Nga Çapajev Gjokutaj

Studiuesi I letërsisë Çapajev Gjokutaj, bën më poshtë një analizë të mungesës së kritikës letrare në vend.

Mungon kritika, qarje e qëmotshme, gati-gati refren në ligjërimin tonë për letërsinë. Përtej ankimit dhe qarjes, është mbase më konstruktive të kërkojmë shkaqet.

1.

Mungon kritika, po a ekziston leximi? Ka rënë dukshëm, thonë disa, brezi i ri nuk lexon, ku ne e ku këta! Dhe si argument sjellin tirazhet. Atëherë librat e mirë botoheshin në 20 mijë kopje dhe shpesh nuk i gjeje, një pjesë shiteshin nën banak, për miq e të njohur.

Vërtetë kanë rënë tirazhet, por janë shtuar dukshëm titujt, kundërshtojnë disa. Atë që ka humbur në numër, sot e fitojmë në larmi.

Hajde e gjeje cila është e vërtetë! Si edhe në fusha të tjera mungojnë të dhënat empirike. Diskutojmë me hamendje. Në një tjetër regjistër, ky lloj diskutimi quhet spekullim.

Mirë leximin individual nuk e gjykojmë dot se nuk e masim, po pse e kemi aq të mekët leximin publik? Nuk i praktikojmë thuajse fare grupet apo klubet e leximit. Të rralla e tejet formale janë takimet me autorin, turet në qytete të ndryshme, leximi prej tij në auditor, para lexuesve

Kemi radio dhe televizione të shumta, por leximi i letërsisë në to është i munguari i madh. Këto dhe forma të tjera të leximit tejindividual, do nxisnin artikulim publik për këtë apo atë vepër, për këtë apo atë shkrimtar.

2.

Mungon kritika, por a ekzistojnë mediumet që e kërkojnë, e nxisin, e gjenerojnë? Bashkë me kritikën mungojnë edhe revistat a gazetat e specializuara. Ashtu siç mungojnë edhe rubrikat serioze në media me emër, gazeta a televizione qofshin.

Mungon kritika, por a ekzistojnë lexuesit e kualifikuar e të artikuluar? Lexues, që seleksionojnë e nxjerrin në pah, qoftë me një recensë a qoftë edhe me vetëm një referencë, vlerat që hidhen në qarkullim. Dhe ndihmojnë kështu të nxitet e të orientohet masa e lexuesve të thjeshtë. E bëjnë më të lehtë ndarjen e drithit nga byku e kashta e botimeve.

Me gjasë këta lexues të kualifikuar ekzistojnë, por nuk përqendrohen aq tek vlerat që krijohen në shqip. Dhe në një farë mase është e kuptueshme. Jetojmë në kohën kur librin e mirë, që bën emër në NY, Londër a Paris, mund ta blesh në variant elektronik, njëkohësisht me njujorkezin a londinezin.

3.

Mungon kritika, por a ekzistojnë kritikët? Është profesion jo fort i lehtë, kërkon specializim të hollë, erudicion të thellë e shije të rafinura. Sa punojmë për të përgatitur kritikë në kurse universitare e pasuniversitare; ç’institucione shkencore kemi?

Kjo është vetëm njëra anë e mungesës a pengesës, ana institucionale. Por ekziston dhe ana etike: jemi vend i vogël, ndajmë të njëjtat hapësira, rrjedhimisht nuk është aq e lehtë të vlerësosh tjetrin, pa u ndruajtur a frenuar.

Mungon kritika, por a ekziston tregu i maturuar i librit? Nuk është fjala për kioska e zgëqe që e tregtojnë librin si të ishte qepë a domate.

Kioska edhe kemi, por fjala është për rjet librarish, fizike e elektronike, shpërndarë në gjithë hapësirën shqiptare, të arritshme nga kushdo që dëshiron të lexojë në shqip.

Një treg i maturuar, i shtrirë në gjithë hapësirat shqiptare dhe i arritshëm nga kushdo, pavarësisht se ku ndodhet, do ta bënte më fitimprurëse tregëtinë e librit dhe do ndikonte që të modernizohej edhe procesi i botimit. Të kishte hallkat e veta të domosdoshme, duke filluar nga redaktori, hallkë e rëndęsishme, madje e pazevendesueshme. Sidomos kur nuk katandiset ne korrektor drejtshkrimi, por fqinjeron me agjentin letrar, qe perzgjedh, sugjeron, redakton dhe pastaj edhe përpunon strategjitë e promovimit në publik.

Me tregun e sotëm të librit, i varfër e i mekët, të gjitha këto konceptohen si luks. Natyrisht, tregu i kufizuar, kufizon e gjymton edhe procesin e botimit e më tej ligjërimin për letërsinë.

4.

Dhe më në fund: Mungon kritika, po a kemi letërsi?

Doemos që kemi. Jo vetëm letërsi të traditës së afërt dhe të largët, por edhe letërsi që krijohet e botohet në ditët tona.Por për këtë të fundit del një problem thuajse ekzistencial. Sot kemi një vërshim botimesh të paguar nga vetë autorët, pa kurrfarë seleksionimi, sipas parimit ‘zhgarravit, paguaj e boto’.

Në këtë det byku nuk është lehtë të gjesh drithin letrar. Mund të humbasë e të përfundojë në sosmë. Për më tepër, se fjala, qoftë edhe ajo letrare, nuk ka më peshën e dikurshme, i ka hyrë rëndshëm në pjesë imazhi. Edhe spektakli.

E meqë është koha e spektaklit, s’na mbetet gjë tjetër veçse të performojmë melodramën ‘mungon kritika’.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here