Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e nivelit të lartë për paqen, të organizuar nga Kombet e Bashkuara.

Bushati e vuri theksin tek pamjaftueshmëria dhe pamundësia për t’u përballur me nevojën urgjente të krizave, me të cilën po përballen shumë vende sot në botë.

“Kompleksiteti i sfidave globale me të cilat përballemi tani kërkon qasje të reja të integruara për paqen, ide të reja dhe një menaxhim më efektiv të burimeve dhe mjeteve. Sipas mendimit tonë, parandalimi është fjala kyçe. Kombet e Bashkuara duhet të krijojnë mekanizma të aftë për të identifikuar shenjat e konfliktit të mundshëm, me qëllim që të veprojmë në kohë”, deklaroi ai.

Roli i OKB-së në këtë drejtim, sipas Bushatit, është thelbësor.

“Vendosja e parandalimit në zemër të punës së OKB-së kërkon bashkimin, në mënyrë koherente, të tre shtyllave të OKB-së: paqen dhe sigurinë, zhvillimin dhe çështjet e të drejtave të njeriut”, vijoi kryediplomati shqiptar.

Sa i takon Shqipërisë, Ditmir Bushati deklaron se vendi ynë mbetet i angazhuar dhe bindur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mbështet pa rezerva platformat e OKB-së në këtë drejtim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here