Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, pak ditë më parë mori pjesë në samitin vjetor të vendeve të rajonit të mbajtur në Beçiç të Malit të Zi. Në këtë samit, pjesëmarrës ishin përfaqësues të lartë të bankave qendrore të Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Serbisë si dhe ministra të financave dhe drejtorë të tatimeve nga vendet e rajonit. Guvernatori Sejko vlerësoi rëndësinë e pjesëmarrjes në aktivitete të tilla, si një mundësi për të ndarë pikëpamjet e përvojat, si dhe për të shkëmbyer eksperiencat ndërmjet bankave qendrore. Në vijim, Guvernatori prezantoi për pjesëmarrësit një nga çështjet më sfiduese me të cilën, Banka e Shqipërisë po përballet aktualisht, ecuria e kursit të këmbimit.

Në fjalën e tij, Guvernatori u shpreh se regjimi i shënjestrimit të inflacionit dhe regjimi i kursit të lirë të këmbimit, të cilët janë zgjedhur dhe zbatohen në Shqipëri, kanë funksionuar më së miri dhe kanë ndihmuar Shqipërinë në procesin e saj të konvergjencës, duke mundësuar norma të larta rritjeje ekonomike, stabilitet ekonomik e financiar, dhe rritje e zgjerim të sektorit financiar. Në veçanti, ai theksoi se regjimi i kursit të lirë të këmbimit ka rritur fleksibilitetin tonë në përballimin e goditjeve dhe ka ndihmuar në reduktimin e kostove të tyre. Ky fleksibilitet u demonstrua së fundmi edhe nga episodi i ngjarjeve të krizës së fundit botërore, kur nënçmimi i kursit të këmbimit i mundësoi Shqipërisë të ribalanconte bilancin e saj të shkëmbimeve tregtare me jashtë dhe mundësoi ndjekjen e një politike monetare stimuluese, në interes të nxitjes së kërkesës agregate dhe minimizimit të kostove mbi bizneset dhe familjet shqiptare.

“Luhatjet afatshkurtra të kursit të këmbimit janë normale në një regjim plotësisht të lirë të kursit. Reagimi i bankave qendrore duhet të varet nga ndikimi i tyre në inflacion, që në vetvete varet nga intensiteti dhe kohëzgjatja e kësaj luhatjeje. Sa më e madhe kohëzgjatja dhe sa më i lartë intensiteti i goditjeve, aq më i madh do të ishte ndikimi në inflacion, aq më i madh rreziku i ndryshimeve të shpejta në pritjet e inflacionit, dhe aq më e lartë nevoja për reagim sistematik të politikës monetare” tha Guvernatori.

Në mbyllje, Guvernatori Sejko u shpreh se masat e marra së fundmi nga Banka e Shqipërisë janë në koherencë të plotë me këtë filozofi. Rritja e stimulit monetar nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit synon të kompensojë – në afatin e mesëm – presionet dezinflacioniste që vijnë nga forcimi i shpejtë i kursit të këmbimit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here