Nga Bled Komini

Ne shqiptarët pavarësisht se e mbajmë veten për nacionalistë të mëdhenj, vetëm në pak raste në historinë tonë kemi ditur ta tregojmë e shfaqim atë. Në përgjithësi mbesim tek deklaratat, tek patriotizmi i përtharë e i ngjyer me doza ideologjie të fermentuara nga filmat e Kinostudios. Një patriotizëm, që në dallim nga nacionalizmi na la më shumë të parën, rrahjen e gjoksit, e jo nacionalizmin e vërtet, atë të të ndjerit krenar që jemi shqiptarë e që sot në Ballkan ka dy shtete që përfaqësojnë kombin tonë.

Jam i sigurtë se pak ditë më parë askush prej nesh, me përjashtim të atyre që e ujdisën, nuk e vuri re “rastësinë” e dy ngjarjeve të ngjashme e në vijimësi me njëra-tjetrën. E para ishte vizita e ish-Zv. Kryeministrit grek Theodhoros Pangalos, ndërsa e dyta ishte aktiviteti i organizuar prej Lëvizjes për Ringjalljen e Vorio-Epirit në Bularat të Gjirokastrës. Dikush me të drejtë mund të pyesë se çfarë kishin të përbashkët këto dy ngjarje?! Dhe është më se normale që duke qenë se pothuajse jemi shkëputur nga e kaluara, kujtesa jonë i ka fshirë disa zhvillime, të cilat na kanë çimunizuar prej pasojave të harrimit të saj.

Të dyja ngjarjet janë të lidhura me një datë, atë të 17 majit 1914. Për shqiptarët ajo përfaqëson një ditë të errët të evidentuar qartë në histori, ndërkaq për grekët ajo është një ditë “triumfi”. Në këtë ditë është mbajtur takimi në të cilin u firmos Protokolli i Korfuzit, një protokoll dritëzi ku  përfaqësuesit e shitur të Fuqive të Mëdha bashkë me Greqinë organizuan një “atentat” ndaj vendimeve të Konferencës së Londrës.

Sipas Protokollit të 17 majit 1914, të nënshkruar në Korfuz ndërmjet Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (ngritur prej Fuqive të Mëdha), dhe qeverisë greke, bihej dakord, që krahinat e Shqipërisë jugore (Korça e Gjirokastra) të vendoseshin në një pozitë të veçantë pro greke, duke u njohur atyre një autonomi që përfshinte: një administratë më vete; një xhandarmëri lokale; greqishtja njihej si gjuhë fetare e komunitetit ortodoks, në shkolla, si dhe në organet administrative. Pra greqishtja do të kishte të njëjtën peshë dhe do ishte e barabartë me gjuhën shqipe. Për ta përmbledhur, Protokolli i Korfuzit, i njohu qeverisë greke, me firmën e përfaqësuesve ndërkombëtarë, që krahinat e Shqipërisë së Jugut, Korça dhe Gjirokastra të kishin një lloj autonomie që i shpinte ato drejt e në qeverisjen greke. Thënë shqeto, favorizohej krijimi i një shteti brenda një shteti. Por fatmirësisht patriotët shqiptarë të asaj kohe, punuan fort dhe me shpejtësi që ky akt të mos gjente hapësirë. Përgjigjen e merituar ai mori me pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve si dhe në vendimin e Konferencës së Ambasadorëve në Paris 1920-1921, ku shtetit shqiptar ju njoh pacenueshmëria e kufijve të vendosur në Londër.

Si ardhja (me ftesë) e Th. Pangallosit, ashtu dhe ngjarja e Bularatit janë bitisur, siç mund të rastisin disa ngjarje të tilla, që përkojnë ngjashëm si dy pika uji, të mbahen disa ditë para kësaj date. Por ajo që e nxjerr më në pah organizimin e falangave që qëndrojnë pas këtyre ngjarjeve, sigurisht është deklarata e mbajtur prej drejtuesit të Lëvizjes për Ringjalljen e Vorio-Epirit, i cili në rrjetin e tij social, ditën e tubimit ishte shprehur se kjo mbledhje përkujtonte pikërisht Protokollin e Korfuzit dhe të rënët që dhanë jetën gjatë vitit 1914. E duke qenë se ngjarja vinte si një takim për 104 vjetorin e nënshkrimit të Protokollit, shteti shqiptar jo vetëm që nuk lëvizi, por lejoi mbajtjen e tubimit, që në thelb është një akt antishqiptar. Kjo për shumë shkaqe të ligjshme, të përcaktuara drejtë jo vetëm prej sovranitetit e Kushtetutës së shteti shqiptar, por dhe prej konventave ndërkombëtare në lidhje me kufijtë e Shqipërisë si dhe pacënushmërinë e tyre. E për më tepër që përkujtimi i një ngjarje të tillë, vjen si shprehje e thirrjeve të nënkuptuara me synim destabilizimin dhe rivendikimin e po të njëjtës kërkesë, sipas linjës së Protokollit të Korfuzit.

Pavarësisht faktit që Greqia, komshiu ynë i pandreqshëm, nga i cili rëndom është thënë se “kalon rruga për në BE”, bën presion me të gjitha mjetet për të përfituar ç’të mundi qoftë në marrëveshjen për caktimin e vijës detare, ashtu si dhe në bisedat diplomatike në tavolinë, kjo nuk e pengon shtetin shqiptar që t’i përgjigjet ligjërisht marionetave të përdorura për arritjen e synimeve dashakeqe dhe t’ia bëj të qartë zbatimin e ligjit kur ai shkelet hapur. Njëkohësisht nuk duhet harruar se po ky shtet i ka shkaktuar vendit tonë dëme të mëdha njerëzore, materiale si dhe ka shkëputur prej territoreve shqiptare padrejtësisht Çamërinë. E ndërkohë që marioneta të tilla përdoren për të ngritur çështje të paqena, mungesa e përgjigjes ligjore u jep atyre të drejtë që të vazhdojnë me thirrjet antishqiptare dhe të kërkojnë gjithnjë e më tepër. Pra, në këtë rast, shprehja “oreksi vjen duke ngrënë” përshtatet krejtësisht me atë çfarë po shohim e dëgjojmë.

Përkundër kësaj, nëse Greqia do ishte një aleat i vërtet dhe do përkujdesej që Shqipëria, si fqinje e saj, të gëzonte prosperitet e zhvillim si dhe të mirëpritej në BE, nuk do guxonte të mbështeste aktivitete të tilla, të cilat nuk është se krijojnë ndonjë klimë pozitive në vend. Symefshtësia e politikanëve shqiptarë për t’i parë këto ngjarje si një ringjallje hibride ndaj disa kërkesave të vjetra, nuk na bën të pavëmendshëm ndaj Greqisë. Përkundrazi sa më të paaftë shfaqen politikanët dhe diplomacia shqiptare, aq më tepër legjitimitet i jepet kundërpërgjigjeve të këtyre provokimeve prej atyre që nuk e harrojnë të shkuarën.

Në fakt ky shkrim nuk do ishte bërë nëse për një çast të vetëm shteti shqiptar, Ministria e Punëve të Jashtme dhe diplomacia shqiptare do kishin reaguar e do kishin treguar vëmendje ndaj këtyre organizimeve. E duke qenë se asgjë e tillë nuk ndodhi, atëherë kuptohet që të kujtuarit e të shkuarës është detyre e të tërë atyre që kanë qoftë edhe një gram dinjitet e atdhedashuri.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here