TËSHTIMAT E REFORMËS NË SHKENCAT GJEOLOGJIKE DHE DOMOSDOSHMËRIA E RIBASHKIMIT ME SHGJSH-në

Nga Vesel Hoxha*

Në vend të hyrjes

Me vendiminnr. 561, datë 22. 08. 2007, i cili filloi të zbatohet me 01. 01. 2008, qeveria e asaj kohe vendosibashkimin e disa instituteve dhe njësive kërkimore shkencore (edhe pse jo të gjitha ishin të tilla), duke i organizuar në Institutin e Gjeoshkencave, pranë Universitetit Politeknik të Tiranës.

Sipas këtij vendimi, Instituti i Sizmologjisë shkëputej prej Akademisë së Shkencave dhe, bashkë me njësitë kërkimore që shkëputeshin prej Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, përkatësisht Drejtorisë së Administrimit të Territorit dhe Pasurive Minerale (ish IKGJ-së), Drejtorisë së Gjeoinformatizimit, Drejtorisë së Gjeofizikës së Aplikuar dhe Topogjeodezisë, bashkoheshin për të formuar institucionin e ri me emrin Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), si njësi kryesore, pranë UPT-së (Institucion me rëndësi kombëtare caktohej në varësi të një universiteti?!).

Sipas vendimit në fjalë, Instituti i Gjeoshkencave kishte për mision:

  1. a) kërkimin shkencor, bazë dhe të aplikuar; 
  2. b) formimin universitar, të thelluar, të studentëve dhe shkencëtarëve;
  3. c) shërbimet për të tretë në fushën e sizmologjisë  dhe transferimin e njohurive e të teknologjisë në fushat e sizmologjisë, pasurive natyrore, të gjeoriskut, gjeoinxhinierisë dhe gjeoinformacionit.

Ky ishte në pak rreshta dokumentacioni ligjor që krijoi institucionin në fjalë.

Në kuadrin e reformës shkencore që bëri qeveria e asaj kohe, kalimi i “Institutit të Kerkimeve Gjeologjike, IKGJ” (themeluar në vitin 1962) dhe disa njësive të tjera të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, pranë UPT-së brenda “Institutit të Gjeoshkencave”, u mirëprit nga punonjësit shkencorë të  gjeologjisë, edhe pse kishte  kundërshti dhe shumë rezerva në formatimin e tij, të cilat linin për të dëshiruar.

Por në vazhdimësi, shqetësues u bë fakti, kur gjërat filluan të rrjedhin jo në drejtimin e duhur. Kërkesat e stafit akademik gjeologjik për të pasur laboratore dhe pajisje të tjera pune minimalisht të domosdoshme, deri tek makinat për punime fushore etj.etj., që do t’i shërbenin këtij thellimi, nuk u pritën mirë nga drejtuesit e të gjitha niveleve dhe nuk u pranuan.

Godina e re që ishte në përfundim e sipër, filloi dalë-nga-dalë të bëhej “molla e sherrit”, ku, midis faktorëve të tjerë, pati ndikimin e saj në shkrirjen e IGJEO-s e INEUM-it dhe, njëkohësisht krijimin e intitucionit të bashkuar IGJEUM (Gjeoshkencave me atë të Energjisë, Ujit dhe Mjedisit).

Për gati dy vite rrjesht, gjeologët e gjeofizikantët e IGJEO-s, punuan në ambiente të ngushta mes pluhurit e zhurmës së martelit gjatë periudhës së restaurimit të godinës, me shpresën se gjërat, pas mbarimit të saj, do të ecnin në drejtimin e duhur, për të parë më në fund, një institut shkencor perëndimor në ambiente, në staf akademik, në laboratore dhe në financim.

Kjo nuk ndodhi asnjëherë dhe tani, nuk ka asnjë gjasë që të ndodhë.

***

Retrospektivë

Sipas logjikës më të thjeshtë, institucionet e përmendura në vendimin e qeverisë të vitit 2007 duhej të shkëputeshin, pasi shkëputja ishte e detyrueshme në dokumentin zyrtar qeveritar të miratuar. Kjo nuk ndodhi, pra shkëputja nuk u bë fakt prej mosangazhimit të ministrave të qeverisë Berisha. Unë që po shkruaj këto rrjeshta, kam qenë bashkëkryetar i grupit të punës të caktuar nga ana e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës për periudhën tranzitore të shkëputjes të sektorëve të përmendur në VKM-në përkatëse dhe, e kam ndjerë nga afër mosinteresimin e titullarëve në këtë reformë, për të cilën kishin detyrim ligjor të na ndihmonin dhe, ta shpejtonin proçesin e nisur, të materializuar në vendimin e qeverisë, antarë të së cilës ishin.

Edhe sot e kësaj dite e kam të pa qartë indiferentizmin e tyrendaj një vendimi të cilin vetë e kishin miratuar?! Le të kthehemi tek problemi. Në vijim të reformës, u përzgjodh vetëm një numër i kufizuar specialistësh, në raport me numrin ekzistues të tyre në njësitë që në fakt, duhej të shkëputeshin 100 % nga SHGJSH-ja, dhe kaq.

Që këtu vendimi i qeverisë filloi të mos zbatohej. Unë nuk do të ndalem në këtë analizë dhe as në pengesat e mëtejshme të moszbatimit të këtij vendimi, në vijim të një reforme me probleme e me paqartësi. Dua të theksoj vetëm faktin se si ka mundësi që, një vendim qeverie lihet të zbatohet sipas dëshirës të një apo disa njërzëve, të cilët fshihen pas pa-aftësisë dhe interesave personale, të prirur për të krijuar një mjegullnajë në ecurinë e punëve shkencore, deri në devijimin e tyre, ku për fat të keq, sipas meje ka ndodhur dhe, vazhdon rruga e devijuar pa produkt konkret shkencor në dobi të ekonomisë.

Ajo që më bëri më tepër të shqetësohesha ishte heshtja e shkencëtarëve tanë, për të mos thënë frika e tyre, një sëmundje e kahershme e jona. Nuk arrij të kuptoj si mundet shkencëtarët (nëse mund t’i quajmë të tillë) të kenë frikë. Po patën frikë, ato nuk thonë të vertetën dhe, po nuk shprehën të vërtetën kudo dhe në çdo gjë, ato nuk janë shkencëtarë, por gënjeshtarë.

Në një fjalë të urtë arabe thuhet se shkencëtari dhe gënjeshtari janë të huaj për njeri – tjetrin, të papajtueshëm. Na pëlqen apo jo, ky është realiteti që vashdon dhe sot e kësaj dite. Para pak kohësh, Kryeministri Rama, u prononcua për Akademinë e Shkencave por, më emërgjente është situata në IGJEUM, si njësi kryesore e UPT-së. Rektori i ri i UPT-së, megjithse ka një përkushtim dhe seriozitet në punë, do ta ketë të vështirë ta ndryshojë gjendjen ku është katandisur instituti.

Prej më se dhjetë vitesh drejtuesit e institucionit nuk kanë arritur të ngrejnë dot as grupet kërkimore shkencore apo kërkimore mësimore që janë themeli i punës në institut?!E pabesueshme, por e vërtetë. Financimi i punës shkencoreështëfare i ulët, për të mos thënë zero këto pesë vitet e fundit. Puna në institucion çalon nga koka drejtuese e tij, ku drejtori aktual, ndonëse i rizgjedhur me vota (zgjedhjet në IGJEUM janë kontestuar vazhdimisht nga kandidati tjetër,për manipulime), jo vetëm nuk ka asnjë lidhje me gjeologjinë, por ka edhe mungesë të theksuar personaliteti, duke mashtruarhapur me genjeshtra stafin akademik, kryesisht atë gjeologjik.

Si mundet një drejtues i këtij niveli të mashtrojë antarët e stafit akademik, ndërkohë që ata presin të bëj realitet ato që thotë?!. Asnjë takim nuk ka bërë gjatë pesë viteve të fundit me Departamentin e Gjeologjisë, ku pa përgjegjësi nuk ngeletedhe drejtuesi i departamentit, duke heshtur në dëm të interesave të stafit akademik?! E trishtueshme dhe e pabesueshme nga një i jashtëm, por një realitet i hidhur i brendshëm i këtij institucioni. Kontestimet, vërejtjet dhe sugjerimet e shumta të antarëve të departamentit vite më pare, për Ligjin e ri të Arsimit të Lartë, nga ana e drejtuesve të institutit nuk u përcollën për më lart.

Kjo ishte një tallje e madhe dhe e rëndë për të gjithë ne. Pra mendimi akademik nuk u përfill. Profesorët e specializuar të gjeologjisë si mineralogë, petrografë, etj. etj. mezi pritën për t’i nxjerrë në pension, duke i larguar me urdhër nga zyrat, pa menduar për zëvendësimet e tyre me specialistë të rinj e të kualifikuar,përpara se t’i nxirrnin në pension shkencëtarët. Ku ka institute pa specialistë të kualifikuar?! Të njejtat prononcime të Kryeministrit Rama, të bëra publike për Akademinë tonë të Shkencave (ndonëse i kujtuar meshumë vonesë), vlejnë edhe për IGJEUM-in (intitucionin e bashkuar si “vaj me ujë”), i fshehur pas një universiteti dhepa produkt konkret me vlerë për vendin.

Nuk po flas për institutet e tjera nëse ka, pasi nuk e njoh gjendjen. Po ashtu nuk dua të futem në problematikat e punonjësve jo akademikë apo, të të ashtuquajturve administratorë që vegjetojnë në këto institucione me 30 apo 35 veta staf akademik, a thua se janë në atë detyrë për t’i shërbyer vetvetës, jo stafit akademik.

Me lekët e taksapaguesve shqiptare nuk duhet lejuar të stimulohet burokracia dhe paguhet paaftësia apo gjumi. Një takim i hapur me stafet akademike, me ata që duan punën e jo gjumin, do t’i pastronte këto dukuri negative që brejnë thesin e buxhetit të shtetit të shqiptarëve. E ftoj kryeministrin e vendit ta bëjë një takim të tillë, nëse vertet i dhëmb shkenca shqiptare, të shoh nga afër një institut të strukur pas një universiteti,të shoh nga afër gjithë institucionet kërkimore shkencore të vendit, një e për një.

Të paktën Berisha e bëri një vizitë në institut, edhe pse nuk bëri takim me stafin,por zgjodhi të na mbajë një fjalim para institucionit.

Desha të nënvizoj edhe një fakt tjetër. Sipas vendimitnr. 561, datë 22. 08. 2007, njësitë që duhej të shkëputeshin për të formuar Institutin e Gjeoshkencave (IGJEO-n), jo të gjitha ishin institucione shkencore, dhe nuk vareshin nga Akademia e Shkencave e as nga ndonjë institucion tjetër shkencor, por nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës e asaj kohe. Institucion shkencor i njohur me vendim qeverie dhe i shprehur qartazi në Ligjin përkatës të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, ishte vetëm Instituti i Kërkimeve Gjeologjike. Pra, sipas kësaj logjike, vetëm ky institucion duhej të shkëputej.

Që këtu lindën paqartësitë e para rreth asaj reforme e cila u pykëzua shpejt e pa rezultat.

***

Pak histori të hidhur të IGJEO-s dhe më pas të IGJEUM -it

Asnjëherë nuk kam qenë kundër bashkimit të institucioneve, kur bashkimi bëhet në të mirë të mbarëvajtjes së punës dhe i rekomanduar nga grupe vlerësimi me stafe akademike të profileve përkatëse, kundër dublimeve e burokracive. Kur gjërat bëhen hapur duke respektuar liritë akademike, askush nuk duhet të kundërshtojë. Varësia në Universitetin Politeknik të Tiranës e Institututit të Gjeoshkencave, Energjisë Ujit dhe Mjedisit, ka vertetuar e po verteton dita ditës se ky i fundit, nuk i ka mundësitë të financojë punime fushore, në veçanti ato të gjeologjisë në shërbim të thellimit të punimeve shkencore (ndoshta nuk duhet t’i takojë një përgjegjësi e tillë dhe, këtu mendoj se flen lepuri, pra kjo gjë ia vlen të diskutohet thellë dhe me shpejtësi të madhe duhet të korrigjohet), as të financojë ngritjen e laboratorëve më të domosdoshëm, ashtu siç i kanë të tjerët ku duam të integrohemi, qoftë dhe në nivelin e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar ku ishim, në të mirë të hapjes së perspektivës së mineraleve të dobishme të vendit tonë, për të cilat ka nevojë ekonomia jonë, për të cilat ka nevojë pupulli për t’u punësuar.

Një ditë, do të mbarojnë së shfrytëzuari vendburimet e njohura të mineraleve të kromit, bakrit, hekurit, hekur nikelit, manganit, boksiteve, polimetaleve, naftës e gazit, qymyreve, bitumit, mermereve, kaolinave, argjilave, oliviniteve, kuarciteve, travertinave, evaporiteve (Gjipseve, anhidriteve, kryprave etj.) e sa e sa mineraleve të tjerë me perspektivë në vendin tonë, si metalorë ashtu dhe jo metalorë.

Per të gjetur burime të reja të mineraleve të sipër-përmendura, janë gjeologët dhe ndihmësit e tyre, gjeofizikantët e gjeokimistët, të cilët, me studimet e tyre shkencore do përcaktojnë zona perspektive mineralmbajtëse, për të vijuar me kërkim-zbulimin e tyre të mëtejshem të detajuar nga firmat private vendase e të huaja. Kjo është me shumë rëndësi të kuptohet nga të gjithë aktorët, pasi firmat e huaja, me këto studime i sjellim në Shqipëri, i “ndjellim” kur thotë populli ynë, për të ardhur e për të investuar.

Gjatë gjithë këtyre viteve, veçanërisht pas bashkimit, nuk ka patur as përpjekje më të vogël për t’u pajisur me laboratorë apo për të plotësuar institutin me specialist të profileve të ngushta, ç’ka përbënte “Thembrën e Akilit” të ekzistencës së një instituti të tillë. Janë dhënë thjesht pagat sikur të ishin pensionistë. Ka disa përjashtime shumë të vogla, por sa u takon departamenteve që lidhen me shkencat gjeologjike, kjo është tejet shqetësuese dhe alarmante. Mund të verifikohet me lehtësi të madhe duke vënë para përgjegjësisë ata që janë paguar për ta bërë punën si duhet, e jopër të vënë në gjumë një department apo institut prej shumë vitesh, në veçanti departamentin e gjeologjisë duke e çuar atë drejt shuarjes.

Nëse janë dhënë para për punë, duhet gjetur destinacioni ku janë shpenzuar ato brenda institucionit.

Vite më parë, erdhi për vizitë Kryeministri Berisha për të promovuar institutin e bashkuar (IGJEUM) por, kush mundi ta takojë dhe t’ja thotë të vertetat për katandisjen e studimeve shkencore pa asnjë mbështetje?!

Skenari i vizitës ishte menduar mirë nga ata që deshën gjumin dhe jo punën në këtë institucion.

E verteta është se aina mbajti një fjalim premtuespër shkencën, siç theksova më lart, dhe ne kujtuam se do të ndryshojë gjendja, në realitet asgjë nuk lëvizi. “E thëna dhe e bëna janë larg sa hëna” -thotë Labi. Fjalën “gjeologji” nuk e zuri në gojë, ndoshta ashtu i ka patur informacionet. Drejtorët çfarë nuk bëjnë?!

Artikujt shkencorë që janë botuar nëpër revista të huaja, nga ata që nuk pajtoheshin me gjumin, në dijeninë time janë paguar nga vetë antarët e stafeve akademike, me lekët e pagave. Po ashtu edhe pjesëmarrja në kongrese, simpoziume apo konferenca ndërkombëtare nuk është financuar, pa ditur rastet e financuara me miqësi. Kërkesat për financime flinin syrtareve e dosjeve të pafundme.

Është normale kjo!? Bëhet kështu shkenca!?

Shkenca do para dhe njerëz të aftë, do laboratore e paisje të kohës, për të patur produkt, nuk do drejtuesllustraxhinj dhe servilë.

Le të themi dy fjalë për projektet jashtë institucionit. Edhe ato pak projekte që u paraqitën para disa vitesh, për t’u pajisur me laboratorë nëpërmjet financimeve nga Banka Botërore nuk u miratuan në Bordin e Komisionit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Le të kthehemi pas në vite. Po të shikoni projektet që kanë fituar në vitin 2011, shumica janë projekte, realizimi i të cilëve nuk ka sjellë asnjë ndikim në fuqizimin e ekonomisë kombëtare dhe, rradha duhej t’i lihej institucionit më të ri. Por këto projekte kanë ca para pas dhe aty ndyshon puna, nuk është më në pyetje laboratori apo diçka tjetër, nuk është në pyetje rimëkëmbja e institucioneve, por xhepi.

Shkencë për shkencë nuk i duhet askujt.

Në godinën e restauruar (ku edhe sot e kësaj dite muret e kateve të para janë të mykura nga rrjedhja e ujit, pasi ngrohja dhe ftohja qendore asnjëherë nuk funksionuan) ambientet e parashikuara për laboratore u përshtatën për zyra pas bashkimit me Institutin e Energjise, Ujit dhe Mjedisit. Detyrat e gjeologjisë në Urdhërin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës për krijimin e institutit të bashkuar, nuk ishin më në plan të parë dhe me paqartësi shkencore të mëdha. Për të ardhur keq. Pra, kalohej nga një institut i formuar me vendim qeverie, në një institut të formuar me urdhër ministri.

Ndërsa po përgatitej materiali, për t’i kërkuar Senatit Akademik të UPT-së të asaj kohe që, në Institutin e Gjeoshkencave të përfaqësoheshin me dy departamente, ish Instituti i Naftës e Gazit dhe ish Instituti i Minierave e Teknologjisë së Pasurimit të Mineraleve, me 40 vjet veprimtari e kontribute të jashtëzakonshme, po në këtë kohë ndërmerret veprimi i bashkimit, sipas tyre me kërkesë të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Kjo gjë justifikohej me Raportin e Grupit të Vlerësimit të ngritur prej tij, për të dy Institutet, me Urdhërin nr. 222, datë 22. 04. 2010.

Në atë raport, u kërkua mbështetja dhe forcimi i instituteve, deri në shkëputje nga UPT-ja, edhe pse në atë komision nuk pati asnjë specialist të fushës së gjeologjisë. Në mbledhjen e Senatit Akademik te Universitetit Politeknik të Tiranës, që u bë në zbatim e në kordinim të plotë me këtë urdhër të ministrit, votat e pakta kundër bashkimit nuk mundën ta ndryshonin vendimin e bashkimit, pasi masat ishin marrë me kohë.

Nuk është vendi të nënvizojmë këtu kontributet e gjeologjisë shqiptare, të kësaj shkence madhore, dinamike e dobiprurëse për kombin, për zhvillimin ekonomik të vendit, për sot e për brezat që do të vijnë. Me keqëardhje vumë re se, gjërat filluan të rrjedhin ndryshe, të mendohen ndryshe, duke vepruar me shpejtësi në zbatimin e objektivit të bashkimit, pa marrë aspak mendimin e stafit akademik të institucionit!?E habitshme!

Pas bashkimit, Instituti i Gjeoshkencave, me pak fjalë, e humbi misionin e tij. Tashmë ai ështe plotësisht në vendin e gabuar ku dhe vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite.

***

Më mirë vonë se kurrë

Reforma në fushën e shkencave gjeologjike për të cilën u diskutua gjerë e gjatë, gati katër vite rrjesht, e që u materializua me vendimin e Këshillit të Ministrave,nr. 561, datë 22. 08. 2007 (pa folur katër vite më vonë, për shkrirjen e tyre me vendim po të Këshillit të Ministrave nr. 490, datë 06. 07. 2011 dhe, vetëm pak javë pas tij, u pasua me Urdhërin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, nr. 371, datë 28. 07. 2011, për krijimin e  Institutit të bashkuar-IGJEUM), midis të tjerave i ka “copëtuar” institucionet e shkencave gjeologjike.

Reforma ka nevojë të rishikohet nga grupe specialistësh, të aftë e larg interesave personale e politike, në të mirë të përmirësimeve të domosdoshme që ka nxjerrë ecuria e deritanishme e saj, për vet specifikat që kanë shkencat gjeologjike dhe që duhet të merren parasysh. Specialistët e stafeve akademike, rreth problemit në fjalë janë shprehur se nuk u morën parasysh mendimet e tyre për reformën. Këtë punë nuk mund ta bëjnë vetëm një, dy apo tre veta, siç edhe mund të ketë ndodhur!

Lind natyrshëm shqetësimi rreth këtij problemi të mprehtë e shumë serioz: kush e bëri projektin fillestar për reformën në sektorin e gjeologjisë, cilët janë specialistët e grupit të punës që përgatitën projekt-vendimin që është edhe me gabime të rënda shkencore?! Qeverisë dikush ia bën gati ato!? A kemi të drejtë të pyesim në lidhje me reformën: Përse u punua me disa standarte?! Qendra Spitalore Universitare kryen edhe shkencë edhe shërbime, Qendra Albanologjike u krijua si qendër ndërunuiversitare (sot Akademia e Studimeve Albanologjike), jo në varësi të Universitetit. Përse nuk u reformuan edhe shkencat gjeologjike brenda për brenda SHGJSH-së duke patur si model QSU-në?

Vend i vogël jemi ne. Pse duhen kaq shumë struktura të dubluara dhe pa efektivitet? Kështu mund të vazhdojmë gjatë dhe përgjigjet mendoj se nuk janë të lehta për t’u dhënë!  Më mirë vonë se kurrë thotë populli. Kjo fjalë e urtë dhe e artë e tij duhet patur parasysh më shumë se kurrë për rastin konkret. Të njohësh gabimet gjatë rrugës dhe t’i riparosh ato, nuk është dobësi, asnjëherë nuk është vonë ta ndalësh të keqen, përkundrazi, është guxim që sjell rezultate dhe pengon përsëritjen e gabimeve në rrugën e reformimit e të zhvillimit, e në disa raste, duke bërë dhe një analizë të ecurisë.

Vendi ynë nuk duhet të këtë disa institucione gjeologjie të coptuara, duke llogaritur këtu edhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN-në, aq më tëpër të ndara, të dubluara, për të mos thënë dhe të përçara, apo institute të zhdukur si Instituti i Naftës e Gazit, Instituti i Minierave, në një Shqipëri të vogël e me shumë halle, në një Shqipëri ku truri, në veçanti në këtë fushë, ose është plakur shumë ose ka migruar jashtë vendit, pa përmendur këtu problemin e trashëgimisë profesionale që vazhdon të çalojë keqas edhe në sektorë të tjerë të shkencës shqiptare dhe, do të ketë pa diskutim pasojat e veta tejet të rënda në të ardhmen dhe për të cilën pothuaj ka heshtje të plotë.

Nuk di nëse ka aponuk ka kryeministri aktual këshilltarë për gjeologjinë dhe minierat?

Këtë pak pasuri truri që ka mbijetuar gjatë tranzicionit të tejzgjatur, duhet ta orientojmë e jo ta shpërndajmë në institucione dubluese, në rrugë të gabuara me organizime burokratike, siç mendoj se ka ndodhur, siç u veprua me reformën që u bë me institucionet e shkencave gjeologjike, pa folur për reformën shkencore në tërësi, ku në fund drejtimi i institucionit ka përfunduar në dorën e një kuadri që vetëm me gjeologjinë s’ka lidhje, apo në dorën e një administratorie, ku në rastin konkret për këtavlenë një thënie e bukur popullore:

“Punon ariu në majë të malit dhe hanë mizat në bythë të kalit”.

 

Ndonëse dëshira për reformën mund të ketë qenë e mirë, rezultati nuk flet në favor te saj. Gabimet që u bënë gjatë rrugës në zbatim të saj, nga përgatitja e sidomos nga mos-zbatimi i vendimit të qeverisë, edhe ashtu siç u formulua e u miratua, ku fjala gjeologji nuk gjendet në strukturë, diktojnë urgjencën për të riparë e vendosur në vendin e vet gjërat që nuk u bënë mirë, zgjidhjen e problemeve që kanë dalë nga eksperienca disa vjeçare.

***

Në vend të mbylljes

Dikush mund t’i kundërshtojë këto që parashtrova por, një rishikim i ecurisë së deritanishme të reformës nga specialistë të përgatitur të stafeve akademike, këtu kam parasysh edhe plejadën e papërsëritshme të profesorëve të Fakultetit të Gjeologjisë dhe të Minierave dhe të ish Institutit të Kërkimeve e Studimeve Gjeologjike, e thënë ndryshe të themeltarëve të gjeologjisë shqiptare, tashmë në pension, që e njohin thellësinë e problemit dhe që shiu i ftohtë i lartësive, jo rrallë herë u ka pikuar në tasin e përsheshëve në çadrën e tyre të ngritur mes maleve e pllajave në kërkim të mineraleve të dobishme etj., do të përbënte një garanci e premisë, dhe një ogur të mirë për të ecur në drejtimin e duhur.

Punët e mira bëhen me njerëz të ditur që përfundimi të jetë i ndritur. Nëse nuk ndodh kështu do kemi pasoja shumë të kushtueshme për ekonominë e vendit.

Debati i hapur e i lirë shkencor sjell rezultate. Unë mendoj dhe besoj se, në një kohë shumë të shkurtër gjërat mund të vendosen në vendin e vet, mjafton që të ekzistojë dëshira e vullneti i mirë, nisur dhe nga fakti se në Ligjin e ri të SHGJSH-së, që u miratua në parlament vite më parë, puna shkencore ngelet detyrë themelore e këtij institucioni, ndërkohë që qeveria në vitin 2007 kishte ngritur për këtë qellim IGJEO-n, dhe që e shfuqizoi për t’i hapur rrugë bashkimit që u bë, duke thelluar gabimin.

Krijimi i një institucioni të bashkuar brenda lloit, e theksoj brenda lloit, nën emrin kuptim plotë SHGJSH, do të ishte një zgjidhje, duke ruajtur strukturën e pagave të stafit akademik, pasi niveli i tyre ndikoi shumë në ndarjen e tre institucioneve nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar. Cilësuam fjalën “ndarje” pasi, praktikisht ato nuk u shkëputen sipas VKM-së përkatëse. Kësisoj i jepet fund një herë e mirë shpërdorimit të dokumentacionit shkencor gjeologjik të realizuar në dekada dhe organizimeve jo efektive në dëm të saj. Institucioni i bashkuar (siç i ka Amerika, Anglia, Franca, Spanja etj., apo vendet fqinje si Turqia, Greqia etj.), ku do përfshiheshin gjeologjia e mineraleve të dobishme të ngurta, naftës e gazit, gjeofizika (përfshirë pa diskutim sizmologjinë, si pjesë e gjeofizikës), gjeokimia, pse jo dhe minierat etj., siç e kanë shumë vende të botës, më të zhvilluara se ne dhe, me sipërfaqe e popullësi shumë herë më të madhe se ne, do të përbënte gurthemelin e një organizimi afatgjatë dhe dobiprurës edhe në drejtimin e mos rrjedhjes së informacionit. Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet me Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave, zgjidhet natyrshëm, me marrëveshje e mirëkuptim reciprok kur, ky i fundit e kërkon një gjë të tillë në fushat përkatëse, praktikave mësimore apo studimeve pasuniversitare, pasi janë interesa objektive reciproke, që e bëjnë domosdoshmëri të kohës bashkëpunimin ndërinstitucional.

 

Në fund të fundit, edhe fakulteti është pjesë e Shërbimit Gjeologjik. Kam mendimin se vendet e vogla (shtetet e vogla) bëjnë më shumë shkencë të aplikuar, për arsyen e thjeshtë se nuk kanë mundësi financiare, kurse shkencën e mirëfilltë fondamentale e bëjnë shtetet e mëdha dhe të fuqishme.

 

Ish Instituti i Gjeoshkencave duhet të kaloj në varësi të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, me gjithë ambientet që ka sot, duke patur përparësi kryesoretë punimevefushore rilevimet gjeologjike të shkallëve të ndryshme, sipas parimit: “Pa rilevime gjeologjike nuk ka shkencë gjeologjike”. Përndryshe nuk kuptohet vazhdimi i mëtejshëm i varësisë së institutit nga universisteti duke pritur rrogat si pensionistët dhe duke bluar ndonje “drith të vjetër” të ngelur nëpër dosjet e tyre të vjetra.

 

* Autori i shkrimit ka titullin akademik profesor i asociuar, ish punonjës shkencor në Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit dhe pedagog i jashtëm në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave, pranë Universitetit Politeknik të Tiranës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here