Kushdo që është në prag të mbushjes së moshës, ose e ka mbushur moshën, që të jetë në kushte përfitimi të pensionit, minimalisht duhet të ketë 15 vjet periudhë kontributive të njohur nëpërmjet librezës së punës.

Në rast se keni 12 vite, nëpërmjet skemës së pagesave vullnetare keni të drejtë që të blini periudhat e kaluara, në mënyrë që të plotësoni kushtin minimal të vjetërsisë së punës për të qenë pjesë e skemës së pensioneve.

Duke blerë tre vitet e munguara të punës, me mbushjen e moshës dhe dorëzimin e kërkesës për përfitim pranë organeve të sigurimeve shoqërore, do të trajtoheni me pagesën mujore që ju takon nga skema e pensioneve (sipas kushteve të përfitimit që plotësoni).

Masa e kontributit që do të paguhet në këto raste është e barabartë me pagesën aktuale mujore për sigurim vullnetar, e cila do të aplikohet në këtë nivel për gjithë periudhën 3-vjeçare që kërkoni të blini.

Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara, përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, e cila është miratuar me vendim të qeverisë për degën e pensioneve dhe që për llogaritjen e përfitimeve do t’i korrespondojë pagës minimale të vitit që po mbulohet me sigurim vullnetar”, sqarohet nga ISSH.

Konkretisht, masa e kontributeve që duhet të derdhni për blerjen e këtyre periudhave është 4752 lekë për një muaj. Të njëjtën procedurë mund të ndjekin edhe personat që kanë më shumë se 30 vite vjetërsi pune, dhe që me mbushjen e moshës duan të marrin nga skema pension të plotë pleqërie.

Autoritetet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se, në rastet kur blihen periudha të kaluara nuk aplikohet zbritje e pagesës, sikundër ndodh me blerjen e periudhave aktuale nga personat që nuk kanë mbushur ende moshën e daljes në pension.

Në ligjin e sigurimeve shoqërore përcaktohet se blerja e viteve të munguara të punës ndihmon në plotësimin e kushteve për të përfituar një pension të plotë pleqërie, invaliditeti, apo edhe pensioni familjar.

Gjithashtu nëpërmjet skemës së sigurimeve vullnetare mund të mbulohen edhe trajtimet që jepen për  paaftësi të përkohshme në punë. Sipas kushteve të vendosura, periudha e përfitimit për paaftësi të përkohshme në punë fillon në ditën e 15-të të raportit mjekësor dhe zgjat jo më shumë se 6 muaj nga data e fillimit të pagesës.

Pagesat e kontributeve për këto degë, bëhen sipas afateve të përcaktuara për pagesat e sigurimit të detyrueshëm (çdo tremujor), vetëm për vitin korent.

Derdhja e pagesave për siguracionet vullnetare, bëhet duke u paraqitur personalisht pranë agjencive rajonale të sigurimeve shoqërore në vendbanimin tuaj. Bashkë me kërkesën, duhet të paraqisni edhe një fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit, fotokopje të librezës së kontributeve në rast se e dispononi, si dhe fotokopje të mjetit personal të identifikimit.

Pas kryerjes së procedurave, në rast se arrihet marrëveshja për blerjen e vjetërsisë së munguar të punës, ju do të pajiseni me dokumentin “urdhër veprimi”, i cili plotësohet nga inspektori i sigurimit vullnetar. Dokument me të cilin, më pas duhet të paraqiteni në bankë për të bërë pagesën përkatëse.

Pasi të merrni mandat pagesën nga banka, duhet të paraqiteni sërish tek inspektori i sigurimit vullnetar në agjencinë lokale të sigurimeve, ku do të verifikoni edhe pasqyrimin në librezë të kontributeve për vitet e blera të punës për efekt të daljes në pension.

A mund të bëjnë sigurim vullnetar për të ardhura më të larta ata persona që nuk jetojnë në Shqipëri dhe janë të vetëpunësuar në shtetin ku jetojnë aktualisht?


Nëse ju vazhdoni të keni nënshtetësinë shqiptare dhe keni vite pune në Shqipëri, ju mund të bëni sigurim vullnetar për vitet e munguara. Periudha minimale e viteve të punës për një pension minimal është 15 vite. Ndërsa nëse ju nuk e keni nënshtetësinë shqiptare, mund të bëni sigurim vullnetar për vitet deri në momentin që keni pasur nënshtetësinë shqiptare. Pagesa mujore për sigurim vullnetar është 5 184 lekë.

A mundet gruaja t’i dhurojë (kalojë) burrit vite sigurimi nga vitet e siguruara të saj.
Në lidhje me pyetjen tuaj, sqarojmë se: Mbështetur në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”, të ndryshuar, çdo person punon dhe sigurohet për veten e tij dhe nuk mund të dhurojë periudha sigurimi as për bashkëshortin dhe as për bashkëshorten.

A rillogaritet masa e pensionit në momentin që  personi mbush moshën 65 vjeç, për pension të plotë pleqërie?
Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, ka caktuar pension të reduktuar pleqërie, bazuar në nenin 31/1, të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, në datën 01.11.2014, me 35 vite periudhë sigurimi. Në bazë të këtij neni, pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Në momentin e plotësimit të moshës nuk do të ketë rillogaritje mase pensioni, përveçse kjo masë do të përfitojë të gjitha rritjet që bëhen me Vendim të Këshillit të Ministrave “Për rritjen e pensioneve”.

 

Kategoritë që kanë të drejtë të blejnë periudhat e kaluara për vjetërsi pune

  • Shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar.
  • Shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve universitare, pasi periudha pas universitare është me pagesë.
  • Shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar.
  • Personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare mund të bëjnë sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 01.01.1994, deri në datën që kanë lënë shtetësinë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here