Sot mbyllen aplikimet e qytetarëve për kredi të buta në Bashkinë e Tiranës. Kjo është faza e parë e procesit ku qytetarët kanë plotësuar vetëm formularin e strehimit TIP në njësitë bashkiake ku janë të regjistruar.

Tashmë do të bëhet verifikimi i formularëve dhe qytetarët do të kontaktohen për të bërë gati dokumentacionin përkatës që vërteton deklarimin dhe vërtetësinë e plotësimit të formularit të strehimit, në bazë të të cilit janë përzgjedhur fitues dhe për të dorëzuar dosjet pranë Zyrës së Pritjes me Qytetarin në Bashkinë Tiranë.

Për fazën e dytë, të plotësimit të dokumentacionit, qytetarët do të kenë në dispozicion edhe një muaj kohë.

Deri më tani është regjistruar një fluks i lartë aplikimesh në të 24 njësitë e kryeqytetit. Bashkia e Tiranës ka hapur aplikimet për 500 kredi të buta më datën 16 Prill.

Për të përfituar kredi, një familje e vogël me 1-2 persona duhet të ketë të ardhura mujore të deklaruara 44 mijë deri në 80 mijë lekë në muaj.

Ndërsa për ato me më shumë se 5 persona, që mund të kenë në pronësi një banesë nën normat e strehimit dhe kërkojnë të sigurojnë një banesë 3+1, duhet të kenë të ardhura mujore nga 88-158 mijë lekë në muaj.

Bashkia subvencionon interesat e kredisë, duke bërë që qytetari të përfitojë normë të pandryshueshme interesi me 3 për qind.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here