Qeveria ka vendosur të bëjë ndryshime në tre ligje të lidhura me taksat duke ofruar kështu praktikisht një paketë të dytë       brenda vitit 2018. Ndryshimet vijnë në kushtet e mbështetjes së agroturizmit me disa lehtësi si dhe rregullime të tjera për biznesin në tërësi. Por cilat janë në fakt taksat që ndryshojnë.

Drafti për tatimin mbi të ardhurat

Ndryshon shkalla tatimore e biznesit. Shkalla e tatimit mbi fitimin është: 15 % për tatimpaguesit me të ardhura gjithsej 14.000.001 lekë në vit; 5 % për tatimpaguesit me të ardhura gjithsej 14.000.000 lekë në vit. Aktualisht paguhet 15 për qind për tatimin 8.000.001 dhe 5 për qind deri në 8.000.000.

Për të gjithë subjektet që certifikohen për aktivitetin e agroturizimit shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 %. Norma e reduktuar e tatimit mbi fitimin 5 % e parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin “subjekt i çertifikuar agroturizmi” deri në dhjetor 2021. Efektet e normës së reduktuar fillojnë në vitin pasardhës pas përfitimit të statusit “subjekt i çertifikuar agroturizmi”.

Për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas Ligjit Nr. 38/2012 “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 %.

Për lojrat e fatit drafti bën një riformulim më të saktë të ligjit për atë se çfarë do të quhen të ardhura bruto nga loja duke cilësuar se taksimi do të bëhet pas zbritjes së fitimit nga loja.

Drafti për taksat vendore

Në këtë ligj qeveria ka vendosur të bëjë vetëm një ndryshim i cili lidhet me përjashtimin e subjekteve të çertifikuara në agroturizëm nga pagesa e taksës së infrastrukturës.

“Përjashtohen nga pagesa e kësaj takse edhe investimet e personave juridike “subjekt i certifikuar agroturizmi”, të të kryera në fushën e agroturizmit, sipas përcaktimeve të bëra në Ligjin nr. 93/2015 “Për Turizmin” dhe kur veprimtaria e tyre është në përputhje me kriteret dhe rregullat e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 22, datë 12.01.2018 “Për miratimin e kritereve për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit.”

Drafti për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar

TVSH-ja e reduktuar në shkallë 6 për qind ofrohet vetëm për shërbimin e fjetjes në strukturat akomoduese ndërkohe që për strukturat me status special me 5 yje furnizim me 6 për qind do të jetë edhe për shërbimet e tjera që ofrohen në këto struktura nga bar restorant, masazhe, sauna.

Tashmë qeveria ka vendosur të zgjerojë bazën e atyre që përfitojnë nga shkalla 6 për qind edhe tek agroturizmi.

“Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6 për qind, aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit, restorantit, me përjashtim të furnizimit të pijeve, të ofruara brenda strukturave në të cilat zhvillohet veprimtari pritëse e çertifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit” thuhet në draft.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here