Maksim Sinemati

Në samitin e fundit që u zhvillua në Sofie të Bullgarisë, liderët e vendeve-anëtarë të Bashkimit Evropian (BE), midis të tjerave, një vëmendje të veçantë i kushtuan edhe mundësisë së ngritjes së kampeve të migrantëve në shtetet e Gadishullit Ballkanik, me qëllim që të pengojnë migrantët dhe refugjatët nga Lindja e Mesme, kryesisht, nga Siria, Pakistani, Afganistani, etj. të vijnë dhe të hyjnë në territorin e vendeve të BE-së, vinte në dukje numri i fundit i gazetës prestigjioze franceze, “Lë Mond”.

Sipas gazetës së lartpërmendur kjo ide ka lindur, fillimisht, në Danimarke dhe Austri, dy shtete që, sikurse dihet përgjithësisht, kanë në krye qeveri euroskeptike dhe antimigrante. Më 5 qershor,

kryeministri danez, Lars Loke Rasmusen, vuri në dukje se ka zhvilluar bisedime dhe do të zhvillojë bisedime të tjera me kancelarin austriak, Sebastian Kurc, vendi i të cilit, më 1 korrik, merr kryesimin e BE-së, për krijimin e një sistemi të ri azili në BE, pikë qëndrore e të cilit do të jetë “hapja e qëndrave të përbashkëta të pranimit dhe të dëbimit të migrantëve”.

Me fjalë të tjera, sikurse shpjegon gazeta e njohur franceze e lartpërmendur, “Lë Mond”, fjala është për një lloj kampesh, ku do të vendosën me detyrim migrantët që nuk do të kenë të drejtë kërkimi azili, por që nuk do të mund të kthehen shpejt mbrapsht. Megjithëse, kryeminstri i Danimarkës, Rasmusen nuk e tha qartë se në cilët shtete do të ngriheshin ose do të hapeshin këta kampe migrantësh dhe refugjatësh, gazeta franceze me tirazh të madh e mësipërme shkruan, duke u bazuar, sikurse thotë ajo, në “burime të sigurtë”, se bëhet fjalë për Shqipërinë dhe Kosovën. Kryeministri danez, Rasmusen, gjithashtu, tha se ai “ndodhet në kontakt edhe më liderë evropianë të tjerë” dhe se është “optimist” lidhur me projektin e ri, pra atë të ngritjes së kampeve për migrantët dhe refugjatët në rajonin ballkanik, si parapritë ose pengesë paraprake për hyrjen e tyre në territorin e vendeve të BE-së.

“Bisedimet përkatëse, në thelb, janë zhvilluar në Samitin e Sofies, më 17 maj, mes zyrtarëvë më të lartë të vendeve-anëtare të BE-së dhe pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, vë në dukje gazeta “Lë Mond”, duke shtuar se planet përkatës të Vjenës dhe të Kopenhagenit do t’u prezantohen edhe shteteve të tjerë anëtarë të BE-së. Sidoqoftë, sikurse bëhet e ditur nga Brukseli, Belgjika nuk di asgjë për planin në fjalë, ndërkohë që Holanda ende nuk e ka thënë fjalën e saj për këtë projektplan të përbashkët danezo-austriak.

Danezët, sipas “Lë Mondit”, janë përpjekur që të tërheqin në favor të planit edhe Gjermaninë qëështë treguar “skeptike”, kurse Franca, nga ana e saj, kishte treguar habi e mosbesim, duke iu kundërvënë idesë së lartpërmendur. “Është e pamundur që vendet ballkanike ta pranojnë një diçka të tillë, qoftë edhe më ndihmën financiare të BE-së si shpërblim ose duke përshpejtuar integrimin e tyre evropian”, deklaroi një burim francez i nivelit të lartë që nuk donte të identifikohej.

Në fakt, nuk është hera parë që “shtyhet” ideja e ngritjes së kampeve për migrantët dhe refugjatët jashtë vendeve të BE-së, madje, më parë, si një lokacion i mundshëm është përmendur edhe Libia, por ai plan dështoi.

Në kushtet, kur në Evropë po forcohen tendencat djathtiste, euroskeptike dhe antimigrante dhe po hipin në fuqi qeveri me tendenca të tilla ultranacionaliste, po bëhet gjithnjë e më qartë se politika e përbashkët për azilin të vendeve-anëtare të Bashkimit Evropian i ka ditët e numëruara, ndërkohë që Austria që do të marrë kryesimin e BE-së, më 1 korrik të këtij viti, e ka vënë në dukje qartë se prioritet i kryesisë së BE-së do të jetë “mbrojtja dhe forcimi i kufijve të jashtëm”, në vend të solidaritetit midis vendeve-anëtare të BE-së dhe rishpërndarjes së migrantëve dhe refugjatëve që kërkojnë azil në vende të ndryshme të BE-së.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here