Nga: Ledian DROBONIKU

Për shkak të korrupsionit?

Është e lehtë të përdorësh “korrupsionin” si përdorej djalli për të shpjeguar çdo sëmundje në mesjetë.

Mandej ishte zbulimi i shkencave që zgjoi shoqërinë për të kuptuar shkaqet që të mos i ngatërronte me efektet, nëse donte të shërohej.

28 vite propagandë sfilitëse ndaj korrupsionit, nuk kanë degraduar vetëm popullin, por dhe intelek/tualet që kanë hequr dorë nga shkenca dhe merren me sllogane si parazitë. Askush nuk kupton e lufton më shkaqet por merren me efektet don kishoteske.

Jam munduar të shpjegoj shkaqet në dhjetra artikuj e këtu po ringre vetëm disa pyetje si ftesë për reflektim.

Çfarë modeli ekonomik krijoi kasta shqipfolëse këto 28 vite?

Si krijohet pasuria në Shqipëri (milionat jo mbijetesa) duke prodhuar apo spekulluar, me punë apo hajni, mik e parti?

Kush financon e kontrollon politikën, populli apo lobet ekonomike?

Cilat lobe, ato të prodhimit apo spekullimit?

A përkon interesi ekonomik i këtyre lobeve me interesin publik?

A është kjo lloj ekonomie në funksion të zhvillimit apo rrënimit kombëtar?

A mbahet kasta shqipfolëse me mbështetjen e “miqve” ndërkombëtarë?

Kush kontrollon pasuritë kombëtare e sektorët strategjikë?

A përdoren këto për zhvillimin e Shqipërisë?

Vetëm në Shqipëri ka korrupsion?

A besoni vërtet se vendet e zhvilluara duan zhvillimin e botës së 3të e kanë hequr dorë nga kolonizimi e shfrytëzimi?

Pse nuk flet askush për ShtetKomb, politika sovraniste e demo(s)kraci?

Vizioni i botës që propaganda mbolli për 28 vite, ka krijuar një kurth psikologjik kolektiv, brenda së cilit nuk ka zgjidhje. Veç zvarritje si krimba haleje që ëndërrojnë të bëhen flutura.

Ky sistem pol-eko është ngritur kundër interesit të popullit shqiptar e për privilegje të 1%shit.

Kjo kastë ka përqendruar jo vetëm pushtetin eko-financiar e mediatik, por dhe atë politik. Në këto kushte populli nuk ka asnjë instrument për të ndryshuar situatën. Ato i ka partia e oligarkia.

Kushtetuta dhe ligjet janë kopsitur pas trupit të oligarkisë. Kurse populli është zhveshur nga sovraniteti. Ai vazhdon të votojë prej dekadash, por nuk vendos dot asgjë.
Ja pse betejat bëhen për Kushtetutë, institucione politike dhe ekonomike. Ato ose kontrollohen nga populli ose nga një oligarki parazitare.

Institucionet janë si Leva e Arkimedit, mund të ndryshojnë botën e jo më të rrëzojnë kullat e babelit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here