UNESCO jo vetëm ka vlerësuar modelin shqiptar të zhvillimit në drejtim të mbrojtjes dhe kujdesit ndaj monumenteve të kulturës por bën apel që rajoni të ndjekë shembullin e Shqipërisë.

Kështu u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay në takimin e zhvilluar me Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro në Paris.

Duke vlerësuar punën dhe rezultatet e vendit tonë, Azoulay ka theksuar se këto të fundit kanë ardhur si pasojë e politikave të qarta të ndërmarra për trashëgiminë kulturore, çka sipas saj po ndikon në zhvillimin e turizmit.

”Vlerësojmë shkëlqyeshëm punën dhe rezultatet e Shqipërisë në mbrojtjen, konservimin, restaurimin dhe sensibilizimin e trashëgimisë, me synimin e qartë për t’i dhënë zhvillim turizmit kulturor, përmes politikave të qarta në trashëgiminë kulturore. UNESCO vlerëson modelin shqiptar të zhvillimit duke theksuar se ai duhet treguar për të gjithë rajonin”, u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay.

Nga ana e saj, Kumbaro shprehu mbështetjen e Qeverisë për vizionin e ri për Transformimin Strategjik të UNESCO-s, dhe falenderoi organizatën për bashkëpunimin e deritanishëm. Ajo diskutoi me Azoulay për rrugët dhe mjetet për ta shtrirë më tej këtë bashkëpunim.

Azoulay shprehu mbështetjen e organizatës për programet e edukimit në art dhe trashëgimi, që po zbaton Shqipëria , duke vënë theksin se “Rinia dhe Kultura janë shtyllat e rëndësishme të organizatës së UNESCO-s”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here