Nga Kasem Seferi

I vetmi shpjegim i besueshëm përse administrata tatimore ndeshet me vështirësi serioze është niveli i pamjaftueshëm i menaxhimit të riskut dhe për t’u përballur me një barrierë të tillë të pakëndshme administrata tatimore ka vetëm një alternativë:

të ndryshojë filozofinë e menaxhimit.

Ndryshimi i filozofisë së menaxhimit me qëllim përmirësimin e performancës së administratës tatimore, përmirësimin e programeve të informimit, asistencës dhe sigurimit të shërbimeve më të mira për tatimpaguesit, kërkon ndryshimin e mentalitetit të zyrtarëve të administratës tatimore, ose lëvizjen e tyre drejt një kulture të re të trajtimit të tatimpaguesit.

Menaxhimi efektiv dhe efiçent i administratës tatimore, kërkon një strukturë organizative të mbështetur jo vetëm mbi bazën e funksioneve, por edhe mbi një ndarje të re administrative, për arsye se struktura aktuale tregon se atje ku veprojnë agjensitë, tatimpaguesit janë jashtë kontrollit të drejtorive rajonale tatimore.

Administrata tatimore nuk është e organizuar siç duhet për shkak të mungesës së masave të detajuara të performancës dhe mungesës së mjeteve për të matur performancën e niveleve të ndryshme të menaxhimit dhe të individëve në DPT, si dhe në drejtoritë rajonale tatimore.

Ndërkohë kërkohet të rritet bashkëpunimi ndërmjet administratës tatimore dhe administratës doganore (veçanërisht, për qëllime të TVSH – së), për arsye se ende nuk ka një sistem informacioni efektiv në nivel rajonal, problem serioz ky, gjithashtu, dhe për bashkëpunimin ndërmjet administratës tatimore dhe administratës së sigurimeve shoqërore (përsa i përket parashikimit të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore).

Pra, kërkohet rishikimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit, duke i bërë ato të detyrueshme, duke ruajtur konfidencialitetin e të dhënave.

E njëjta gjë kërkohet edhe në lidhje me bashkërendimin e punës ndërmjet QKR dhe administratës tatimore përsa i përket qëllimeve të regjistrimit nga QKR dhe qëllimit të regjistrimit nga ana e administratës tatimore.

Mungesa e informacionit mbi borxhet, është një prej vështirësive për menaxhimin e borxhit, sepse pa informacion nuk mund të monitorohet, kontrollohet borxhi tatimor, aq më shumë të përcaktohet çfarë mund të mblidhet dhe çfarë jo.

Një informacion i tillë kërkon studimin e origjinës së borxhit tatimor dhe, veçanërisht, shuarjen e borxheve fiktive, si dhe analizimin e borxheve të krijuara nga qëndrimet arbitrare të kontrolleve tatimore.

Ndërkohë, problemi më i rëndësishëm në funksionin e kontrollit tatimor, është gjetja e metodave, ose sistemeve të përzgjedhjes së tatimpaguesve për kontroll për të marrë vesh se ku është risku kryesor dhe ku duhet fokusuar kontrolli tatimor sidomos në rastin e kontrollit të TVSH – së.
Pra, kërkohet trajnimi i vazhdueshëm i inspektorëve të kontrollit tatimor dhe përdorimi i thelluar i analizës së riskut në proçesin e përzgjedhjes së tatimpaguesve për kontroll.

Vonesat, mungesa e sistemit të proçedurave dhe kontrollit të dokumentacionit, mashtrimi me fatura tatimore false, etj, pengojnë përmbushjen e kërkesave ligjore për rimbursimin e TVSH – së.

Pra, duhet të krijohet sistemi i analizës së riskut, si dhe ai i menaxhimit të riskut të rimbursimit të TVSH – së.

Raportimi i informacionit ende nuk është në nivelin e duhur, për arsye se mungon analiza periodike e rezultateve, gjë që kërkon rivendosjen e raportimit me shkrim në drejtim të DPT nga drejtoritë rajonale tatimore.

Komunikimi dhe integrimi në nivel strategjik, operacional dhe individual, është i kufizuar si rezultat i mungesës së bashkëveprimit ndërmjet ekipit ekzekutiv të DPT dhe menaxherëve të drejtorive rajonale tatimore.

Përmirësimi i menaxhimit të performancës së administratës tatimore nuk mund të arrihet pa ditur se çfarë informacioni duhet të mblidhet dhe pa ditur se çfarë mund të bëhet për t’i përmirësuar problemet.

“Çfarë ka ndodhur?” “Përse ka ndodhur?” “Si mund të ndreqen të metat?” dhe “A ka diçka që duhet parë më nga afër?”, janë pyetje që apelojnë fort në lidhje me menaxhimin e riskut në administratën tatimore.

Personat përgjegjës, që raportojnë të dhëna kritike, duhet të jenë të vetëdijshëm se do të gjykohen mbi bazën e të dhënave që raportojnë dhe për këtë arsye duhet të shikojnë përfitime direkte për vetveten nga një raportim shumë i saktë, për arsye se nuk ka të ngjarë që ata të raportojnë me saktësi të madhe (risku i raportimit).

Puna (ose performanca) që matet përmirëson; pra, dikush duhet të marrë një vendim kurajoz, me qëllim që planet dhe qëllimet e administratës tatimore të mos ngelen në letër dhe të mos degjenerojnë në punë rutinë dhe pa rezultate.

Menaxherët në administratën tatimore duhet të përmirësojnë, të sfidojnë dhe të rrisin në mënyrë konstante njohuritë e tyre, në të kundërtën mbeten në vend (risku i trajnimit).

Rezultatet arrihen duke shfrytëzuar mundësitë, jo duke zgjidhur problemet e çastit, ose duke u marrë me të njëjtin problem çdo muaj, tremujor dhe vit, për arsye se zgjidhja e problemeve të çon vetëm te rivendosja e balancës së humbur dhe jo te përmirësimi.

Pra, kërkohet menaxhimi i riskut të kohës dhe të menaxhosh riskun e kohës do të thotë të balancosh një varietet burimesh dhe qëllimesh (objektivash).

Për ta bërë më të thjeshtë, trajtimin e mësipërm, po e konkretizoj me rastin e vendosjes së TVSH mbi kufirin e qarkullimit vjetor 2 milion lek, duke hamendësuar se në qoftë se administrata tatimore do t’i harxhojë burimet e saj duke u marrë me numrin e madh të tatimpaguesve të vegjël dhe të mesëm, do të humbasë qëllimin (objektivin).

Në një rast të tillë të mundshëm, çekiçi do të bjerë mbi qeverinë.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here