BISEDË ME AMILDA ÇELMETËN, Si u punësova INFERMIERE NË GJERMANI

Nga Tatjana KURTIQI, shkrimtare

Amilda Çelmeta

 Natyrisht, nuk është e vetmja. Tashmë, që prej dy vjetësh, Gjermania ka të punësuar nëpër klinikat e saj mjekësore mbi 150 infermierë e mjekë shqiptarë. Amilda Çelmeta, 30 vjeçe nga Tirana, është një nga këto të përzgjedhura nga Akademia gjermane “Dekra”, për të punuar si infemiere në Gjermani. Ajo ka mbi një vit, që shërben në klinikën e famshme gjermane “AWO”, e cila “mbulon” me shërbime infermieristike më shumë se gjysmën e teritorit të këtij shteti. Para pak kohësh, Amilda dhe dy eksperte gjermane të fushës së personelit mjeksor infermieristik, ishin caktuar nga drejtoria e kësaj klinike për të zhvilluar disa orë leksione me studentët shqiptarë të “Dekra”-s, këtu në Tiranë. Gjatë atyre ditëve që ishte edhe me pushime në Shqipëri, arritëm t’i merrnim një intervistë për gazetën “Ballkan”.

Të punësohesh në Gjermani, është një nga sfidat e guximshme që synojnë mjaft të rinj e të reja shqiptare sot në kushtet e ekonomisë së tregut. Dhe pikërisht, me këtë sfidë guxoi të përballej edhe vajza nga Tirana, Amilda Çelmeta; dhe ia doli me sukses.   

Cila ishte tema e leksioneve, që ti Amilda, së bashku me dy ekspertet gjermane të shërbimit infermieristik zhvilluat para studentëve shqiptarë të akademisë “Dekra” në Tiranë?

-Në fakt, që prej dy vjetësh, akademia gjermane “Dekra” në Tiranë ka krijuar një përvojë mbresëlënëse: Para nisjes të kontigjentëve të infermierëve, që arrijnë të diplomohen, (ku hyjnë edhe niveli “B-1” dhe “B-2” i gjermanishtes), ata zhvillojnë dhe një cikël leksionesh, që kryesisht synon t’i “klimatizojë” apo përshtasë ata me sistemin shëndetësor gjerman. Studentëve shqiptarë ju tregohen standartet e punës, afatet e punësimit, aplikimet e dijeve infermieristike kur të shkojnë në shtetin gjerman, metodat përdorimit të mjeteve moderne mjekësore e logjistike, mënyra e akomodimit atje, etj,etj. Në fakt, mua më erdhi krejt papritur ftesa e drejtorisë së Klinikës gjermane AWO për këto orë leksioni. Unë sapo kisha ardhur me pushime në Tiranë, kur më telefonuan dhe më thanë se “jeni përzgjedhur që të zhvilloni në Shqipëri pranë studentëve të “Dekra”-s disa orë leksione, bashkë me dy ekspertet e drejtorisë së personelit të Klinikës AWO”. U emocionova. Madje më thanë që “mund të ftoni edhe prindërit tuaj aty kur të jepni leksion”. Dhe ata erdhën. Për mua ajo ishte një ditë plot mbresa.  

Si një e diplomuar e akademisë gjermane “Dekra”, do të donim të dinim çfarë ju shtyu të studionit në këtë akademi?   

-Kjo është një histori më vete. Unë kam disa vite që jam diplomuar në fakultetin e “Infermierisë së Përgjithshme” në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës; dhe më pas, edhe në Universitetin Amerikan të Tiranës për “Fizioterapi”. Me dy diploma në xhep dhe isha pa punë prej kohësh. Ku nuk aplikova për një vend pune! Por as në shtet dhe as në privat, nuk më tha kush “eja”. Dhe kisha mbaruar me rezultate të mira. Kështu që u mërzita shumë. Jo pak, por rreth 6 vjet pa punë. Kushedi sa herë e kam dërguar “CV”-në time nëpër institucione, dhe ata më thonin vetëm “mirë; na lini numrin e telefonit, mbase ju njoftojmë”. Unë prit, ata hiç. Familja ishte në vështirësi ekonomike; babi pa punë, vetëm me pensionin. Më pas, hoqën edhe mamin nga puna. Edhe unë pa punë… Më thuaj ç’të bëje në këto kushte!?

Dhe humbët shpresën? Si vepruat më tej?         

-Çuditërisht, jo. “Nuk ka mundësi, thoja me vete; në mos sot, nesër, dikush në shtet apo në privat do më telefonojë për punë”. Kur, një ditë më thotë mami, se kish dëgjuar në televizor që  një firmë gjermane te Hotel “Tirana” kish prezantuar çeljen e një programi studimi në një akademi që ishte enkas për gjuhën gjermane, ku preferoheshin kontigjente të fushës së infermierisë. Madje, mami të nesërmen, për ta saktësuar informacionin, shkoi vetë atje, duke dëgjuar konferencën për shtyp të njerëzve të firmës gjermane te Hotel Tirana. Dhe erdhi me vrap tek unë, gjithë gëzim. “Amilda, më tha, o Zot, më duket se do zgjidhet dhe problemi yt. Mos u mërzit, ke mami. Do shkosh të studjosh për dy vjet për gjuhën gjermane dhe specialitetin tënd si infermiere në akademinë “Dekra”, që sapo qenka hapur këtu në Tiranë”. U mbusha me optimizëm, nga ky çast.

Dhe nisët studimet në “Dekra”?

-Po, për dy vjet rresht, studjova në akademinë gjermane “Dekra”, në Tiranë, ku më e vështira ishte gjuha gjermane. Sa vija në shtëpi ulja kokën mbi libra. Madje, rrija deri në orën 03.00 të natës duke studiuar. Lija edhe babin pa gjumë, pasi mbaja dritën ndezur në dhomën ku ai flinte. “Nuk ka problem, më thoshte babi, mbaje dritën ndezur, se edhe ashtu, mua më zë gjumi”. Në fakt, e ndjeja që as ai nuk flinte.  

Cili ka qenë moment më mbresëlënës për ty gjatë kësaj periudhe studimi?   

-Kuptohet, marrja e diplomës së “Dekra”-s, që nënkupton edhe marrjen e dy niveleve të gjermanishtes “B-1” dhe “B-2”. Aty nisin pastaj procedurat për punësim në Gjermani. Pastaj, kur mbërrin në Gjermani, në klinikën që të ofrojnë, të pret sfida e radhës. Kërkohet liçensa gjermane si infermiere, ose “Urkunde”, siç i thonë. Pas kësaj, duhet të jesh gati për t’u përshtatur me faktin që je larg familjes, që je në punë në një klinikë mjeksore të shtetit më të fuqishëm të Europës, etj, etj.         

Momenti më i vështirë për ty?

-Momenti më i vështirë? Në fakt, nuk e kam të lehtë ta ndaj. Mendoj se ka qenë nata kur u nisa për në Gjermani. Unë kam qenë gjithmonë pranë familjes, dhe më duhej të largohesha për punë jashtë shtetit, larg shtëpisë. Kjo ka ngjarë para një viti e ca, por që gjithnjë e sjell ndërmend. Avioni do nisej herët për në Berlin dhe unë duhej të dilja nga shtëpia aty rreth orës 04.30, pas mesit të natës. Isha e trazuar. Nga një anë gëzohesha që do punësohesha në Gjermani, nga ana tjetër dhimbje që do largohesha nga familja. E kaluam atë natë pa gjumë; unë motra ime Marinela dhe një shoqja ime e ngushtë, Marvina Shylla, juriste. E kam më shumë se shoqe, e kam si motër. E, si e kemi kaluar atë natë. Kemi qeshur e kemi qarë… Të gjithave na shkonin lotët çurg! Para nisjes, kur po ndaheshim i thashë motrës, Nelës, edhe ajo e përlotur keq: “Çfarë’ke?”, i thashë; “mos qaj, se ja, po të lë motrën, Marvinën”.    

Si ndjehesh në Gjermani, atje në Erfurt ku ti punon e jeton?

Tashmë kam fituar përvojën time të punës në Klinikën AWO-Ilmenau, Erfurt dhe ndjehem mirë. Në Gjermani gjërat nuk funksionojnë si në Shqipëri. Gjermania është lokomotiva e Europës, dhe nuk është pak të punosh në këtë vend. Atje është gjithçka në perfeksion. Konkretisht; kushtet e punës si infermiere “lehtësohen” nga modernizimi i sistemit mjeksor. Nuk ka pengesa “burokratike”, nuk ka “miq”, siç ndodh  rëndomë në spitalet shqiptare. Aty ka punë sipas protokolleve fikse dhe procedurave standarte mjekësore. Por, e thashë, më mungon shumë familja.

Për kaq kohë sa je në Gjermani, deshëm të dimë, a flasin mediat gjermane për punësimin e shqiptarëve në Gjermani, dhe çfarë thonë?

-Informacion të plotë nuk kam. Vetëm di të them, që qysh në muajt e parë gazetarët gjermanë na kanë takuar ne, katër infermierëve shqiptarë që ishim në Erfurt. Dhe shkruan një artikull në gazetën e tyre “Freies Wort” të Thyringenit, me titull: “Fillim i ri në veri të Gjermanisë”, ku vlerësonte guximin tonë për t’u futur në sistemin shëndetësor gjerman të punësuara si infermiere. Mbaj mend që gazetari gjerman Gerd Dolge, më pyeti në një moment: “Vetë e more këtë hap, apo të shtynë prindërit?”. “Jo, i thashë, e vendosa vetë; askush tjetër!”. Kurse një kolege gjermane më tha një ditë: “Bravo Amilda, je një vajzë e guximshme! Unë, po të isha në vendin tënd, nuk do arrija ta bëja një gjë të tillë. Je kurajoze”.     

Larg shtëpisë; për kë të merr malli më tepër?   

-Për të gjithë, pa dyshim; por mbi të gjitha për djalin e motrës, Marinin e vogël 5 vjeç e gjysëm. Kur flasim gati çdo natë me “skajp” ai ma këput shpirtin kur më thotë: “O teze, kur do vish, se mua më ka marrë malli!?”.    

 Sa e rëndësishme është familja për ty?  

-Familja është gjithçka. Babi, mami, motra; ata janë heronjtë e mi. Prindërit e mi kanë punuar gjithë jetën pa pushim; me ndershmëri e dinjitet. Dhe nuk u ankuan një herë, nuk thanë një herë “u lodhëm!”. Sot, dëgjojmë pa fund nga media për abuzime me postet zyrtare, me vendin e punës, etj, etj. Kurse babai im, Xheladini, ushtarak, doli në rezervë me gradën “nënkolonel” me një pension qesharak. Dhe imagjinoje; ka qenë gjithë jetën larg shtëpisë me shërbime të gjata gatishmërie, si oficer kundërajror, më pas si gazetar ushtarak; dhe nuk ka një makinë. Edhe sot e kësaj dite udhëton me një biçikletë të vjetër, që e ka blerë përpara se unë të lindja, që në vitin 1985(!). Me të shkonte në repart, madje duke udhëtuar nga një rreth në tjetrin. Duket e pabesueshme. Po ashtu edhe mami, Adile Çelmeta. Edhe ajo ushtarake, infermiere për shumë vite në Spitalin Ushtarak. Kur e deshi detyra e Atdheut, në vitin 2008 mami im shkoi në luftë në Afganistan në mision paqeruajtës. Dhe kur ka ikur atëhere në mes të natës, për në Kabul, na ka lënë një letër mbi tavolinë ku na shkruante: “Nela, Milda! Mami po ikën larg për ca kohë. Kujdes mësimet; mos e mërzitni babin. Ju dua shumë. Mami!”. Nuk na zgjoi kur iku. Në mëngjez, unë dhe motra pamë që mbi atë letër të shkruar me ngut, kishin rënë lotët e saj. Dukej qartë se ajo ish munduar ti fshinte me dorë… Por gjurmët e lotëve kishin mbetur mbi letër… Unë jam krenare që zgjodha rrugën e mamit tim. Jam krenare që u bëra infermiere, si ajo.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here