At Antonio Bellusci, i vlerësuar për veprën e tij si historian, folklorist dhe etnograf shumë i rëndësishëm i traditës arbëreshe dhe arvanite, mbajti një leksion të hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet.

“Skënderbeu ndër Arbëreshët” ishte tema e ligjëratës dhe gjithashtu ai bëri dhe promovimin e tre librave me titull “Ricerche e studi tra gli Arberori dell’Ellade”; “Gli Arberori-Arvaniti un popolo invisibile” dhe libri “Antologji Arbëreshe – prozë dhe poezi gojore”.

Në aktivitetin e organizuar morën pjesë At Antonio Bellusci, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, Brizida Gjikondi dheErion Kristo.

Në fjalën e tij Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, ndër të tjera tha se, “muzeu Historik Kombëtar është i nderuar të ketë sot At Antonio Bellusci. Muzeu Kombëtar ka në misionin e tij të promovojë trashëgiminë kulturore dhe historinë e Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit. Arbëreshët jo vetëm e ruajtën gjuhën dhe kulturën, por kultivuan një histori të lavdishme politike, fetare, letrare, artistike dhe gjuhësore”,u shpreh Koçi.

”Figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ka luajtur një rol vendimtar në kujtesën historike dhe në rrënjët identitare të popullit arbëresh. Ajo është ura lidhëse mes arbëreshëve dhe shqiptarëve dhe është një nga pikat e referimit që ka sot dhe që ka pasur gjithnjë kultura arbëreshe. Me mitin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, arbëreshët prodhuan një kulturë përtëritëse, pasi përmes figurës së tij u ndërtua dhe jetësua kultura dhe e gjithë kujtesa e kësaj popullate”, theksoi drejtori i muzeut kombëtar Dorian Koçi.

“Përfundimisht, mund të themi se figura e Skënderbeut për kombin tonë dhe për arbëreshët përfaqëson figurën, që i jep kuptim të shkuarës dhe është themel për të ardhmen”,përfundoi Koçi.

At Antonio Bellusci tha se “arbëreshët janë si një muze ku lëviz shpirti i Skënderbeut. Identiteti i arbëreshëve është një fenomen, fenomen i cili është një realitet. Arbëreshët e Italisë kanë ruajtur identitetin e Arbërisë. Komunitetet kanë ruajtur kujtimin historik të origjinës së vendit-nënë”.

”Jam shumë krenar që kam nënshtetësinë shqiptare dhe jam qytetar i vendit nënë të arbëreshëve”, do të përfundonte At Antonio Bellusci.

Për të pranishmit u shfaq, për herë të parë në Shqipëri, dokumentari “Miti i Skënderbeut – Heroi kombëtar i shqiptarëve”.

Gjithashtu, të pranishën në këtë aktivitet ishin dhe shumë personalitete të historisë dhe arkeologjisë, si edhe të interesuar të tjerë. Në fund të takimit të pranishmit i drejtuan pyetje At Antonio Bellusci duke treguar një interes të madh për dijet e tij.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here