Duke nisur nga data 1 Korrik, 665 mijë pensionistët shqiptarë, do të kenë një shtesë në pensionet e tyre, pas vendimit të fundit të qeverisë, për t’i shtuar fondit edhe 15 milionë dollarë. Nga ky vendim është parashikuar të përfitojnë të gjitha kategoritë e pensionistëve.

I ftuar në emisionin “PërTëFol” në SCAN, eksperti i skemës së sigurimeve shoqërore, Sabah Goci, sqaron se masa e përfitimit ndryshon në varësi të vlerës së pensionit.

“Masa e rritjes në nivelin 2.8 për qind varion nga 400 lekë deri në 700 lekë. Ky është harku i masës së rritjes, mënyra se sa rriten pensionet e pleqërisë, për të gjitha nivelet e pensioneve, nga masa minimale rreth 13 mijë lekë deri në pensionet maksimale që janë sot, rreth 35 mijë lekë”.

Më tej, Goci thekson se bëhet fjalë më shumë për indeksim sesa për rritje të pensioneve.

“Nuk është rritje, është indeksim i pensioneve ose më shqip, është detyrim ligjor i indeksimit të pensioneve për të tejkaluar apo për të arritur nivelin e inflacionit që vërtetohet me treguesit”.

Në të njëjtin vendim të Këshillit të Ministrave, bëhet me dije së duke nisur nga 1 Korriku disa kategori pensionesh, si i pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, fillimi i të cilave përkon me dhjetorin e 2014, do të kenë si kufi minimal 13 378 lekë dhe maksimal 26 757.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here