Gora është një krahinë që ndër vite është sulmuar nga armiq të egër, por kurrë nuk është nënshtruar. Në kohën e Rilindjes Kombëtare në Gorë u krijuan e vepronin çetat e para patriotike me kapedanët e shquar Shahin Matraku, Kajo Babjeni, Ismail Dërdusha, Xhelo Selca, Malkë Zvarishti e Hysen Pirgu, që u bënë tmerri i hordhive turke e andartëve grekë dhe shpresë për vegjëlinë. Ata me çetat e tyre tërë jetën ia kushtuan luftës për liri e pavarësi. Patrioti i madh Themistokli Gërmënji gjeti mbështetje të plotë aty dhe ata u bënë krahu i djathtë i tij.

Nuk është e rastit që në Gorë më 28 mars 1906, një vit pas krijimit të Komitetit të Fshehtë ”Për Lirinë e Shqipërisë,, në Korçë, nën drejtimin e Themistokli Gërmënjit u mblodhën burrat më në zë të krahinës dhe formuan “Nënkomitetin e Fshehtë Krahinor “Për lirinë e Shqipërisë,, në Gorë, ku bënin pjesë patriotët: Kajo Babjeni, Xhelo Selca, Feim Zbogji, Ismail Strelca, Cane Lozhani, Tosun Dërdusha, Fetah Goça, Koçi Plovishti, Pasho Krushova, Pasho Kolaneci, Asllan Dolaneci dhe Telah Senishti.

Ky nënkomitet do të forconte më tej luftën për çlirim kombëtar duke koordinuar më mirë veprimet luftarake midis çetave të krahinës, zonave të tjera si dhe me Komitetin e Fshehtë të  Korçës. Në këtë kuadër në Gorë bujtën dhe çetat e Çerçiz Topullit, Spiro Ballkamenit, Qazim Panaritit, ku nën drejtimin e Themistokli Gërmënjit u bë programi afatgjatë e bashkërendimi i veprimeve luftarake për të ardhmen.

Nënkomiteti u shndërrua në shtab luftarak dhe organ qeverisës për krahinën, çetat u kthyen në forcë kryesore të armatosur në luftën për pavarësi. Në këto kohë të vështira Themistokli Gërmënji jatakun e kishte te miku i tij, Cane Lozhani, i cili me besën e mikpritjen gorare e ka mirëpritur e mbrojtur nga çdo rrezik.

 Sulmet dhe fitoret çuan në aktin e madh të 28 korrikut 1912 ku çetat e Gorës, Mokrës e Oparit u bashkuan te Lisi i Gorarëve pranë Gurit të Kamjes, sulmuan dhe çliruan Pogradecin. Po kështu një muaj më vonë, më 22 gusht kryengritësit çliruan Korçën dhe në këto dy qytete u ngrit flamuri i lirisë.

Në këtë luftë për liri ranë dëshmorë I. Dërdusha, Seit Zagorçani, Jakup Selca, Xhemal Krosnishti, Luman Çereshniku, Rakip Sadurishti, Ismet Dushku, Xhelo Selca.

Për kontributin e madh patriotik Nënkomitetin e Fshehtë Krahinor – 1906 Presidenti i Republikës e dekoroi me Titullin:”Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut,,.

                                                ***

Gjatë pushtimit nazi-fashist Gora ka qënë djepi i lëvizjes Nacionalçlirimtare. Aty u krijua çeta e parë partizane për Qarkun e Korçës që në prill 1942 me komandant Teki Kolaneci. Kjo u pasua me formimin e 5 çetave të tjera me komandantët trima, Xhezar Senishti, Zalo Zvarishti, Neki Pirgu, Shaban Zereci.

16 qershori 1942 është dita e besëlidhjes gorare, ku 200 burra në kuvendin e Selcës lidhën besën në luftë për çlirim. Pas kësaj u formuan në luftë e sipër tre batalione, “Ali Kelmendi”, “Themistokli.Gërmënji” e “Çlirimi” dhe tri brigada partizane.

Gruaja gorare ka qënë aktive në këtë lëvizje. Nënat gorare hapën zemrat dhe dyert e shtëpive për bijtë partizanë. Tashmë është i njohur për të gjithë heroizmi i Nënë    Pashakos, trimëreshës gorare, që është bërë simboli i qëndresës për gruan shqiptare, realizuar bukur dhe në filmin “Yjet e netëve të gjata”. Po ashtu në përleshje me armikun ranë nënat trimëresha: Meriko Selimllari me të bijën Shqipërijen, Adile Agolli me vajzat e mitura, ndërsa Zyflie Zvarishtin e plagosën për vdekje teksa u përlesh me bishën naziste për të shpëtuar vajzën e saj, Seferien që ia morën peng. Rastësia i shpëtoi nga vdekja e sigurt.

 Aktivistet e para të LANÇ qenë Dhora Niça, Kleopatra Maliqi, Parashqevi Voskopoja, Xhemile Agolli, Medie Lozhani, Nezirkë Qëncka, Qerime Jahollari, Rubie Gribeci. Gora i dha atdheut 131 dëshmorë. Dëshmorët e parë janë: Tafil Pirgu, Samit Qëncka, Çelnik Tresova, Gani Moçani, Ilia Voskopoja, Fetah Selca.

 

 Petrit Braçe

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here