Interesat e bonove të thesarit pësuan një rënie të mëtejshme në ankandin e kësaj jave, në dëshmi të kërkesës së lartë të investitorëve për këto instrumente. Në ankandin e të martës, bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar 2.18%.

Interesat shënuan rënie për të tetin ankand radhazi dhe që nga fillimi i vitit ato kanë rënë me rreth 0.6 pikë përqindje. Rënia e interesave është kuptueshme duke parë raportet mes kërkesës dhe ofertës në tregun primar të letrave të borxhit të qeverisë.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Në ankandin e të martës, kërkesat arritën vlerën e 10.7 miliardë lekëve, ndërsa shuma e shpallur për financim nga qeveria ishte 8.7 miliardë lekë.

Tregu dhe kryesisht bankat kanë likuiditete të bollshme, edhe sepse kreditimi i sektorit privat në muajt e parë të vitit po ecën me ritme të ngadaltë. Ulja e interesave të bonove të thesarit ndihmon në transmetimin e politikës monetare stimuluese në ekonomi.

Kreditimi afatgjatë në lekë kryesisht mbështetet në ecurinë e interesave të bonove, mbi të cilat aplikohen marzhe fikse. Rrjedhimisht, interesat e ulëta të titujve qeveritarë favorizojnë kreditimin e lirë në monedhën vendase, duke lehtësuar rritjen e konsumit dhe investimeve të reja në ekonomi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here