Djathtas JO majtas ! – Nga Leonora Laçi

Djathtas JO majtas !

 

Djathtas, majtas në qendër pak rëndësi ka, pozicionohu, nisu, vendosja qëllim vetës, vetëm a me të tjerë. 

Cila do qoftë rruga jote është drejtim i duhur, mjafton të dish ku po shkon dhe pse, nisja nuk është arritja e qëllimit por qartësimi i tij. 

Ne shqiptarët, ndoshta jo vetëm ne ndjehemi pa busull orientuese kur vjen puna tek udhëheqësit politik dhe partitë përfaqësuese,  që shpesh na kanë kushtëzuar duke i parë gjërat sipas interesit të tyre e  jo te popullit.

Sa e vështirë është t’i dallosh këto të dyja, jo krahët e trupit, dukshëm të vendosur mirë, por partitë të vetëquajtura të djathta apo të majta në Shqipëri, sepse kanë përzierje elementesh të njëra- tjetrës, e herë herë s’kanë as elementët përfaqësues të tyre thjeshtë huazojnë aty-këtu ndonjë gjë, janë kaq larg emërtimit që bartin dhe realitetit europian. E majta dhe e djathta shqiptare janë shkrirë, kanë rrëshqitur në babëzinë pushtetore, janë verbuar nga fuqizimi, sa duan ta kenë me çdo kusht atë, pavarësisht çmimit që duhet të paguajnë. E në fakt ikin dhe pa “paguar”, paguajmë ne për ata, faturat e idhta dhe avazi tyre vazhdon… ende vazhdon.

Filozofi Artan Fuga do shkruante për të djathtën dhe të majtën sesi duhet të jenë, dhe çfarë në të vërtetë janë modelet europiane – “E djathta :

– Respekt total i pronës dhe i trashëgimisë;

– Atdheu mbi gjithçka;

– Trashëgimia kulturore dhe identitare si vlera kryesore për të ecur drejt progresit

– Nxitje e prodhimit të vlerave në të gjitha fushat;

– Sistem politik me disa kate. 

E majta: 

– Prioritet shanseve të barabarta;

– Universalizimi planetar si forcë progresi;

– Modernizimi kulturor dhe teknologjik si prioritet;

– Nxitje e rishpërndarjes për një presion të fuqisë blerëse mbi ekonominë;

– Sa më pranë demokracisë direkte”.

Por realisht çfarë ka ndodhur ?! Sa nga këto parime janë realizuar?! Çështja e pronës është një nga treguesit më të mirë, të gjithë kemi një shok a mik që endet dyerve të gjykatave për të marrë atë çka është e tija. Parimet e tjera as që merren në konsideratë. 

Dilema e të ndjerit veten djathtas apo majtas në Shqipëri është dilema që duhet të na shqetësojë më së tepërmi, pasi shpesh është e lidhur me të kaluaren tonë por jo me atë çfarë në  të vërtetë duhet të përfaqësojnë krahët.

Te jesh i djathtë personifikon te jesh antikomunist, parimisht, por a ndodh gjithmonë kjo ?! E te jesh i majtë në Shqipëri personifikon të jesh komunist !! Por, mund të jesh majtas apo djathtas vetëm për hir të interesave dhe jo domosdoshmërisht i lidhur me njëren prej tyre për shkak të bindjeve politike apo trashëgimisë familjare. 

Çfarë përfaqësojnë parlamentarët ?! Ka nga ata që ngelin zëmbytur deri në fund të të “vjelave”, ka nga ata që marrin shanc të dytë, ka nga ata që s’shkëputen dot më, ka nga ata që dështojnë pa filluar ose fillojnë si dështak, ka nga ata që s’njohin limite, ka nga ata që ikin ashtu siç erdhen pa zhurmë, disave u pergatitet dhe “ceremoni” gjatë ikjes, ka nga ata që bëjnë vepra të mira por janë si ajo molla e mirë në një shportë me të kalburat dhe fundi tyre dihet, një pjesë do ta çojnë “krahun partiak” në varrë bashkë me veten ose e minojnë nga brenda.

Fakti qe nuk i vura presjen në mes, mu kujtua fraza -“Te vritet  jo te falet”- ndonëse presjen e kam “ngrënë” qëllimisht, pasi dhe partitë politike shqiptare qëndrimet i kanë të qëllimshëm dhe shpesh ua lënë derën hapur partive që s’kanë asgjë  të përbashkët e kështu humbin, zhyten, e pastaj nuk kuptojnë se u hodhën me dëshirë.

Djathtas, jo majtas apo djathtas jo, majtas.

Ndonëse duket sikur i ndanë një presje dhe i jep kuptim, por problemi ynë nuk është presja si shenjë pikësimi, por përceptimi ynë për këto të dyja, mungesat e theksuara të vizoneve për të qenë të përgjegjshëm pa ngjyrime politike, mos tërheqja e votuesve mbi bazen e programeve të qarta se çfarë duan të bëjnë me të marrë pushtetin, por manipulimi afatshkurtër i tyre me premtime që shpesh  janë të pabesueshme dhe për ato që i thonë. Me votën shitet nderi e fytyra e një individi, shitet dhe Shqipëria.

Pavarësisht kamuflimit nën petkun e së majtes dhe së djathtes që nuk po kanë më ndryshime mes njëra -tjetrës, pasi përdorin të njëjtat forma dhe mjete për të marrë pushtetin, për ta mbajtë pushtetin, e për ta vjedhur shtetin.

 Vetëm individët ndryshojnë por herë- herë ndokush ka ndërruar flamur.

Të paktën të jenë konkurruese se kush bënë më shumë për Shqipërinë por as kjo nuk u përshtatet. Nëse rivalizojnë seriozisht njëra -tjetrën atëherë fitojnë kredo përballë apolitikëve, të papërfaqësuarve dhe respektin e kundërshtarëve. Fitoret apo humbjet e një qeverisje maten vetëvetiu dhe në ditën e gjykimit marrin atë çfarë meritojnë. 

Zhvillimi ekonomik, emancipimi shoqëror, zhvillimet në fushën e arsimit, shkencës dhe artit, stabiliteti politik është pasqyrimi më i mirë i tyre. Nëse këto mungojnë le të lehin gjithë ditën, le të manipulojnë shifrat e rritjes ekonomike, le të propagandojnë apo përdorin mediat për të na hedhur hi syve, zor se do merren seriozisht, madje dyshoj se as vetën nuk e marrin shumë seriozisht nga pozicioni ku janë se neve jo e jo.

Shqipëria e brishtë politikisht e reflekton brishtësinë e saj në çdo hap që hedh, në dëshirën për integrim në BE, në vetting, në përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar, trafikun e drogës, nepotizmin, informalitetin etj.

Këto janë e djathta dhe e majta shqiptare që i kanë hypur një anije pa kapiten, që lundron nga drejtimi i erës, e ne bashkë me ta.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *