Raporti i Komisionit Europian për zhvillimet ekonomike në vendet anëtare ka bërë një vlerësim pozitiv për Shqipërinë. Sipas raportit eksportet në vendin tonë janë rritur me 18.3%. Këtë shifër e ka risjellë në vëmendje Ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj në Parlament.

“Kompanitë shqiptare kanë mundur të eksportojnë jo vetëm në rajon, por edhe në Bashkimin Europian. Rritja e eksporteve tregon se ekonomia shqiptare ka rritur konkurrueshmërinë dhe është 18.3%”, tha Ahmetaj.

Në tremujorin e parë të vitit 2018, duket se borxhi publik është ulur në 69%. Ahmetaj, duke ndarë me publikun këtë të dhënë, ka premtuar se deri në fund të vitit borxhi publik do të ulet në 68%.

“Borxhi publik është në ulje dhe Komisioni thotë që borxhi publik ka rënë nga viti në vit dhe po shkon në tremujorin e parë të 2018-ës në 69%. Mos harroni, me premtim, që në fund të vitit do të jetë nën 68% dhe do vazhdojë ndër vite konsolidimi fiskal deri në fund të këtij mandati, 60-63% për ta shëndoshur përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme dhe këtë pjesë të financave publike”, u shpreh ministri.

Sipas Ministrit Ahmetaj, raporti vlerëson gjithashtu përmirësimin e tregut të punës si dhe rritjen e ekonomisë në 4.45% si rezultat i konsumit dhe i investimeve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here