Të gjitha familjet bujqësore që kanë marrë tokë në vitin 1991 me ligjin 7510 do të marrin tapitë. Personat që zotërojnë titujt e pronësisë dhe Aktet e Marrjes së Tokës në Përdorim, të fituara me ligjin për tokën bujqësore do të verifikohen nga komisionet vendore pranë njësive të qeverisjes vendore. Komisionet vendore do të verifikojnë nëse sipërfaqja e tokës, e dhënë në korrik të vitit 1991 është në përputhje me gjendjen familjare në atë moment dhe nëse dokumenti është lëshuar sipas rregullave dmth., nëse janë të rregullta firmat dhe vula. Më pas titujt e rregullt do të regjistrohen në hipotekë.

Titujt e pronësisë ose aktet e përdorimit, të dhëna me ligjin 7501, sipas të cilit është ndarë toka bujqësore në korrik të vitit 1991 verifikohen nga komisionet vendore. Akti i marrjes së tokës në pronësi, ose akti marrjes së tokës në përdorim për rastet kur nuk është marrë tapia do të verifikohet, pasi mund të mungojnë firma ose vula në këto dokumente. Komisionet vendore do të shqyrtojnë rastet jo vetëm për vlefshmërinë ligjore të aktit, por edhe normën e sipërfaqes për frymë që ka përfituar familja bujqësore në momentin që është ndarë toka. Do të verifikohet nëse sipërfaqja e përfituar është konform ligjit 7501 dhe a është në përputhje me sipërfaqen e përfituar gjendja familjare në momentin e përfitimit të tokës bujqësore. Të gjitha familjet që kanë përfituar tokë me ligjin 7501 dhe kanë Aktin e Marrjes së Tokës në Përdorim duhet të bëjnë kërkesë pranë njësive të qeverisjes vendore për të marrë titullin e pronësisë, tapinë. Njësia e qeverisjes vendore bën verifikimin dhe më pas dosja kalon në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, bëhet vetëm regjistrimi.

Regjistrimi i pronave në zonat rurale do të kryhet përmes portalit “e-Albania” dhe ka një kosto prej 30 mijë lekësh. Në të njëjtën portal mund të aplikojnë për certifikatën e pronësisë edhe personat që kanë marrë toke bujqësore me ligjin 7501, por duhet të dërgojnë nëntë dokumente. Shërbimi elektronik për regjistrimin e pronave në zonat rurale u vjen në ndihmë qytetarëve që të dërgojnë një aplikim për regjistrim fillestar të veçantë të pasurive të paluajtshme në zonat rurale përsa kohë zona nuk është përfshirë në këtë proces. Pas dërgimit të aplikimit drejt Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ai do të procesohet nga specialisti i ZRPP-së dhe në varësi të informacionit, kthimi i përgjigjes dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet informimit me e-mail, dërgimit të përgjigjes elektronike tek “Dokumentet e mia” në profilin e qytetarit në “e-Albania”, si dhe me shërbim postar, nëse qytetari kërkon përgjigjen në format letër. Kërkesa për kryerjen e një shërbimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), në zbatim të Ligjit Nr. 33/2012 bëhet nga kërkuesi, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, noteri apo asistenti i noterit.

Pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme funksionon Regjistri Elektronik i përpunimit të kërkesave, i cili garanton trajtimin e praktikave sipas radhës së paraqitjes së kërkesave. Minimalisht, në regjistër regjistrohen numri i kërkesës, data e paraqitjes dhe data e përfundimit të afatit për trajtim, sipas rendit kronologjik. Kërkuesi, që paraqet një kërkesë për kryerjen e një shërbimi nga ZRPP-ja, pajiset me një numër identifikimi të kërkesës dhe Kodin e Sigurisë, me anë të të cilëve mund të verifikojë gjendjen e trajtimit të kërkesës së tij. Kthimi i përgjigjes elektronike dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet dërgimit tek “Dokumentet e mia” në “e-Albania” dhe informimit me e-mail për shkarkimin e përgjigjes elektronike. Gjithashtu, nëse qytetari dëshiron përgjigjen në format letër, e merr nëpërmjet shërbimit postar. Çdo tarifë për shërbimin në ZRPP paguhet në llogarinë bankare të Zyrës së Regjistrimit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here