Ministria e Kulturës ka vendosur të avancojë projektin për restaurimin, rikonstruksionin dhe riformulimin e linjës muzeore në Muzeun Historik Kombëtar në kryeqytet. Institucioni ka hapur garën për shërbimin e konsulencës për ndërtimin dhe realizimin e konceptidesë së studios Së arkitektëve Casanova-Hernandez, të cilët fituan konkursin për muzeun në vitin 2015.

Për shërbimin e konsulencës është vendosur në dispozicion një fond limit prej 33.3 milionë lekësh, ndërkohë që operatori fitues do të duhet të ndihmojë në zgjidhjen e një sërë problematikash si ajrimi, lagështia, temperatura, ndriçimi, instalimet elektrike dhe hidraulike, etj.

Transformimi i Muzeut, krahas godinës fizike, do të prekë mbi të gjitha anën e linjës muzeore, duke i bërë ekspozitat më tërheqëse dhe gjithëpërfshirëse.

Studioja ka dizajnuar edhe një logo të re për Muzeun Historik, të bazuar mbi gërmën “H”, e cila do të ndryshojë në grafikë në bazë të pavioneve dhe aktiviteteve të ndryshme. Po ashtu, fasada e jashtme e muzeut do të ndryshojë ngjyrat, në mënyrë të ngjashme me ndriçimin e instaluar në vepra të ndryshme botërore si Kulla Eiffel.

Sipas konceptit të studios holandeze, Muzeu do të rrisë pjesëmarrjen e qytetarëve përmes hapësirave të reja dhe formave interaktive. Rritja e komunikimit do të bëhet edhe përmes aktiviteteve dhe shfrytëzimit të hapësirave si tarraca e Muzeut, e cila mund të kthehet në një pikë atraktive.

E gjithë ndërtesa do të kthehet në një hapësirë publike me akses të lirë, falë integrimit të elementëve si librari, kafene, ekspozita të përkohshme, dhoma shumëfunksionale dhe dhoma edukative.

Restaurimi i Muzeut Historik Kombëtar vjen në një kohë kur turizmi në Shqipëri regjistron rritje të konsiderueshme dhe numri i vizitorëve në muzetë e vendit është rritur me mbi 1/3.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here