Janë të njohura përpjekjet e historiografisë greke për të përvetësuar figurën më të madhe të shqiptarëve, Skënderbeun. Përpjekjet e tyre ndër shekuj duke e quajtur mitin e shqiptarëve Jorgos, janë të njohura dhe të denoncuara botërisht. Tezat e tyre mbi heroin tonë kombëtar mbështeten tek origjina e tij dhe fakti që ai i ka përkuar fesë ortodokse.

Me ndihmën e historianit Arben Llalla po bëjmë një udhëtim nëpër arkivat greke dhe librat që flasin për Skënderbeun.

Duke qenë një shtet që kujdeset në mënyrë të posaçme për arkivat, librat historikë dhe përvetësimin e historisë dhe origjinën e shqiptarëve, aq sa e kanë ngritur në megallomani, Megalidhea e famshme është përpjekur gjatë gjithë historisë që vepra të rëndësishme historike të mos dalin në dritë. Dhe kjo ka qenë gjithnjë politikë e Greqisë.

Sipas historianit Llalla, që Skënderbeu ishte shqiptar si nga nëna dhe babai, këtë nuk e luan as topi dhe këtë e vërtetojnë gjithë të dhënat historike. Por madhështia e këtij heroi të madh kombëtar patjetër që do gjejë dhe historianë haluçinantë që kërkojnë të përvetësojnë heronjtë e një populli tjetër. Dhe kjo ka ndodhur shpesh në Greqi e Serbi.

Vepra dhe lavdia e këtij heroi ishte aq e madhe sa heronjtë e revolucionit grek, arvanitasit e famshëm, mbanin me krenari shenjën e bricjapit, që dikur e mbante Skënderbeu.

Në pretendimet e historiografisë greke bëhet përpjekja për të faktuar që familja Kastrioti kishte origjinë greke. Pretendimet e tyre ata më shumë i bazojnë tek emrat dhe mbiemrat e familjes Kastrioti, që, sipas tyre, kanë kuptimësinë e tyre në gjuhën greke. Por ajo që dihet është fakti se në kohët e Mesjetës, emrat dhe mbiemrat e njerzve ishin fetarë. Ky nuk është një argument shkencor. Sepse nëse ky do ishte argument, atëherë historia greke nuk do të kishte asnjë kuptim, sepse dhe emrat e perëndive të Olimpit gjejnë kuptim në gjuhën shqipe.

Historiografia greke është aq e çuditshme sa një nga personalitetet italiane, një punonjës i administratës në vitet 1930, De Martico, do të shprehej për grekët: “Grekët janë të aftë që të marrin një zezak të vërtetë amerikan, të zi si qymyri, dhe pasi të punojnë gjashtë muaj me të, ta kthejnë përsëri në Amerikë me besimin e plotë tek vetja e tij se ai është pasardhës i drejtpërdrejtë i Themistokliut”.

Tezat foshnjarake të studiuesve grekë bien poshtë dhe janë të mbështetura jo mbi shkencë, por mbi politikë. Skëndërbeu lindi shqiptar dhe vdiq shqiptar. Për sa i përket besimeve fetare, ai hyri në histori me ndërrimin e disa feve, ai lindi ortodoks, u bë mysliman dhe përqafoi me dëshirë fenë katolike. Kjo do të thotë se feja për të nuk ishte ndonjë nocion i lidhur ngushtë, por një filozofi që lidhej me të mirën e shtetit të tij.

Sipas Llallës, ndër autorët grekë që njihen se kanë shkruar për Skënderbeun janë:
Xalkokontili, Francis, Kritovulos, Paparigopulo që pa dyshim përqafojnë tezën greke të origjinës së tij.

Por së fundi, bibliografisë së madhe të veprave kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, do t’u shtohen edhe katër libra në gjuhën greke që nuk janë të njohura deri më sot, për faktin se ata trajtojnë në mënyrë historike figurën e Skënderbeut. Këta libra janë botuar në shek. XIX dhe gjenden në një nga Bibliotekat më të pasura të Greqisë.

Këta libra janë studimet më serioze mbi historinë e Skënderbeut dhe në ta thuhet se Skënderbeu ishte shqiptar.
1.- Libri i parë ka autor K.Velefanti, i botuar në Athinë më 1857.
Libri i kushtohet Perandorisë Bizantine nga themelimi i saj. Në të janë përfshirë historitë nga mbreti i parë i Bizantitz Kostandini i Madhz dhe mbyllet me rënien e princit të fundit, Gjergj Kastrioti. Libri përbëhet nga 292 faqe. Nga faqja 102 fillon kapitulli që i kushtohet Skënderbeut me titull: (Historia e Gjergjit të Kastriotëve, i njohur Skënderbe, Princi i Shqipërisë) dhe deri në faqen 238 shkruhet për të. Interesant është fakti se ky libër shoqërohet edhe me grafikë të ndryshëm që i përkasin mbretërve të Bizantit, por edhe një grafikë të figurës së Skënderbeut. Pra me këtë zbulim shtohet edhe një grafikë ku na paraqitet me madhështinë e tij Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti. Më shumë në libër, siç shihet, shkruhet për Princin e Shqiptarëve.

2.- Libri i dytë është botuar më 1876, në Athinë dhe autor është A.Milaraqi. Libri prej 15 faqesh ka titullin: (Pak fjalë mbi prejardhjen e Skënderbeut), dhe flet rreth origjinës së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve. Autori përmend studiuesit e ndryshëm duke bërë dhe komentet e tij. Në përfundim të studimit të tij A.Milaraqi shkruan: “Gjergj Kastriotit Skënderbe është shqiptar”.

3.- Libri i tretë është botuar në vitit 1884 nga N. Mihalopuli me titull: (Historia e Gjergj Kastriotit i quajtur SKËNDERBE Mbret i Shqipërisë). Ky libër ka 184 faqe. Në këtë libër nuk ngrihen pretendimet se Skënderbeu ishte me origjinë greke, por shkruhet qartë se ai ishte shqiptar, mbret i Shqipërisë. Botuesi është treguar i kujdesshëm dhe si bazë duhet të ketë shfrytëzuar veprën e Marlin Barletit.
4.- Studiuesit grekë, duke parë madhështinë e Skënderbeut, i kushtuan edhe skenar drame. Shkrimtari Andoniu Io. Andoniadhu shkruajti Dramën me titull:

(Skënderbeu mbreti i Epiriotëve, Dramë), e cila është botuar në Athinë më 1889 dhe ka fituar çmim në Konkursin e poezisë mbajtur më 25 mars të po atij viti. Ky libër ka 116 faqe. Ngjarja në dramë zhvillohet në pesë ditë dhe paraqitet në gjashtë akte, ku luajnë 18 personazhe.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here