Në pacientët me diabet dhe polineuropatinë shoqëruese, nuk është e mjaftueshme matja e vetëm nivelit të sheqerit në gjak. Ky nivel ndryshon gjatë ditës dhe nuk është tregues i sigurt për nivelin e rregullimit të sheqerit në qarkullim. Hemoglobina A1c (HbA1c) është test i cili realizohet nga mostra e gjakut dhe jep pasqyrë të qartë për efektin e barnave antidiabetike ndaj rregullimit të nivelit të sheqerit në gjak. Ndaj nuk duhet të mjaftohemi me shpjegimin se “niveli i sheqerit në gjakun tim është normal”! HbA1c ka shumë gjasa të jetë e lartë në pacientët me polineuropati diabetike – gjë që tregon se terapia e tyre aktuale kundër diabetit është e papërshtatshme apo e pamjaftueshme.

Trajtimi i simptomave të polineuropatisë diabetike varet nga niveli i rregullimit të kënaqshëm të nivelit të sheqerit në gjak. Sa më i mirë të jetë i rregulluar diabeti, aq më të mëdha janë gjasat për parandalimin e polineuropatisë apo për zbutjen e saj atëherë kur tanimë është zhvilluar. Rrjedhimisht, nevojitet bashkëpunim dhe mirkëkuptim i ngushtë ndërmjet neurologut dhe endokrinologut për adresimin sa më të mirë të gjendjes.

Jashtë kontrollit të sheqerit në gjak, ekzistojnë një mori opsionesh që kanë aprovim dhe rekomandim ndërkombëtar për trajtimin e simptomave të ndryshme (djegie, mpirje, elektrizim, dhembje) të polineuropatisë. Në këtë drejtim mund të përmenden barnat antiepileptike (gabapentina, karbamazepina, pregabalina), antidepresantët treciklikë (amitriptilina), antidepresantët e radhës SNRI (duloksetina), antidepresantët e tipit SSRI (citaloprami, paroksetina), antiaritmikët (lidokaina) dhe shumë të tjerë që janë madje në fazën e hulumtimit. Kompleksi i vitaminave B, vitamina B6 dhe B12 ndaras, acidi alfa-lipoik, omega 3 janë disa opsione suplementare që shpesh përdoren në praktikën e përditshme për qetësimin e simptomave.

Si në shumë sëmundje të tjera kronike dhe komplikimet e tyre, kujdesi maksimal për rregullimin sa më të mirë të nivelit të sheqerit në gjak në fazën e parë të diabetit, është masa më e suksesshme parandaluese e zhvillimit të polineuropatisë.

Roli i ENMG-së në detektimin e polineuropatisë
Pas dyshimit në polineuropati në bazë të ankesave të pacientit dhe gjetjeve tona gjatë ekzaminimit objektiv dhe laboratorik, realizohet elektroneuromiografia apo ENMG-ja, e cila paraqet ekzaminimin përmes të cilit përcaktohet në mënyrë përfundimtare diagnoza e polineuropatisë. Parimi në të cilin mbështetet ky ekzaminim është se vetë fijet nervore prodhojnë elektricitet lokal përmes shkëmbimit të elektrolitëve nëpër membranat e tyre. Në saje të ENMG-së jemi në gjendje që përmes aplikimit të elektricitetit nga jashtë (me forcë maksimale prej 100 mili-amperësh) të përfitojmë informata për aftësinë përcjellëse të elektricitetit nga ana e nervit; d.m.th. funksionin e tij.

Secili prej nervave të ekzaminuar e ka pikën e vetë në të cilën mund të bëhet stimulimi dhe pikën regjistruese në të cilën regjistrohet përgjigjja ndaj këtij stimulimi. Janë tre parametra që i vlerësojmë gjatë realizimit të kësaj matjeje: latenca (koha nga stimulimi i jashtëm deri te reagimi i nervit), amplituda (madhësia e elektricitetit të prodhuar nga nervi gjegjës) dhe shpejtësia e përcjelljes së impulsit (shpejtësia me të cilën informata bartet nga pika ku është stimuluar deri te pika ku është regjistruar). Në bazë të ndryshimeve në parametrat e lartpërmendur, konkludohet për llojin e dëmtimit të nervit dhe nevojën e ekzaminimeve shtesë laboratorike.

Gjatë realizimit të ENMG-së, shpesh paraqitet nevoja e vlerësimit të muskujve që inervohen nga nervat motorikë dhe analizimi indirekt përmes tyre i rrënjëve nervore në palcën e kurrizit. Për këtë arsye shërben ekzaminimi me gjilpërë e cila në të vërtetë shërben si antenë që e reflekton potencialin neuromuskulor në monitorin kompjuterik. Ekzaminimi realizohet me futjen e gjilpërës në muskul, studimin e muskulit kur është në qetësi dhe më pas gjatë tkurrjes/kontraksionit të vullnetshëm të tij.Anatomia e sistemit nervor periferik
Fijet nervore periferike janë pjesë përbërëse të sistemit nervor periferik në kuadër të të cilit sistem bëjnë pjesë nervat që ndodhen jashtë trurit dhe palcës së kurrizit. Për thjeshtësi të sqarimit, nervat periferikë në përgjithësi mund t’i ndajmë në nerva sensitivë dhe motorikë. Nervat sensitivë janë ato të cilat fillojnë nga mbaresat/receptorët të cilët ndodhen anekënd trupit dhe mbarojnë në trupin (ganglionin) gjegjës që ndodhet në rrënjën e pasme nervore, mu para hyrjes në kanalin spinal. Këto fije nervore shërbejnë për pranimin e çdo informacioni nga mjedisi i jashtëm (prekja, dhembja, të ftohtët, të nxehtët etj.) dhe përpunimin e tyre në qendrat e sipërme trunore. Ndërkaq, nervat motorikë janë ato që burojnë nga briri i përparmë i palcës së kurrizit dhe shkojnë deri në muskulin gjegjës duke ia mundësuar këtij të fundit që ta kryejë funksionin me të cilin anatomikisht është i ngarkuar.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here