Nga Sokrat Ndreçka

Shqipëria jonë. Ky vend me njëmijë halle. Ka afro tre dekada në tranzicion. Gjasat janë të vijojnë edhe për disa  vjet të tjerë. Shumë pak gjera kanë ndryshuar për mirë. Shumë gjera kanë shkuar keq e mos më keq. Nuk na e merrte mendja se do shkonin lëmsh punët. E kishim menduar ndryshe të ardhmen e shoqërisë së re demokratike. Endërronim se do bëheshim si të tjerët shumë shpejt, por u zhgënjyem, na zhgënjyen, na morën mëqafë. I japim entusiazëm vetes, sepse duam të harrojmë tragjeditë që  na kanë nxirë jetën, por është e vështirë të medosh se do shijojmë demokracinë e ëndërrave të mëdha. Na kanë munduar telashet e shkaktuar nga ne shqiptarët, nga politika e gatuar keq me korrupsion. Na bënë të ndihemi të dëshpëruar në këto vite demokracie. Na kanë munguar edhe shërbimet më minimale. Eshtë larg, shumë larg të thuash se kemi standarte europiane në këtë vend që e ka emrin Shqipëri. Ka shërbime informale, ka struktura shtetërore informale, ka nëpunës informal, që bëjnë sikur punojnë e shërbejnë, por në fakt ata spekullojë me detyrën. Ka kaq vjet që ndodh kështu. Ky nuk është thjesht një konstatim, një statistikë, por realitet i prekshëm dhe i ndjeshëm nga të  gjithë. Dëgjojmë me mburrje për ndëshkimin e ca nëpunësve, për ca të tjerë të proceduar për ndjekje penale. Dhe mirë bëhet që abuzuesit të ndëshkohen, paçka lidhjeve që ata kanë me politikëbërës, deputet, ministra, kryeministra. Ajo që ka rëndësi është se njerëzit duan shërbim institucional dhe nuk duan bilance masash administrative.

Këtë situatë të zgërlaqur e dëshirojnë disa që vetëquhen opozitar si deputetë e politikanë, të cilët  e kanë mbushur këtë vend me krime dhe korrupsion si në asnjë vend tjetër në botë. U pëlqen anarshia, zhurma sepse duan të mbulojnë gjurmët e krimit në këto 28 vjet demokraci, duan të mos ndëshkohen nga drejtësia, nga ligji dhe kushtetuta. Ky takëm njerëzish e ka fituar bastin me drejtësinë dhe shtetin ligjor. Nga njera anë thonë se Shqipëria një ditë do bëhet, ndërkohë ushtrojnë dhunë për të mbajtur korrupsionin në lartësinë e krimit dhe pandëshkueshmërisë. Si do bëhet Shqipëria, si do kalojë tranzicionin ky vend kur gjykatat, prokuroria, i gjithë sistemi i drejtësisë është i kapuar nga hajdutët, nga vjedhësit, të cilët nuk kanë lënë skutë pa hyrë e ngritur kupolën e krimit. Si do bëhet Shqipëria kur vjedhësit janë të lirë dhe nuk kapen nga ata që mbajnë në dorë vulën dhe ligjin e shtetit. Iku një çerek shekulli duke thënë e duam Shqipërinë si gjithë Europa, ndërsa në fakt ky vend  ka ecur drejt vendeve të Bashkimit Europian me hapin e breshkës. Po ku të lënë peshqit e mëdhenj të integrohet ky vend e të bashkjetojë me popujt që kanë demokraci të pjekur e funksionale.

Shqiptarët  e duan Shqipërinë të integrohet në BE, mbështesin reformat, japin një dorë të fortë realizimit të reformave, duke kryer kështu detyrat që kanë dhënë ndërkombëtarët. Por ka segmente të identifikuara nga syri dhe veshi i sovranit që bëjnë të kundërtën. Kanë nxjerrë alibi të ndryshme duke frenuar reformat, duke kundërshtuar ndërkombëtarët dhe fshihen duke bërë avokatin e dreqit për kapitale e pasuri të jashtëligjshme.

Ka kaluar kohë e gjat që kur shqiptarët  kanë filluar të duan një Shqipëri ndryshe, nga kjo që kemi sot. Kanë kërkuar një vend ku njerëzit të gjejnë barazi, drejtësi përmes zbatimit të standarteve që kanë vendet e Bashkimit Europian. Në të vërtetë ata që kanë drejtuar e udhëhequr këtë vend na kanë mashtruar. Eshtë zbatuar parimi i mashtrues: bëni si themi ne e mos bëni si bëjmë ne. Keni vënë re se si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka nxjerrë zbuluar anëtarë të gjykatave dhe prokurorët shqiptar me të ardhura financiare  llogarive familjare të pa argumentuara para trupës gjyqësore?! Që do të thotë se kanë grumbulluar aq shumë para dhe kapital saqë nuk i dinë burimet nga kanë ardhur. Mendja përnjëherë të shkon tek rrugët e dyshimta të këtyre të ardhurave marramendëse. Me të drejtë Komisioni i Vetingut i ka larguar nga detyra shtetërore dhe shoqërore. Edhe kaq nuk mjafton. Për këtë lloji abuzimi duhet kërkuar ndjekje penale në mënyrë që ata të japin llogari se këto të ardhura kanë dalë nga hallexhinjtë, nga njerëzit e thjeshtë, të cilët i ka çuar halli  në dyertë e gjykatave dhe prokurorisë.

Shqipëria do të bëhet. Kështu thuhet. Kështu po thuhet. Kush do t`a bëjë këtë vend që nuk po gjen kurrë rehat?! Kush do vërë dorën në këtë vend, i cili dhunohet barbartisht nga vetë shqiptarët, nga ata që kërkojnë votën, nga ata që vjedhin votën dhe pastaj të shesin si plaçkë tregu. Kujt do i ankohemi, ndërkombëtarëve?

Europën e kërkojmë ne shqiptarët, nuk e kërkojnë europianët. Ne po u lutemi atyre të na pranojnë për një bashkjetesë të mundëshme. Ne po betohemi se do luftojmë krimin dhe korrupsionin. Mirë bëjmë. Por nuk janë të gjithë në këtë lartësi, në këtë mendje, sepse Shqipërinë e duan tym e mjergull, e duan të mbuluar nga smogu i makutërisë. Ka shqiptar që vënë gurë në rrota  për të penguar integrimin. Madje edhe këta thonë e duam integrimin, do luftojnë krimin. Por, ama kauzë nuk kanë. Krimi dhe korrupsioni luftohet në parlament, luftohet me argument, jo duke ngritur alibi, nuk integrohet dot ky vend me sharje, fyerje, me akuza që nuk bëjnë asnjë efekt pozitiv. Në këto vite, ku po tentojmë t`i bashkohemi vendeve me demokraci, ku liria dhe barazia  mbeten parësore, shqiptarët hakmarren ndaj njeri-tjetrit, sikur të jenë në gjak, në hasmëri dhe udhëhiqen edhe sot e kësaj dite nga kanuni e jo nga kushtetuta dhe ligjet e këtij vendi.”Shqiptarët do fitojnë çdo luftë, kur të mbarojnë luftën me njeri-tjetrin” . Eshtë shprehja brilante e Mit`hat Frashërit. Kjo është shprehje e ditës, sikur Mit`hat Frashëri t`a kishte thënë këto ditë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here