Komedia groteske “ Trashëgimtari”, me regji nga  Milto Kutali dhe autor Arben Iliazi, vjen si një vepër aktuale me një mesazh të qartë: Me para mund të blesh gjithçka, por jo të ardhmen e moralin e familjes, apo të shpëtosh nga ndërgjegjja. Njeriu me pushtet e para, i zhveshur nga çdo ndjenjë njerëzore dhe i zhytur në absurd, kërkon të blejë një trashëgimtar. Personazhet kalojnë në disa situata groteske. Teksti në vete përmban situata shumë komike, të cilat në momente të caktuara transformohen shumë shpejtë. Kjo e bën shfaqjen që të ketë një dinamikë dhe një rrjedhë shumë të natyrshme.

Fatiku dhe Suzi, që bashkëjetojnë prej 7 vitesh si burrë e grua,  janë dy karaktere kontravers, pa asgjë të përbashkët. Fatiku, një “zyrtar i lartë” , i katapultuar në politikë pa asnjë meritë dhe që jeton me ambicien pa kufij për pushtet e para , përfaqëson  individin instinktiv të zhveshur nga ndjeshmëria.

Befas “shefi i madh” i kërkon të ngjizi një fëmijë, pasi pas 7 vjetësh martesë, po  bie në sy për keq para opinionit publik, që ende beson në vlerat e familjes.

Bashkëshortja Suzi, një grua e thjeshtë dhe e bukur me origjinë nga fshati, e cila përfaqëson brezin e garve që duan të bëhen moderne, duke u martuar me burra të pushtetshëm në kryeqytet, e penduar për martesën me leverdi që ka bërë,  jeton dhimbshëm me tragjizmin e saj dhe po mendon divorcin, duke e përjetuar si gjëmë faktin që i shoqi nguron të bëjë fëmijë me të. Kur Fatiku i jep lajmin e madh se më në fund erdhi çasti për të ngjizur krijesën e tyre, Suzi për një moment i beson vërtet dhe i kërkon shpjegime përse u vonua kaq vjet. Por Fatiku e gjen përgjigjen: Me një kompleks inferioriteti për origjinën e tij të dyshimtë, ai i rrëfehet se e mundonte frika se mos fëmija nuk do të ishte në lartësinë që e kërkonte nderi dhe prestigji i  familjes, se mund të bëhej një plangprishës që ndoshta nuk do i ngjante fare të atit, që të bënte rrush e kumbulla gjith pasurinë.” Përderisa kemi para, pse të mos blejmë një fëmijë të gatshëm nga një njeri fisnik dhe i zgjuar”, i propozon të shoqes. Suzi në fillim nuk kupton, por ai i propozon troç: të blejmë lëndën e parë për ngjizjen e fëmijës! Kërkon vetëm bashkëpunim dhe konspiracion, pasi dhuruesi do të ishte doktori i familjes, me të cilin kishte biseduar paraprakisht! Suzi, e shokuar, por dhe e etur për hakmarrje dhe aventurë, i vë në lojë të dy, të shoqin dhe doktorin. Bën pazar me doktorin, i cili kërkon plot 2 milion euro për të qenë dhurues i “lëndës së parë”, duke i propozuar kontakt seksual, me kusht që ta ndajnë shumën në mes. Doktori, i cili nuk e ka haberin nga seksi, pasi nuk ka njohur kurrë ndonjë femër, i dehur nga çajrat që përgatit vetë, as nuk e merr vesh se si gjendet papritur në një krevat me Suzin, e cila befason me një shtatzani të papritur, që ia atribuon doktorit. Fatiku shpërthen në xhelozi, ndërsa doktori merr zemër dhe kërkon autorësinë e fëmijës. Sherrin e zgjidh Suzi që vendosë t’i japë fund martesës, duke zbuluar trukun e shtatzanisë dhe fytyrën e vërtetë të të shoqit dhe doktorit….

Komedia “Trashëgimtari”,   vjen nën interpretimin e aktorëve të talentuar Dajada Nenaj, Donald Shehu dhe  Xhuliano Brisku, editimi muzikor nga Artur Selmani dhe kostumografi të Stivi Rrapos.

Në Teatrin Kombëtar Eksperimental kjo vepër do të shfaqet premierë për publikun në datën 15 maj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here