Disa javë më parë opozita dhe mazhoranca i hapën rrugën ngritjes së një Komisioni Hetimnor për çështjen “Tahiri”, por deri më tani janë kryer disa mbledhje që përveç debatit “shterpë’ mes palëve nuk kanë ofruar rezultat për publikun e gjerë.

Arsyeja se përse ky komision ka dështuar të bëjë punën e vetë sipas Partisë Demokratike është urdhri që kryeministri Edi Rama i ka dhënë Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, për të mos pajisur me certifikata sigurie deputetët e opozitës që janë anëtar aty.

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj tha për mediat se “pa çertifikatën e sigurisë, ne nuk mund të shohim dokumentat sekretë që kanë filluar të vijnë nga disa institucione”.

“6 jave pas ngritjes së komisionit hetimor “Tahiri”, nuk është bërë asnjë veprim I rëndësishëm hetimor, sepse puna e anëtareve, përshirë kryetarin, është bllokuar me urdhër të arkitektit dhe përfituesit kryesor  të kanabizimit të vendit, kryeministrit Edi Rama.   Me një urdhër të paligjshëm, Edi Rama ka urdhëruar Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), që të vonojë dhe bllokojë pajisjen me çertifikatë sigurie të deputetëve të opozitës në Komision. Pa asnjë arsye ligjore, Drejtoria, nën varësinë direkte të Ramës, ka refuzuar zyrtarisht edhe pajisjen tonë me çertifikatë provizore sigurie, pavarësisht se kjo është një praktikë normale punë e DSIK-së dhe që jepet brenda ditës‎”, deklaroi Alibeaj.

Sipas tij, “pengimi i punës se Komisionit Hetimor është një veprim kriminal, për të cilin Drejtori i DSIK do të mbajë përgjegjësi, pasi askush nuk mund të pengojë veprimtarinë e Komisionit Hetimor, edhe kur urdhërohet nga Edi Rama apo mbrohet prej tij”.

“DSIK, nën varësinë e Edi Ramës, është i njëjti institucion që ka pajisur me çertifikate sigurie brenda ditës Saimir Tahirin, i çertifikuar ndërkombëtarisht për trafik ndërkombëtar droge. Me shumë gjasë, Saimir Tahiri duhet ta ketë akoma të vlefshme çertifikatën e sigurisë dhe, po të ishte anëtar i komisionit, do të shihte dokumentet sekrete që provojnë se ai ka qenë në dijeni, ka ndihmuar, ka bashkëpunuar dhe ka përfituar nga trafiku i drogës, duke e shndërruar policinë në një organizatë kriminale”, theksoi Alibeaj.

Më tej deputeti demokrat nënvizoi se “DSIK, që po bën kamikazin politik për Edi Ramën kundër opozitës, ka pajisur më çertifkatë sigurie edhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, që sot janë në kërkim ndërkombëtar për të njëjtën vepër ponale si Saimir Tahiri, trafik ndërkombëtar droge”.

“Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të heqë dorë ‎nga praktikat e paligjshme të bllokimit të punës së Komisionit Hetimor dhe cënimit të së drejtes kushtetuese të opozitës për kontroll parlamentar! Edi Rama nuk e shpëton dot Saimir Tahirin! Siç thotë sot gazeta gjermane Die Ëelt, “Tahiri është një nga ato raste që prishin dhe përcaktojnë imazhin e Shqipërisë në pjesën tjetër të Europës”, nënvizoi Alibeaj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here