliaj.

Ndërkohë, Veliaj shtoi se krahas aksit kryesor, po vijojnë punimet edhe në rrugët dytësore, për një rrjet të plotë të rrugëve të asfaltuara në zonë.

“Kemi aksin kryesor, por po punojmë në të dy anët, edhe nga “Misto Mame”, edhe nga “Musine Kokalari”. Po shtrijmë investimin në nivel kapilar deri te pragu i shtëpisë, investime që nuk e kishin prekur Kombinatin prej vitesh. Por, kjo kërkon mirëmbajtje; teksa mbarojmë aksin kryesor me dy xhepat anësorë, vijojmë në nivel kapilar në zonat ku qeveria ka ecur me legalizimin. Duke ecur bashkë, fillimisht legalizim, pastaj urbanizim, mund të bëjmë çdo qytetar të zonave informale përreth Kombinatit të ndjehet njësoj ‘tirons’ si kushdo tjetër që e ka shtëpinë buzë rrugës së Kombinatit apo në Bllok”, u shpreh ai.

Ai theksoi se ky investim do t’u vijë në ndihmë jo vetëm banorëve të Njësisë 6, por edhe automjeteve që vijnë nga jugu apo perëndimi, që do të përdorin rrugën nacionale nga Ndroqi, e cila gjithashtu do të rikonstruktohet.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here