Ndonëse Shqipëria është ndër vendet me rritjen më të lartë ekonomike në Europën Juglindore, kjo nuk reflektohet në treguesit e tjerë  makroekonomisë, të cilët janë më të përkeqësuar se mesatarja e rajonit dhe e Europës në zhvillim.

Sipas tabelave të raportit ekonomik rajonal për Europën, “Të menaxhosh rritjen në kohë të pasigurta” , të sapopublikuar nga FMN, rezulton se në drejtim të rritjes së kredisë, inflacionit, deficitit të llogarisë korente (hyrje daljet e valutës), borxhit publik, kërkesës së brendshme, Shqipëria kryeson listën nga fundi.

Shqipëria është e treta në Europën në zhvillim për nivelin e lartë të kredive me probleme, pas Ukrainës dhe Moldavisë, pavarësisht se niveli i tyre është ulur në rreth 13%.

Me 6.7% të PBB-së, vendi ynë ka deficitin e llogarisë korente të tretin më të lartë pas Malit të Zi dhe Ukrainës.

Rritja e kredisë si për bizneset ashtu dhe për konsumatorët është ndër më të ulëtat në Europën në zhvillim, afër zeros.

Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.7% në vitin 2018, sipas parashikimit që është mbajtur i pandryshuar që nga tetori i vitit 2017. Ndonëse me rritjen më të lartë pas Kosovës (që e ka 4%), zgjerimi i konsumit pritet të jetë vetëm 2.4%, më i ulëti nga gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Europës Qendrore (Bosnja e pret këtë tregues 4%, Mali i Zi 3.5%, Maqedonia 2.7%, Serbia 3.1%.

Rritja ekonomike nuk ka arritur të nxisë as inflacionin, që është rishikuar në ulje për periudhën 2017-2019 me 0.1-0.4 pikë përqindje. Edhe për vitin 2018 inflacioni pritet të jetë 2.5%, poshtë objektivit të shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%.

Investimet e brendshme janë rishikuar në ulje për vitin 2018, me 0.8 pikë përqindje, në 23.7%. Edhe për 2019-n pritshmëritë kanë më të ulët me 0.2 pikë përqindje, në 24.2%.

Shqipëria ka dhe nivelin e borxhit publik më të lartin në rajon, për më tepër të rishiuar në rritje. Për vitin 2018 borxhi publik pritet të arrijë në  71.3%, i njëjti niveli me 2017-n dhe 2.3 pikë përqindje më i lartë sesa pritshmëritë e tetorit.

I vetmi tregues që është rishikuar pozitivisht ai i papunësisë, që pritet të reduktohet më shumë se parashikimet e tetorit. Për 2018-n, papunësia pritet 13.7%, nga 13.8% që ishte pritshmëria e tetorit.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here