Rreth 2800 individë do të përfitojnë pagesë përmes programit  të nxitjes së punësimit nëpërmjet formimit në punë. Burime zyrtare pranë Shërbimit Kombëtar të Punësimit bëjnë me dije se është bërë një llogaritje që në bazë të fondit të vënë në dispozicion përfitues të jenë rreth 2800 të papunë.

Kryesisht, ky program targeton personat që janë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike dhe trajnohen për të marrë një zanat në mënyrë që të integrohen në tregun e punës. Pagesa është parashikuar të jetë në vlerën e 5500 lekëve në muaj, për 3-5 muaj,  ku dhe është parashikuar një kosto shtesë për  transport për individët që trajnohen larg qendrës së banimit.

Por si do të funksionojë skema? Mënyra e pagesës është menduar të bëhet përmes dy mekanizmave.

E para përmes bizneseve, pra një pjesë e fondit do t’i jepet sipërmarrjes dhe më pas përmes saj do të kalojë tek individi, për ata që zgjedhin të trajnohen nëpër kompani. Për këtë ka hyrë në fuqi edhe vendimi i fundit i qeverisë,  që përcakton mënyrën sesi bizneset mund të aplikojnë për fonde pranë Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Dhe  mënyra e dytë është përmes qendrave të trajnimit profesional, ku pagesa do të shpërndahet nga këto qendra.

Në total nga ky program është parashikuar të përfitojnë rreth 10 mijë persona. Qëllimi është marrja e një zanati dhe integrimi në tregun e punës,.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here