Nga Prof. Dr. Bajram Hysa

Dje u njohëm me një parashikim të frikshëm të OKB: Popullsia shqiptare rrezikon të katandiset me 860 mijë banorë deri në vitin 2100! Shqipëria është nga të paktat vende në Europë që do vazhdojnë të  përjetojë një tranzicion të trishtë të popullsisë. Shekulli në të cilin jetojmë do të mbyllet me rezultate fatale të popullsisë së vendit, sipas projeksioneve të reja të Departamentit të Popullsisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, të publikuara në faqen zyrtare të këtij institucioni ndërkombëtar.  Duke marrë në konsideratë ecurinë e popullsisë vetëm në normat bruto të lindjeve (norma e fertilitetit) sipas të gjithë skenarëve, Shqipëria do të ketë ulje të popullsisë së saj.

Varianti pesimist parashikon që vitin në 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë.  Edhe sipas të dhënave kombëtare (INSTAT) popullsia e vendit po tkurret më shpejt se projeksionet e popullsisë 2011 – 2031. Më 1 janar 2018, popullsia ishte 18 mijë persona më pak se projeksioni zyrtar i INSTAT.

Shqipëria po humb gjithnjë e më shumë nga dividendi i saj demografik për shkak se popullsia po pakësohet me ritme të shpejta në grupmoshën e artë 0-40 vjeç, teksa numri i personave mbi 65 vjeç po rritet me shpejtësi.

Emigracioni i trurit

Ndryshe nga fillimi i viteve 90, problematike është ikja e forcës së kualifikuar.

Nga emigracioni i trurit është duke dëmtuar rëndë jo vetëm shërbimi shëndetësor në vend,  por edhe sektorë të tjerë të rëndësishëm. Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë viteve 2015-2017 kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian 132 mijë shqiptarë, por nga ana tjetër, mijëra të tjerë janë laruar nga vendi me kontrata pune, studime, me Lotarinë Amerikane, me aplikime për në Kanada ose po bashkohen me të afërmit e tyre, teksa emigracioni i paligjshëm po lulëzon deri në Australinë e largët. Tjetër problem është ikja e moshave të reja, që do të sjellin probleme më vonë në forcën e punës, uljen e produktivitetit dhe skemën e pensionit.

Më e keqja është se gjysma e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri po planifikojnë të ikin nga vendi. Sipas anketimit që ka bërë Barometri i Ballkanit, 50% e të anketuarve më 2017 janë përgjigjur se po planifikojnë të largohen nga vendi

Nëse problematika sociale dhe ekonomike do të vazhdojë të mbetet e mprehtë dhe serioze dhe shqiptarët do të dëshirojnë të largohen gjithnjë e më shumë në kërkim të mundësive më të mira. FMN llogariti në një studim të fundit mbi efektet e emigracionit në ekonominë e Ballkanit se, PBB-ja e Shqipërisë ka humbur 18% në dy dekadat e fundit, si rezultat i largimit masiv të “trurit”.

Kriza shkatërruese e besimit…

 

Shqipëria është përfshirë jo vetëm nga kriza ekonomike, por edhe nga kriza e besimit te politika. Qytetarët shqiptarë besojnë gjithnjë e më pak te aftësitë e politikanëve drejtues për dalje nga kriza.

Më alarmante janë sinjalet se kriza e besimit në politikëbërje po kthehet në një krizë besimi për të gjithë shoqërinë shqiptare. Mungesa e investimeve dhe reduktimi i ndihmës sociale ka keqësuar gjendjen e përgjithshme ekonomike në vend.  Kudo janë shkurtuar subvencionet shtetërore: në arsim, në sistemet e mbështetjes sociale, ndërsa papunësia, sidomos tek të rinjtë, është thelluar edhe më tej. Pagat dhe pensionet nuk kanë njohur asnjë indeksim të thjeshtë, duke shkaktuar pasiguri për të ardhmen. Kriza financiare është kthyer në krizë të përgjithshme ekonomike dhe sociale. Por edhe politike. Tregu i punës e  produkteve nuk po zhdërvjelltësohet , gjë që do ta bënte edhe administratën publike më efikase.
Përsa i takon ndikimit të krizës aktuale në ecurinë e metejshme të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, mendoj se nuk duhet të kemi iluzione se kjo krizë nuk mund të mos vonojë vetë procesin e integrimit, madje edhe të shtojë kushtëzimet e BE-së.

“Nëse nuk ndihmohen bizneset e vogla, ky proces integrimi mund të vonohet”, është shprehur së fundi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko,

Bashkimi Europian nuk mund të pranojë Shqipërinë anëtare të saj, kur shteti nëpërkëmb të drejtat e pronës të çdo qytetari. Bashkimi Europian nuk mund ta pranojë Shqipërinë anëtare të saj, kur partitë politike që financohen nga krimi blejnë votat.

Politikanët, një elitë që i shërben vetëm vetvetes

Shumë analiza dhe argumente mund t’i bëhen trendit në rritje dhe pakënaqësisë kundër qeverive dhe kundër politikave në një vend si Shqipëria me një të shkuar komuniste dhe një ëndërr të madhe europiane. Studimet nxjerrin në pah një fakt të përbashkët: mosbesimin e qytetarëve te politikanët që i drejtojnë. Njerëzit nuk besojnë, se politikanët që i drejtojnë, janë të aftë të gjejnë rrugëdalje. Ndërsa politikanët janë shndërruar në një elitë që i shërben vetëm vetvetes. Qytetarët kanë ndiesinë se e kanë humbur kontrollin mbi proceset demokratike. Detyrohen të pranojnë gjëra, që u paraqiten pa alternativa, si zgjidhjet e vetme të mundshme.

Problemi qëndron te zhgënjimi i qytetarëve mbi politikat e ndërmarra, të cilat nuk i kanë lehtësuar efektet e krizës, që nuk rrisin vende të reja pune, mundësi apo rritje ekonomike si dhe te vetë arroganca e elitave politike. Gjithashtu, ulja e besimit vjen edhe si fakt që vetë qytetarët po bëhen më të ndërgjegjshëm ndaj fuqisë së tyre dhe më skeptikë ndaj autoritetit, duke bërë kështu që të jenë gjithmonë vigjilentë ndaj veprimeve dhe aksioneve të politikbërësve dhe të gatshëm për t’i gjykuar dhe vlerësuar ata.

Korrupsioni, shkak kryesor i emigracionit

BE ka ndërmarrë përpjekje  të mëdha për të të ndihmuar shqipërinë të forcojë vlerat e shtetit ligjor, demokracisë dhe mirëqeverisjes. Por ende numërohen raste shumë të pakata të suksesshme në luftën kundër korrupsiont, ende ka ish funksionarë qendrorë apo lokalë që nuk janë ndëshkuar për krimet e tyre.

BE e rendit korrupsionin si një ndër shkaqet kryesore të emigracionit. Njerëzit e braktisin shoqërinë kur ajo nuk mështë më shoqëri e bazuar mbi meritat, kur nuk ka konkurrencë të ndershme.

Sa më i lartë të jetë indeksi i korrupsionit në një vend, aq më e lartë është edhe përqindja e largimit të trurit. Besimi i popullit shqiptar te institucionet publike është në rënie të vazhdueshme. Që shoqëria shqiptare të kufizojë korrupsionin, krahas reformës në drejtësi dhe vetingut për një gjyqësor të pavarur, duhet të fuqizojë qytëtarët, njerëzit që i kërkojnë llogari qeverisjes, dhe jo t’i varfërojë qyetarët, siç po vepron qeverisja aktuale. Sa më shpejt ta kuptojë këtë qeverisja e sotme aq më shpejt afron data e hapjes së negociatave dhe integrimit të vendit. Populli sot ka më shumë besim te institucionet e BE, se sa te klasa politike e vendit, e cila si për ironi kërkon të marar dekorata për integrimin .

Shqiptarët besojnë te e ardhmja, edhe pse po firojnë

Një raport i sapopublikuar i Bankës Botërore që mban titullin: “lëvizshmëria ekonomike mes gjeneratave nëpër botë”, nxjerr në pah të dhëna mjaft interesante.

Shqiptarët figurojnë ndër popujt më optimist në botë. Por kjo më shumë se sa rrjedhojë e perceptimit për të ardhmen duket se është rrjedhojë e bindjes se e shkuara ka qenë mjaftueshëm e zymtë.

Raporti është ndërtuar kryesisht në formën e një ankete dhe tregon se, pjesa dërrmuese e shqiptarëve, mbi 50%, janë të bindur se kanë pasur një jetë më të mirë se prindërit e tyre.

Pyetjes tjetër, se a besojnë se fëmijët e tyre do të kenë një jetë më të mirë se ta, pjesa dërrmuese e shqiptarëve i përgjigjen me dakordësi. Kjo normë fiksohet në rreth 75%, duke bërë që Shqipëria të jetë e 4-ta në renditje. Praktikisht, optimizmi i shtyn shqiptarët që të mendojnë se brezat e ardhshëm do të kenë një jetë më të mirë se jeta e tyre apo edhe e brezave të kaluar.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here