Nga Andon Dede, Nju York

 

Një përkitje jo fort e këndëshme kjo e dy termave që përmendëm më sipër, në gjuhën tonë, madje do të thosha ndjellakeqe: zgjedhje dhe zgjedhë, kur duhet të ishte e kundërta: që ato të ishin sa më larg apo dhe ta përjashtonin njera tjetrën. Pse e them këtë? Se zgjedhjet e lira dhe të ndershme, janë hapi i parë dhe më i rëndësishmi, pas përmbysjes së diktaturave dhe vendosjes së pluralizmit. Kujtoni vetëm fillimin e viteve ’90, të shekullit të kaluar: Sa u ngazëllyem ne të gjithë për zgjedhjet e para pluraliste?! A ju kujtohet Parlamenti i parë, deputetët e tij, diskutimet që na linin pa gjumë deri pasmesnate? Na dukej një mrekulli e sikur nuk na besohej se i përkiste realitetit tonë, kur kishim parasysh groteskun e zgjedhjeve të Diktaturës, që çoheshim sa më herët, viheshim në radhë dhe hidhnim fletën e votimit në kuti, pa e parë ndofta as emrin e kandidatit…Pyes veten shpesh: si ka mundësi të ishim aq trushpëlarë e pa dinjitet sa të mos reagonim me atë teatër absurd që ia kalonte edhe fantazive të Oruellit?! Por kjo është një çështje tjetër. Kthehemi tek tema që nisëm.

Pse u ndala tek kjo temë apo tek ky problem? Se të ashtuqauajturit “rilindas”, sidomos kreu i tyre, Rama e megafonët e tij të bezdisëshëm, sa herë diskutojnë nëpër portalet e shumta të Televizionit, duan të na mbushin mendjen se populli i votoi përsëri në këtë mandat të dytë nga që pati besim tek ata, edhe pse shumë reforma të tyre kërkuan e kërkojnë një kosto të lartë. A qëndron kjo? Jo vetëm që nuk qëndron por është një gënjeshtër aq e trashë sa mund ta thotë vetëm dikush që i trajton dëgjuesit si dele, edhe më keq se “Enveri ynë”. Këtë e kupton secili që njeh sadopak realitetin e sotëm shqiptar. Nuk e vlen të humbasim kohë për ta argumentuar këtë, se është e qartë si drita e diellit, por megjithtë le të ndalemi sadopak tek “fitorja” e Ramës në qershorin e kaluar.

Jo vetëm Opozita e një pjesë e mirë e analistëve kanë argumentuar bindshëm se ato qenë zgjedhje komplet të blera e të manipuluara, madje me paret e pista të drogës, por këtë e kanë pranuar edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, herë me gojën plot e herë me gjysëm zëri, sipas interesave të tyre. Ato, me të drejtë, janë konsideruar si zgjedhjet më të shëmtuara dhe më të papranueshme të pluralizmit, produkt i drogës dhe i krimit të organizuar, të bërë njësh me qeverinë dhe policinë e shtetit.

Por, për një moment, le ta zëmë se nga Rama e ekipi i tij u fituan normalisht. Sa ishte pjesëmarrja në zgjedhje? Më pak se gjysma e atyre që kishin të drejtë votimi. Sa votuan për të ashtuquajturit “rilindas”? Përsëri më pak se gjysma. Pra, Ramën e shpurrën e tij e kanë votuar gjysma e gjysmës së shqiptarëve që i bije më pak se çereku i popullit. Jo vetëm kaq, por sa e sa të tjerë nga ata që i dhanë votën, e bënë këtë për arsyen e thjeshtë se janë punonjës të administratës e nuk donin të rrezikonin vendin e punës. Hë, pra, a mund t’i biesh gjoksit për një fitore si kjo?

Parë nga një këndvështrim tjetër, zgjedhjet e kaluara ishin nga më të pamerituarat dhe për shumë faktorë të tjerë. Më shumë se fitore e “rilindasve”, ato ishin një dështim i turpshëm i opozitarëve, sidomos e kreut të tyre, Bashës. Me kompromiset e tij të papërligjura ai tërhoqi nga pjesëmarrja në zgjedhje qindra mijëra votues. Këtë e pranojnë tashmë jo vetëm kundërshtarët e tij por dhe ata që arritën të futen në Kuvend. E ashtuquajtura “qetësi” apo “zgjedhje të rregullta si asnjëherë tjetër, pa incidente e kundërshtime të dhunshme”, nuk qe gjë tjetër veçse indiferenca e imponuar e votuesve, tregues ky që nuk e nderon as opozitën dhe as ata që siguruan shumicën e pamerituar. Këto broçkolla mund t’i hajë ndonjë që nuk merr vesh nga pluralizmi e demokracia, por, të na e thonë ata që mbahen për specialistë, siç qe rasti me një ish-kryetar të KQZ-së, në një bisedë televizive, kjo është për të vënë duart në kokë, aq larg jemi nga sistemi që ëndërruam kur u ndamë nga diktatura e shkuar. Po të nisemi me kriterët që Rama e megafonët e tij, vlerësojnë zgjedhjet e qershorit, unë po e them me gojën plot se ato të Diktaturës qenë më të mirat e mundëshme se në to nuk kishte jo më dhunë e kundështime por as edhe një shprehje sado të vogël pakënaqësie, qoftë edhe për gjumin e ndërprerë më herët se zakonisht, se po të vonoheshe kishe pasoja.

Zgjedhjet e fundit dëshmuan edhe njëherë se, në vend që nga njera legjislaturë në tjetrën të ecim sado pak përpara, ne po bëjmë hapa mbrapa, paçka se ndërkombëtarët do përsërisnin si zakonisht refrenin e tyre bajat se “ato ishin përgjithësish të rregullta, me ndonjë përjashtim të vogël”. Ato qenë, as më shumë e as më pak, një zgjedhë e re në qafën e popullit tonë të shumëvuajtur që një Zot e di nëse do të marrë ndonjëherë frymë i lirë. Themi kështu se jo vetëm zgjedhjet e fundit por dhe ato para tyre, kanë lënë shumë për të dëshëruar. Lufta për pushtet tek ne ka qënë dhe është tepër e ashpër. Kam parasysh disa reportazhe nga zgjedhjet e mëparshme, si, fjala vjen, atë që publikoi A.Patozi, për “betejën” e Vorës: tek njiheshe me atmosferën që përshkruante ai, sikur të hynte frika dhe ty si lexues, mendo pastaj se si e kanë përjetuar atë situatë votuesit: nga çasti në çast të dukej se mund të kërciste pushka.

Është folur e po flitet aq shumë për këto probleme sa që të duket e kotë të shkruash e të flasësh për to. E keqja zë fill qysh tek Kodi Zgjedhor, vazhdon me propozimet e kandidatëve dhe finalizohet me proçesin e votimit. Duket e pabesueshme, por është realitet: të shkosh e të votosh për një person që ndofta nuk ia ke dëgjuar as emrin. Po nga ç’motive të nisesh që ta votosh atë? Nga fjalimet që mban e premtimet që jep? Ato nuk i ha më njeri. Ndaj them se duhet ndryshuar gjithçka me rrënjë, në të kundërt zgjedha e zgjedhjeve do të vazhdojë t’ua marrë frymën shqiptarëve edhe më tej. Tek ky realitet i hidhur e ka burimin ajo krekosje e Ramës për fitoren e sigurt edhe në zgjedhjet e ardhëshme. Unë e besoj këtë: ai, tani për tani, i ka mbyllur të gjitha shtigjet për zgjedhje të lira e të ndershme dhe ka krijuar tërë mekanizmat e nevojshme për t’i manipuluar apo blerë ato.

Nju York,

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here