Sejko: Ndërhymë te kursi i këmbimit se po rrezikohej inflacioni, kursi është stabilizuar, ekonomia në rritje

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, gjatë një konference për shtyp ka dhënë detaje lidhur me ndërhyrjen e fundit të jashtëzakonshme në tregun valutor. Sipas tij, arsyeja kryesore ishte për të ruajtur objektivin e inflacionit të institucionit monetar qendror.

“Në momentin që pamë që kursi do ndikonte negativisht në inflacionin e pritur, mund të na çonte në një situatë në nivelin zero, morëm vendim për të tërhequr tepricën e valutës”, tha ai.

Sejko shtoi se ata për momentin arritën që ta stabilizonin kursin e këmbimit, por ata nuk arrijnë të parashikojnë dot si do të jetë ecuria e kursit në të ardhmen.

“Kemi filluar aplikimin e programit të ndërhyrjeve duke blerë në treg, e ndaluam mbiçmimin e mëtejshëm të lekut”, tha ai, duke shtuar se në bazë të ecurisë, do të gjykohet sa do të vazhdojë ky program.

Sejko tha se valuta që qarkullon në vend, sidomos ajo që hyn në tregun informal është praktikisht e pamatshme. Banka e Shqipërisë ka të dhëna vetëm për valutën që qarkullon në sistemin bankar, e cila është rreth 4 miliardë euro.

Sejko nuk bëri të ditur një shifër, se sa është shuma me të cilën banka ka ndërhyrë deri tani. “Për programin e ndërhyrjeve, ne raportojmë në fund të çdo tremujori dhe deri tani është bërë publik vetëm tremujori i parë”.

Aktualisht jemi në një program ndërhyrje për efekt të kursit të këmbimit në inflacion, shtoi Sejko. Më parë kemi ndërhyrë për efekt të rritjes së rezervës valutor.

Sejko tha se tregjet financiare janë karakterizuar nga një zhbalancim relativisht i fortë i raporteve të kërkesës dhe ofertës për valutë, të cilat kanë sjellë dhe mbiçmimin e shpejtë të kursit të këmbimit. “Në opinionin tonë, ky zhbalancim është prodhuar nga faktorë të përkohshëm të tregut valutor”.

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

-të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 1.00%

-të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë në nivelin 0.10%

-të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë në nivelin 1.90%

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi të nevojshme vazhdimin e programit të ndërhyrjeve në tregun e brendshëm valutor, si instrument për frenimin e presioneve mbiçmuese të kursit, në funksion të respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here