Hetim administrativ personave përgjegjës për vonesat e legalizimeve

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje  se do të nisë hetimi administrativ për të identifikuar personat përgjegjës për vonesat në dhënien e lejeve të legalizimeve.

Në takimin e organizuar në Sallën e Hartave në Kryeministri, kreu i qeverisë theksoi se “në vazhdim të hetimit administrativ do të nxjerrim konkluzione për pse-në e këtyre vonesave në dhënien e lejeve të legalizimeve dhe ata persona rrezikojnë largim nga puna e deri në ndjekje penale”.

Duke dëgjuar rastin e qytetarit Artan Malaj, babai i të cilit kishte aplikuar që në 2005, pra prej 15 vitesh për leje legalizimi, Rama tha se “faleminderit edhe juve, përfituesve që ishit të pranishëm për të përcjellë eksperiencën personale sepse çfarëdo që të them unë dhe koordinatorët e platformës mbetet në kuadrin e një procesi komunikimi të pailustruar”.

Kryeministri Rama nënvizoi se “në mënyrë të përjavshme do të bëjmë një proces të tillë për të rritur ndjeshmërinë për të dhënë sa më shumë informacion dhe për të rritur sa më shumë besimin se këtu fle një nga lepujt më të mëdhenj të ferrave të së shkuarës dhe këtu kemi një nga çelësat më të sigurt për të hapur derën e së ardhmes dhe për të pasur një administratë 100% në funksion të qytetarëve”.

Qytetari Artan Malaj në lidhje me platformën u shpreh se “koha e humbur nuk mund të kthehet , por minimumi ka për të zvogëluar stresin e pritjes dhe nuk është pak”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *