Më datë 17 korrik 2018, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar të kryesuar nga  Jan Kees Martijn, Shefi i ri Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, në ambientet e Bankës së Shqipërisë.

Duke u ndalur tek zhvillimet financiare në vend, Guvernatori Sejko theksoi se sistemi bankar shqiptar karakterizohet nga norma të larta likuiditeti dhe është i mirëkapitalizuar.

Guvernatori i kushtoi rëndësi të veçantë masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen dhe garantimin e stabilitetit të çmimeve në vend. Në këtë kontekst, ai njohu të pranishmit me vendimet e Bankës së Shqipërisë për inflacionin dhe kursin e këmbimit, ku theksoi se ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor ka dhënë efekte pozitive dhe është pritur pozitivisht nga agjentët e tregut.

Ruajtja e nivelit të inflacionit në 3% mbetet objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë dhe, në këtë drejtim, Guvernatori Sejko u shpreh se, sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, inflacioni pritet të kthehet në objektiv brenda vitit 2020. Banka e Shqipërisë po ndjek një politikë monetare lehtësuese e cila është transmetuar pozitivisht në tregje financiare.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here