Shërbimet e pagesave janë sot një nga bizneset në lulëzim në nivel global. Ethet e pagesave kanë përfshirë gjigandë si Google dhe Apple, ndërsa gjithnjë e më shumë aktorë privatë po konkurrojnë sistemin financiar klasik, në ofrimin e pagesave përmes kanaleve të zhvilluara teknologjike. Me gjithë zhvillimin e viteve të fundit, Shqipëria ngelet shumë e prapambetur në përdorimin e këtyre shërbimeve. Me qëllim ngushtimin e këtij hendeku dhe modernizimin e sistemeve të pagesave, Banka e Shqipërisë ka përgatitur një strategji afatmesme për këtë qëllim.

Zëvendësguvernatorja e parë, Elisabeta Gjoni, tha se strategjia ka objektiva konkrete, sidomos në drejtim të përfshirjes financiare të publikut dhe rritjes së përdorimit të pagesave përmes kanaleve moderne të teknologjisë.

Zëvendëskryeminsitrja, Senida Mesi, tha se, paralelisht me rritjen e numrit të shërbimeve publike, përfshi pagesa, që do të ofrohen në rrugë elektronike, qeveria po konsideron t’ju japë akses në sistemet e saj edhe aktorëve të besueshëm të sektorit privat, siç janë bankat. Kjo do të shkurtojë listën e dokumenteve që kërkohen nga qytetarët apo bizneset, në momentin që ata aplikojnë për produkte dhe shërbime bankare.

Banka e Shqipërisë së shpejti pritet të prezantojë edhe një projektligj të ri për sistemet e pagesave, që do të reflektojë direktivën më të re të Bashkimit Europian në këtë drejtim, të njohur si PSD 2. Klientët mund të kryejnë pagesa nga llogaria e tyre bankare edhe përmes institucioneve të tjera financiare. Kjo do të bëjë që kompani e licencuar për shërbime pagesash të mund ofrojë shërbime financiare, mbështetur në infrastrukturën dhe të dhënat e bankave.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here