Maksim Sinemati

 

Një raport i specializuar, i  përgatitur enkas dhe i publilkuar kohët e fundit nga Banka Botërore, përmban dy prognoza, më saktë dy parashikime: një optimist, sipas të cilit ne, ballkanasit, do të arrijmë që të jetojmë si evropianë mbas “vetëm” 50 vitesh dhe një tjetër – pesimist, madje, mëse pesimist, sipas të cilit neve do të na duhen edhe 200 vite të tjerë që ne t’i arrijmë evropianët!

Shteteve të Ballkanit Perëndimor do t’u duhen 50-60 vite që të arrijnë standardin ose nivelin e jetesës së vendeve të BE-së, vihet në në dukje në një raport të Komitetit britanik të Punëve të Jashtme që u publikua, pikërisht, në prag të Samitit që u mbajt së fundmi në Londër. Perspektiva e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, kur bëhet fjalë për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian, në raportin e lartpërmendur, ç’është e vërtetë, është shumë e errët dhe, midis pengesave të shumta, krahas stanjacionit (amullisë) kronik ekonomik, përmenden edhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme dypalëshe dhe konfliktet e hërëpashershme ndëretnike.

“Ballkani Perëndior, mbas konflikteve të përgjakshëm të fillimviteve 1990, ka kapërcyer dhe ka kaluar mjaft pengesa, duke zgjidhur madje edhe probleme të mëdha, por që, nga ajo kohë, pak lajme të mira vijnë që nga ai rajon që vazhdon të jetë i mbarsur me njënumër jo të vogël problemesh dhe çështjesh. Ka kohë, kur këto probleme keqësohen, ndërkohë që elitat lokale kanë interes që ta ruajnë gjendjen e statukuosë”, vihet në dukje në dokumentin e Komitetit britanik të lartpërmendur. Ky dokument përmban vlerësime dramatike se Ballkani Perëndimor vetëm mbas 50 ose 60 vitesh do të mund ta arrijë standardin e jetesës së Bashkimit Evropian dhe, ç’është e vërteta, pavarësisht se është për të ardhur keq, me këtë konstatim jo shumë “optimist” janë dakord shumë ekspertë dhe politologë që i konsiderojnë këto vlerësime si reale.

Sidoqoftë, ka edhe disa vlerësime të tjera, një palë, po i quajmë optimiste dhe një palë të tjera – pesimiste dhe të mos themi shumë pesimiste. Kështu, një raport i specializuar i fundit qëështë përgatitur nga Banka Botërore, përmban dy prognoza, njëra – optimiste, sipas së cilës ne do të jetojmë si evropianë “vetëm” mbas 40 vitesh dhe një shumë pesimiste, sipas së cilës kjo do të ndodhë mbas 200 vitesh!

Sidoqoftë, nuk janë të pakët edhe ata ekspertë dhe politologë që thonë se ende ka hapësirë për një optimizëm më të madh. Në qoftë se vendet e Ballkanit Perëndimor do tëndërmarrin disa hapa konkretë, sidomos, nëse do tëarrijnë një rritje të GDP-së (Prodhimit të Brendshëm të Përgjithshëm) vjetore prej 5 (pesë) për qindësh, atëherë,  vendet ballkanoperëndimorë do të mund të shpresojnë me realizëm se do ta arrijnë nivelin e vendeve të BE-së mbas 25 vitesh. Por, që të ndodhë kjo, do të duhen investime të mëdha dhe një sistem juridik efikas.

Në raportin e sipërpërmendur të Komitetit britanik të Punëve të Jashtme konstatohet se vetëm para më pak se 25 vitesh në Ballkanin Perëndimor ka pasur luftra dhe se në territoret e tij ka qenë e pranishme dhuna kundër civilëve, madje, e paparë që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Sidoqoftë, në këtë dokument vihet në dukjo popullariteti i madh që ka në disa vende të Ballkanit Perëndimor ideja e shtrirjes së BE-së drejt Ballkanit, por nuk mendojnë kështu, në përgjithësi, qytetarët e shteteve-anëtare të BE-së.

Drejtori i agjencisë “Evropa e Re” në Kembrixh, Timoti Les, vë në dukje se 39 për qind të qyretarëve të këtyre vendeve e mbështesin pranimin e vendeve të reja, në rastin konkret, të atyre të Ballkanit Perëndimor, por 49 për qind të tyre janë kundër. “Duke gjykuar nga kushtet e tanishme, Ballkanit Perëndimor do t’u duhen dhjetëvjeçarë që të hyjnë në BE”, thekson Lesi.

Megjithatë, ekspertët dhe njohësit e mirë të rrethanave ballkanike vënë në dukje se vendet e Ballkanit Perëndimor jo vetëm që nuk duhet të heqin dorë nga reformat, por duhet që t’i zbatojnë ato sa më në thellësiesa më shpejt dhe se data, pra viti i përcaktuar 2025, kur do të duhet që të përfundojnë reformat, në radhë të parë në favor të qytetarëve të këtyre vendeve, është realiste.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here