Shqiptarët që kanë jetuar dhe punuar në Itali kanë mundësinë të fitojnë pensione sipas kohës që kanë paguar edhe kontributet. Është fjala për pensionin e të riatdhesuarve, i parashikuar nga ligji italian edhe për vende si Shqipëria që nuk kanë marrëveshje dypalëshe mbi mbrojtjen sociale.

“Në rast riatdhesimi përfundimtar, punonjësi jokomunitar me kontratë pune të ndryshme nga ajo sezonale, ruan të drejtat e pensionit e të sigurisë sociale të maturuara në Itali e mund t’i përditojë këto të drejta edhe në rast se nuk ka marrëdhënie dypalëshe mes vendlindjes dhe Italisë” parashikon qartë ligji italian. Por dallohen dy raste, që varen nga fakti nëse pensioni llogaritet mbi bazën e kontributeve të derdhura apo mbi bazën e rrogës:

“1. Nëse punonjësit jokomunitarë të riatdhesuar, ishin punësuar pas 1 janarit 1996, mund të marrin pension të llogaritur në bazë të kontributeve me mbushjen e moshës, edhe nëse nuk kanë përmbushur kriterin minimal të 20 vjetëve kontribute;
2. Nëse punonjësit jokomunitarë të riatdhesuar, ishin punësuar para 1 janarit 1996,  mund të marrin pension të llogaritur në bazë të rrogës dhe me sistemin e përzier (rrogë-kontribute) me mbushjen e moshës por nëse kanë derdhur të paktën 20 vjet kontribute”.

Ky pension nuk ka të bëjë aspak me atë që prej shumë vitesh shqiptarët e Italisë kërkojnë të arrihet, që është një marrëveshje dypalëshe mbi mbrojtjen shoqërore për mbledhjen e viteve të kontributeve të derdhura në Shqipëri dhe Itali, për të pasur një pension dinjitoz për të gjitha vitet e punës të marra së bashku. Deri tani kjo gjë është arritur me disa shtete, marrëveshja më e fundit është ajo me Gjermaninë që ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor të vitit të shkuar.
Praktikisht, sipas ligjit italian, për emigrantët e kthyer në atdhe e që kanë qenë të punësuar para 1996-tës, është i vlefshëm pensioni minimal për italianë e të huaj si të ishin në Itali. Interesant mbetet rasti i parë, i të kthyerve që janë punësuar në Itali nga 1 janari 1996 e këtej, të cilët përfitojnë të drejtën e pensionit pa pasur vjetërsinë minimale që u kërkohet italianëve e të huajve rezidentë në Itali. Nuk u bëhet ndonjë dhuratë, ta kemi të qartë, marrin atë çka u takon sipas për aq kontribute sa kanë derdhur.

Gjithsesi e drejta e fitimit të një pensioni të vogël (për ata që janë punësuar nga 1996 e këtej) apo relativisht të konsiderueshëm (ata që janë punësuar par 1996-tës dhe kanë derdhur 20 vjet kontribute në Itali) është shumë e rëndësishme, por shpesh pak e njohur dhe shumë e vështirë për t’u realizuar. Në fakt, praktikisht kjo e drejtë duhet kërkuar nga Shqipëria – flitet për të moshuar të kthyer përfundimisht në vendlindje – e nuk është aspak e lehtë.

Kushtet që duhet të përmbushin pensionistët shqiptarë për të marrë pension edhe nga Italia

Ashtu si edhe në Itali, kriteri i parë ka të bëjë me moshën. Për të marrë pensionin e të riatdhesuarve, i interesuari duhet të ketë mbushur 66 vjeç e 7 muaj.  Dhe kushti i dytë është minimumi 5 vite kontribute,  në rast se ka filluar punë për herë të parë me kontribute në Itali pas datës 1 janar 1996. Në këtë rast flitet për  llojin e pensioneve të emigrantëve të rikthyer përfundimisht në Shqipëri, pra të atyre që kanë hequr rezidencën nga Italia.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here