Nga Artan Fuga

Pas netëve me tërmete të rrezikshme, konfliktit që ka shpërthyer për ndërtesën e Teatrit Kombëtar, për qendrën historike të Tiranës, betonizimin që po ha kulturën, etj., lexues, miq në rrjete sociale, të njohur e të panjohur, studentë, kalimtarë në rrugë, me shumë dashamirësi dhe përgjegjshmëri kërkojnë mendimin dhe qendrimin tim si studjues :

Çfarë po ndodh me qytetin?

Me përgjegjësi u deklaroj se unë e kam bërë punën time. Qysh në vitin 2012, kam botuar librin “RËNIA E QYTETIT” te shtëpia botuese PAPIRUS.

Papirus më njofton sot, pas interesimit tim, se disa kopje kanë mbetur ende te LIBRARIA E LIBRIT UNIVERSITAR në Tiranë, si edhe te Librari ADRION te Pallati i Kulturës Tiranë, etj.

Te ky libër që mori nga juria çmimin e Panairit Tirana 2012, unë qysh atëhere, pra kur qeveria dhe Bashkia e Tiranës kishin ngjyra të tjera politike, në mënyrë krejt objektive, kisha qëllimin t’u jepja përgjigje pyetjeve që sot kanë riardhur në vëmendje të qytetarit që tronditet nga tërmeti për fatet e jetës së tij, tronditet edhe nga arbitrariteti që shemb ndërtesa kulture, kujtese historike, pret pemë, betonizon dhe qytetari nuk di ku të fusi kokën.

Nga njera anë tërmeti, nga ana tjeetër arbitrariteti.

Kush dëshiron, te libri “RËNIA E QYTETIT”, do të gjejë gjithçka kam arsyetuar qysh përpara disa vitesh për përkeqësimin e situatës urbane në Tiranë dhe si mund të dilet që andej për t’u shpëtuar sëmundjeve që sjell kriza urbane, evituar dëmet e dukurive shkatërrimtare të natyrës që në fakt nuk janë të saj, por të politikës.

POLITIKA I SHKAKTON TERMETET NË KUPTIMIN E MIRËFILLTË TË FJALËS.

Pse sulmohet pikërisht zona historike e qytetit?
Cfarë lidhje ka bashkia me lobitë e ndërtimit?
Pse rrënohen pikërisht ndërtesat e kulturës dhe të historisë?
Pse rriten taksat dhe falimentojnë bizneset urbane ndërkohë që fuqia blerëse e konsumatorit ka rënë?
Pse pistat e biçikletave në qytet janë thjesht komedi dhe farsë?
Përse mediat dhe qytetarët nuk reagojnë masivisht?
Pse na duhet një tjetër demokraci lokale, një tjetër pushtet bashkiak, një tjetër ndarje territoriale?
Përse çiftet e reja e kanë vështirë ta nisin jetën e pavarur për shkak të krizës të strehimit?
Pse kjo dyndje demografike në Tiranë duke boshatisur të gjithë territorin tjetër që u është falur përmbytjeve dhe erozionit?
Pse pasanikët dhe pushtetarët ikin nga Tirana që shkatërruan duke banuar në zonat periferike të saj?
Përse janë në pikë të hallit shërbimet urbane në mjeksi, tregti ku supermarketet po hanë tregtinë qytetase dhe po lënë vetëm ca tregtarë ambulantë që paraqesin produktet e tyre në tokë?
Pse popullata mund të blejë vetëm te tregu u GAB – it?

Etj, etj?

Te ky libër kam marrë guximin t’i shërbej publikut mesa kam mundur, por sinqerisht, duke u mbështetur në mendje të mênçura të kulturës dhe shkencës europiane dhe botërore.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here