Nga Halil Rama

Kur ka mbërritur në mbi shtatë dekada e gjysmë jetë, shkrimtari i mirënjohur Shefki Karadaku, ka nisur një proces që zgjat vetvetiu në kohë. Po rinovon të gjithë korpusin e tij letrar, të përbërë nga mëse tridhjetë tituj, ku përfshihen vëllimet me poezi, tregimet e novelat dhe romanet. “Garderoba e Ofiqarit Gri”, libri i 35-të i këtij autori, me 20 novela e tregime, është dhurata më e çmuar që lexuesi mori vitet e fundit …

Shefki Karadaku u lind në Elbasan, më 9 qershor të vitit 1941, në një lagje tradicionale të quajtur Spahikorre. Këtë lagje, si dhe gjithë Elbasanin ai e konsideron ADN-në e tij të pandryshuar. Ndonëse ndjen dhimbje për gjendjen në të të cilën është katandisur Spahikorrja dhe Elbasani në tërësi, shkrimtari Karadaku, si askush tjetër di ta gjejë dhe ta shohë dekorin e tij të hershëm, krejt instinktivisht dhe fare lehtësisht. Në memorien e tij ruhet Spahikorrja e fëmijërisë së tij, për të cilën me të drejtë pikëllohet kur e sheh se si është dëmtuar…, ruhen banesat e traditës, të mbetura ende tashmë, si një dëshmi që dënon dhe akuzon! I zhytur në nostalgjinë e kohës, ish- mësuesi dhe shkrimtari i talentuar rrëfen mjeshtërisht: “Ne, në Spahikorre i adhuronim pemët, veçanërisht ullinjtë; unë si poet, ca më shumë dhe, si të isha një druid i vërtetë. I kam kushtuar edhe një vjershë të veçantë njërit prej ullinjve të Spahikorres. Pale pastaj, shelgjeve dhe karakfteve hijerënda, apo shtegtimit magjepsës të shpendëve!”. Mjafton qoftë dhe ky rrëfim i çiltër për të konkluduar se Shefki Karadaku, megjithëse një familjar i rregullt dhe përgjithmonë i obliguar, shpirtin e ka prej bohemi të çliruar dhe të papërmbajtur.

Në laboratorin krijues të Shefki Karadakut

Shefki Karadaku, – një nga korifenjtë e vërtetë të kulturës dhe letërsisë shqipe, ndjehet tejet i nderuar që në këtë 75-vjetor të ditëlindjes së tij është i rrethuar nga miq të shumtë. Mbi të gjitha, ai ka një familje të mrekullueshme. Bashkëshortja, Nadirja – një juriste e sprovuar që edhe në pension s’i ndahet punës në studion ligjore, bashkë me vajzën, Albanën e djalin Dorin, ka qenë dhe është jo vetëm frymëzimi, por edhe mbështetësja reale në botimet dinjitoze të Shefkiut. Nga një rrëfim brilant, i poetit dhe prozatorit, del qartazi potenciali i tij intelektual dhe krijimtaria tejet produktive e cilësore letrare, që e fut atë me dinjitet në analet e historisë së letërsisë shqipe. Në laboratorin krijues gjen një arsenal veprash krijuese të Shefki Karadakut. Nga “Kënga e karrove të drithit” te “Garderoba e Ofiqarir gri”, ky krijues brilant prodhon emocione të freskëta, me origjinalitet të këndshëm e të besueshëm që gjelbërojnë humanizëm, me mesazhe befasuese, të ndjeshme e me sens dashurie njerëzore.

Gjithsesi, karrierës së tij krijuese prej pesë dekadash, i shtohen gjithashtu edhe disa muaj të paharrueshëm që i kaloi në një fshat të humbur të rrethit të Elbasanit, kur jepte mësim në një shkollë fillore. Janë ato vite kur ndjeu shijet e para të kënaqësisë së heshtur krijuese, nga skicat, tregimet, reportazhet, monografitë historiko-letrare, për të vijuar pastaj për 20 vite në revistën prestigjioze “Ylli”, si një nga zërat më të spikatur dhe si mbështetësi real e kurajoz i letrarëve të rinj nga i gjithë vendi.

Koorpusi letrar i Sh.Karadakut përbën një thesar të çmuar që rrezaton dritën e artë. Gjetjet metaforike, forca krijuese, gjuha e pasur e shpesh poetike, përdorimi mjeshtëror i fakteve, kronikat, përshkrimi i heronjve, legjendat dhe episodet e bëjnë të këndshme prozën e këtij shkrimtari.

Libri i tij më i fundit, “Garderoba e Ofiqarit Gri”, grish lexuesin për humanizëm në emër të dashurisë, mirësisë e urtësisë,  si pjesë vitale e një arsenali veprash krijuese dinjitoze në laboratorin krijues të Shefki Karadakut.

Mesazhi që përcjell vepra e Karadakut

Në 77-vjetorin e ditëlindjes, Shefki Karadaku ka të drejtë të krenohet me korpusin e tij letrar, me të cilin ai ka hyrë denjësisht në historinë e letërsisë shqipe. Një bilanc më konkret e gjejmë tek libri “Absurdi Mbretëror” – (Shënime kritike, ese, këndvështrime për krijimtarinë e Shefki Karadakut),  në të cilin autori i 35 veprave letrare në prozë e në poezi, portretizohet si një nga shkrimtarët e dalluar të kohës së tij.

Gjejmë në këtë libër kolosët e letrave shqipe: Dritëro Agolli, Llazar Siliqi, Petro Marko, Adriatik Kallulli, por dhe personalitete të njohura të letrave shqipe, si: Moikom Zeqo, Roland Gjoza, Riza Lahi, Petraq Risto, Agim Cerga, Milianov Kallupi, Dr.Lutfi Turkeshi, Faruk Myrtaj, Sazan Goliku e Sakip Cami, të cilët vlerësojnë maksimalisht veprën letrare të Shefki Karadakut ndër vite.

Dhe nëse Dritëroi vlerëson konceptimin popullor të realitetit në krijimtarinë e Sh.Karadakut, Kallulli shprehet për pleksjen bukur e me forcë të ngjyrave, e heroikes me tragjiken, të fëlligështisë e dobësisë morale të armiqve të egër. Ndërsa Petraq Risto si redaktor i romanit “Puthja e ngrirë” vlerëson ndërthurjen plot dritë dhe hije, si një afresk bardh e zi nga autori, të lirizmit, heshtjes, frikës, rebelimit, ankthit, jetës, dashurisë….

Edhe Moikom Zeqo nuk e ka të vështirë për të deklaruar se Shefki Karadaku është një poet nga të spikaturit në lirikën shqiptare.

Teksa lexon këtë përmbledhje të larmishme, vetëtimthi të kujtohet krijimtaria letrare mjaft cilësore e këtij poeti dhe prozatori që shkruan prej pesë dekadash, si romanet  “Njëmijë vjet dashuri”, “Argonautët”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Gjergj Elez Alia”, si dhe disa novela e vëllime me poezi.

Shefki Karadaku tani është 77 vjeç dhe askush nuk është kujtuar të bëjë bilancin e këtij shkrimtari shumë prodhimtar. Këtu bën përjashtim autori Bardhyl Ajazi që ka shkruar monografinë: “Elbasan i bukur, Elbasan” me syrin e poetit Shefki Karadaku, por përsëri askush nuk është ndalur të bëjë një kritikë të plotë letrare për këtë poet dhe prozator tanimë me 35 libra me poezi dhe prozë.

Të shkruash 12 vëllime me poezi dhe 10 romane e 13 libra me tregime e novela, që të gjithë me subjekt të zgjedhur e të arrirë nuk janë pak. Ato janë një kontribut i çmuar për të sotmen dhe për të nesërmen që të mos ketë “Puthje të ngrirë”, që fjala e lirë të rrjedhë si “Ujëvarë”, që “Gjergj Elez Alia” t’u transmetohet brezave si njeri trim dhe i besës, si njeri i zgjuar dhe i ditur, që respekton njerëzit e tij, por edhe vizitorët e huaj të rajonit e të botës, që “Shkumbini” të mos shkatërrojë tokat, por të përmirësojë ekologjinë tonë, që “Elbasani i bukur” të çlirohet nga ndotja dhe të shndërrohet në turizmin tradicional shekullor.

Ky është mesazhi që përcjell vepra e Shefki Karadakut.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here