Shqiptarët paguan mbi 78 milionë euro gjatë vitit të kaluar vetëm për 3 kompani koncesionare, që kryejnë shërbime monopol të mbrojtura me kontrata qeveritare.

Të dhënat zyrtare nga bilancet e dorëzuara në QKR tregojnë se, koncesioni i Aeroportit të Rinasit, ai i Pasaportave dhe Skanimi në dogana faturuan në total 9.8 miliardë lekë për 2017-n, duke realizuar norma fitimi neto që shkojnë deri në 38 për qind.

Sipas bilanceve, lista kryesohet nga koncesioni i Aeroportit të Rinasit. Për vitin e kaluar, kompania “Tirana International Airport” arkëtoi rreth 6 miliardë lekë të ardhura nga tarifat aeroportuale, nga të cilat rreth 2.3 miliardë lekë ishin fitim neto.

Pas aeroportit, në vendin e dytë renditet koncesioni i pasaportave. “Aleat shpk” arkëtoi vjet rreth 2.3 miliardë lekë nga shitja e pasaportave dhe kartave të identitetit te qytetarët shqiptarë, përmes kontratës monopol që i ka dhënë qeveria. Edhe kjo kompani ka një normë fitimi dyshifrore, saktësisht mbi 25 për qind, duke realizuar mbi 642 milionë lekë fitime për vitin e kaluar.

“S2 Albania”, kompania që ka koncesionin e skanimit renditet në vendin e tretë. Kjo kompani arkëtoi 1.56 miliardë lekë nga tarifat e skanimit për vitin e kaluar, duke patur një fitim neto prej 207 milionë lekësh.

Koncesionet monopol vazhdojnë të prodhojnë fitime të majme nga tarifat e vendosura mbi qytetarët, por edhe ato që paguhen nga buxheti i shtetit. Këto janë vetëm 3 kompanitë që kanë dorëzuar bilancet për vitin 2017. Por, numri i koncesioneve dhe fatura që paguajnë qytetarët për to është disa herë më e lartë sesa kaq.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here