Një vendim i fundit i qeverisë, që saktësonte se kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në për profesionet e lira është zero, ka krijuar konfuzion, sidomos tek dentistët, të cilët deri tani, ndonëse përfshihen në këtë listë hynin te furnizimet e përjashtuara dhe nuk paguanin TVSH.
Ekspertët ligjorë të tatimeve pohuan për Monitor se kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në për profesionet e lira ka qenë zero që prej tre vitesh dhe ato janë në skemë dhe deklarojnë TVSH që nga janari i vitit 2015, bazuar në vendimin VENDIM Nr. 953, datë 29.12.2014, PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR. 92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” I NDRYSHUAR.
Pra nuk kemi të bëjmë me asnjë taksë të re, por thjesht me disa rregullime ligjore, përmes të cilave qeveria mbylli shtigjet për profesionet e lira, në mënyrë që ato të mos ankimohen në Gykatën Kushtetuese ashtu siç bënë avokatët. Këta të fundit vitin e kaluar fituan përkohësisht të drejtën për të paguar TVSH-në sipas kufirit të përcaktuar në ligj (që në atë kohë ishte 5 milionë lekë) dhe jo nga zero, duke shfrytëzuan handikapin ligjor se Këshilli i Ministrave nuk ka kompetencën për të përcaktuar kategoritë që përjashtohen apo futen në TVSH, por vetëm përcaktimin e kufirit minimal.


Ajo që qeveria bëri së fundmi është përfshirja në kompetencat e saj të dy pikave specifike: kufirit minimal për t’u përfshirë në TVSH si dhe atributi për ata që përjashtohen dhe hyjnë në skemë.
Ekspertë ligjorë sqaruan se vendimet e fundit “korrigjojnë” atë që përcaktoi Gjykata e Lartë për avokatët ku pati një shfuqizim të pjesshëm ligjor që i hapi rrugë gjithë çështjes së profesioneve të lira të bënin të njëjtin veprim. Avokatët ishin të përjashtuar nga skema falë këtij vendimi ndërkohe që asnjë nga grupet e tjera nuk e çoi çështjen në Gjykatë për të përfituar të njëjtin trajtim kjo edhe për faktin se koha nuk premtonte ndërkohe që qeveria rregulloi “ngërçin” ligjor.

Çfarë ndodhi me profesionet e lira, TVSH për dentistët e mjekët mbetet zero

Vendimet e fundit thjesht kanë rikonfirmuar që avokatët nuk mund të gëzojnë më përfitimin që u dha vendimi i Gjykatës së Lartë. Ata u rifutën në skemë duke deklaruar nga zero ashtu si profesionet e tjera të lira noter, farmacist, infermier, arkitekt, inxhinier, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë.
Ndryshe nga vendimi i 2014-s, të përjashtuar nga deklarimi zero janë grupi i atyre që kryejnë veprimtari ekonomike në fushën e hotelerisë. Ky grup po trajtohet në mënyrë të diferencuar me TVSH 6 për qind dhe deklarimi nis nga xhiroja 2 milionë lekë.
Mjekët dentistët dhe veterinerët janë me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së, por në bazë të nenit 51 të ligjit për TVSH-në, deklarojnë zero, pasi përfshihen në listën e furnizimeve të përjashtuara. Pra në faturimin e tyre final TVSH rezulton zero. Në këtë formë trajtohen të gjitha shërbimet që lidhen me shëndetin e njerëzve dhe kafshëve.
Ajo që konsiderohet si risi është trajtimi që u bëhet fermerëve. Ata përjashtohen nga TVSH kur kanë një xhiro deri në 5 milionë lekë.
Lehtësitë janë më të mëdha për fermerët e bashkuar, për të cilët nuk ka kufi TVSH-je.
Prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit të fermerëve, por që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike në kuadrin e një sipërmarrjeje bujqësore të organizuar si shoqëri e bashkëpunimit bujqësor (SHBB), janë të përjashtuar nga aplikimi i kufirit, për regjimin e veçantë të skemës së kompensimit, me kushtin që kjo SHBB të kryejë vetëm veprimtari të shitjes së produkteve bujqësore të anëtarëve të saj te tatimpagues që nuk janë pjesë e skemës së kompensimit.
“ Në këtë rast, blerësi, person i tatueshëm, lëshon faturë tatimore vetëm për shitësin, shoqëri e bashkëpunimit bujqësor, ndërsa kjo e fundit nuk lëshon faturë tatimore, sipas parimeve të kësaj skeme për fermerët anëtarë të SHBB-së. Nëse shoqëria e bashkëpunimit bujqësor, krahas shitjeve në kuadrin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të fermerëve, kryen edhe veprimtari të tjera, regjistrohet në skemën normale të aplikimit të TVSH-së.” përcakton ligji.

ISHTE (VENDIMI Nr. 953, datë 29.12.2014)
Neni 11
Përcaktimi i kufirit minimal të regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)
1.Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 5 milionë (pesë milionë) lekë në një vit kalendarik, përveç rasteve të përcaktuara në pikën 2, të këtij neni.
2.Personat e tatueshëm, që ofrojnë shërbime në veprimtari ekonomike, sipas profesioneve të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, si dhe kryejnë veprimtari ekonomike në fushën e hotelerisë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor, kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në është zero dhe të gjithë janë persona të tatueshëm të regjistruar për TVSH-në, edhe nëse kryejnë veprimtari të përjashtuar sipas ligjit.

BEHET

Neni 11
Përcaktimi i kufirit minimal të regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)

  1. Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 2 000 000 (dy milionë) lekësh në një vit kalendarik, përveç rasteve të përcaktuara në pikat 2 dhe 3, të këtij neni.”.

“2. Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në për personat e tatueshëm, që ofrojnë shërbime në veprimtari ekonomike, sipas profesioneve të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre, është zero. Të gjithë këta janë persona të tatueshëm, të regjistruar për TVSHnë, edhe nëse kryejnë veprimtari të përjashtuar sipas ligjit.
3. Për prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit dhe që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike si fermerë individualë, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh në një vit kalendarik. Prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit të fermerëve, por që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike në kuadrin e një sipërmarrjeje bujqësore të organizuar si shoqëri e bashkëpunimit bujqësor (SHBB), janë të përjashtuar nga aplikimi i kufirit si më sipër, për regjimin e veçantë të skemës së kompensimit, me kushtin që kjo SHBB të kryejë vetëm veprimtari të shitjes së produkteve bujqësore të anëtarëve të saj te tatimpagues që nuk janë pjesë e skemës së kompensimit. Në këtë rast, blerësi, person i tatueshëm, lëshon faturë tatimore vetëm për shitësin, shoqëri e bashkëpunimit bujqësor, ndërsa kjo e fundit nuk lëshon faturë tatimore, sipas parimeve të kësaj skeme për fermerët anëtarë të SHBB-së. Nëse shoqëria e bashkëpunimit bujqësor, krahas shitjeve në kuadrin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të fermerëve, kryen edhe veprimtari të tjera, regjistrohet në skemën normale të aplikimit të TVSH-së”.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here